Siguri apo mbikëqyrje? Kamerat bëhen të detyrueshme në veturat e reja në Zvicër

14 qershor 2026 | 13:07

Kamerat që monitorojnë shoferët do të bëhen pjesë e detyrueshme e çdo veture të re në Zvicër, duke shënuar një hap të ri drejt rritjes së sigurisë në trafik, por njëkohësisht duke nxitur debat mbi privatësinë e drejtuesve të automjeteve.

Duke filluar nga 7 korriku 2026, të gjitha automjetet e reja të shitura në Zvicër do të duhet të jenë të pajisura me sisteme të monitorimit të shoferit (Driver Monitoring System – DMS). Masa është pjesë e rregulloreve të reja evropiane të sigurisë rrugore (GSR2), të cilat Zvicra po i përafron me standardet e Bashkimit Evropian.

Sistemi funksionon përmes një kamere infra të kuqe të vendosur përballë shoferit, e cila analizon vazhdimisht lëvizjet e syve, drejtimin e shikimit, frekuencën e pulitjes dhe shenjat e lodhjes, siç është gogësitja. Në rast se teknologjia zbulon se shoferi është i shpërqendruar ose i përgjumur, ajo aktivizon paralajmërime vizuale dhe zanore për të tërhequr vëmendjen e tij, ka njoftuar Zyra Federale e Rrugëve.

Përveç monitorimit të shoferit, rregullat e reja parashohin edhe pajisjen e automjeteve me sisteme të tjera të avancuara sigurie. Mes tyre janë sinjalizimi emergjent me drita frenimi që pulsojnë gjatë frenimeve të forta, sistemet më efikase të frenimit automatik dhe regjistruesit e të dhënave të aksidenteve, të njohur ndryshe si “kutitë e zeza” të automjeteve.

Prodhuesit e automjeteve vlerësojnë se këto teknologji mund të kontribuojnë ndjeshëm në uljen e aksidenteve të shkaktuara nga pakujdesia dhe mungesa e vëmendjes, të cilat konsiderohen ndër faktorët kryesorë të vdekjeve në trafik.

Megjithatë, jo të gjithë e mirëpresin këtë zhvillim. Kritikët paralajmërojnë se teknologjitë e reja mund të cenojnë privatësinë e shoferëve, duke argumentuar se automjetet moderne po shndërrohen gradualisht në mjete mbikëqyrjeje. Disa sisteme madje mund të kufizojnë përdorimin e ekranit multimedial nëse konstatojnë se shoferi po kalon shumë kohë duke naviguar në menu, në vend që të përqendrohet në rrugë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa mund të nisë shumë…