Ndryshimi i varietetit gjuhësor (rasti i së folmes së Rugovës)

15 qershor 2026 | 08:56

HAKI HYSENAJ

1. Të dhëna të përgjithshme

Procesi i ndryshimit të një varieteti gjuhësor me një tjetër është jashtëzakonisht kompleks. Këtë proces e nxisin faktorë të shumtë gjuhësorë dhe jashtëgjuhësorë, të cilët ndërveprojnë në mënyra të ndërlikuara, duke e bërë analizën e tij të thellë e shumëplanëshe.

Varieteti i zëvendësuar, përpara se të braktiset tërësisht, kalon përmes fazës së zvetënimit, e cila manifestohet me reduk­timin progresiv të përdorimit të tij në komunikimin e përdit­shëm nga një bashkësi folëse ose nga segmente të saj. Ky reduktim lidhet ngushtësisht me përballjen e bashkësisë me rrethana të reja socio-kulturore dhe gjeografike. Ndërsa zhdukja përfundimtare e një varieteti, që shpeshherë përngjan me “vdekjen e gjuhëve”, është një proces më i ngadalshëm dhe i thellë për t’u hetuar.

Dallimi i rëndësishëm në këtë proces qëndron në faktin se varieteti i origjinës nuk zhduket i tëri. Ai mbetet në përdorim nga pjesë të tjera të së njëjtës bashkësi, të cilat nuk janë prekur nga migrimi dhe vazhdojnë të jetojnë brenda arealit të mëpar­shëm gjuhësor dhe gjeografik.

Zakonisht, bjerrja ndodh në ato pjesë të një bashkësie folëse që, për arsye të ndryshme, shpërngulet në një territor të ri, ku përdoret një varietet tjetër. Në këtë kontekst, faktori gjeografik, në ndërveprim me faktorë të tjerë gjuhësorë, shfaqet si një ndër determinantët kryesorë të ndryshimeve gjuhësore.

Proces i tillë është vërejtur te bashkësia e ish-banorëve të Rugovës, të cilët, në vendbanimin e tyre të mëparshëm, Rugovë të Pejës, përdornin nëndialektin veriperëndimor të gegërishtes. Pas migrimit në qytetin e Pejës dhe rrethinën e saj, brenda një periudhe jo shumë të gjatë, brezat pasardhës filluan të përve­tësonin varietetin lokal, atë të gegërishtes verilindore. Filli­misht ndodhi zëvendësimi i disa ndryshoreve gjuhësore, për t’u pasuar më vonë nga një ndërrim i plotë i varietetit.

Ndryshimet gjuhësore, megjithëse zakonisht afatgjata, mund të analizohen dhe identifikohen në detaje përmes vëzhgimit të sjelljes gjuhësore brenda dy ose tre brezash. Kjo është veçanë­risht e mundur kur analizohen tiparet fonetike të të folurit (Belluscio, 2016, f. 404). Për rrjedhojë, ky studim synon të dokumentojë dhe të analizojë ndryshimet që kanë ndodhur në varietetin gjuhësor të ish-banorëve të Rugovës, të vendosur në Pejë, duke përfshirë rrafshin fonetik dhe dimensione të tjera të gjuhës.

Për realizimin e këtij hulumtimi është marrë parasysh kor­niza sociolinguistike, e cila ndihmon në përshkrimin dhe interpre­timin e këtij fenomeni gjuhësor. Siç do të shpjegohet më tej, ndryshimi i varietetit nuk ka ndodhur njëherësh dhe në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë brezat e kësaj bashkësie folëse.

Faktorët socialë, veçanërisht ata gjeografikë dhe demografikë, luajnë një rol të rëndësishëm në ndërrimin e gjuhëve ose të varieteteve brenda komuniteteve të caktuara. Në rastin tonë, ndikimi i këtyre faktorëve është pasqyruar në ndryshimet gjuhësore që kanë ndodhur relativisht shpejt te të tre brezat e rugovasve të zhvendosur në Pejë dhe në fshatrat përreth.

Të dhënat e mbledhura gjatë një dekade tregojnë se aktua­lisht pjesa më e madhe e e folësve të rugovishtes tashmë përdor varietetin lokal verilindor. Përjashtime të kufizuara vërehen sidomos te brezi i vjetër, i cili, për arsye kulturore dhe iden­titare, përpiqet të ruajë varietetin e origjinës. Përpjekje të ngja­shme hasen ndonjëherë edhe te brezi i mesëm, kryesisht në kontekste ku ndihen të shtyrë të shfaqin identitetin e tyre gjuhësor e gjeografik.

Në rrethana të kontaktit gjuhësor, kur dy gjuhë a dy varie­tete përdoren në një territor të përbashkët, rrjedhimisht është e pritshme që të ndikojnë në njëri-tjetrin (Munishi, 2020, f. 11). Sipas Munishit kjo ndodh për faktin se folësit e gjuhëve në kontakt, në rastin tonë folësit e varieteteve që përdoren në të njëjtin territor, ndiejnë nevojën e komunikimit të përditshëm, dhe kjo nevojë krijon një dimension të ri komunikues, i cili për shkaqe jashtëgjuhësore është varietet dominues (2020, f. 13).

Rasti në studim dallon nga kontaktet e zakonshme të gjuhëve ose varieteteve për shkak të faktit se folësit e gegërishtes veri­perëndimore përbëjnë një pakicë numerike në arealin e ri. Për pasojë, akomodimi gjuhësor ishte bërë një domosdoshmëri për këtë komunitet.

Akomodimi gjuhësor nënkupton përshtatjen e mënyrës së të folurit të një individi me atë të bashkëbiseduesit, duke pas­qyruar një proces solidariteti gjuhësor e social. Në rrafshin fonetik, ky proces njihet si imitim ose konvergjencë fonetike, ndërsa në teorinë e komunikimit, koncepti i akomodimit gjuhësor, siç është formuluar nga Howard Giles, përshkruan përpjekjet për afrimin e kodeve gjuhësore ndërmjet individëve ose grupeve të ndryshme (Rugova, 2020, f. 25). Me kalimin e kohës, ky proces është shndërruar në një faktor thelbësor të zvetënimit dhe më pas të bjerrjes së varietetit të origjinës te rugovasit e vendosur në Pejë dhe rrethinë.

Deri në vitet fundit të shek. XX rugovasit kanë jetuar të shpërndarë në 14 fshatra malore të Rugovës së Pejës. Rugovishtja e folur prej tyre paraqiste kontinum të nëndialektit të gegërishtes veriperëndimore, por mjaft konservative krahasuar me të folmen e arealit përkatës (Hysenaj, 2016, f. 183).

Bazuar në konceptet gjuhësore të David Crystal (2000), ndryshimi i varietetit të origjinës shpeshherë mund të percep­tohet si proces i ngjashëm me “vdekjen e gjuhëve”. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se ndryshimi i varietetit nuk është domosdoshmërisht i barasvlershëm me zhdukjen e tij. Crystal (2000) dhe Campbell & Muntzel (1989) identifikojnë tri forma të vdekjes gjuhësore: “vdekja e papritur”, “vdekja radikale” dhe “vdekja graduale”.

Në rastin e rugovishtes, mund të thuhet se kemi të bëjmë me procesin e ndryshimi gradual të varietetit, për shkak se vetëm një pjesë e bashkësisë folëse e ka përjetuar këtë ndryshim. Termi “ndërrim i varietetit”, siç përdoret në këtë studim, reflek­ton më saktësisht realitetin gjuhësor dhe sociokulturor që ka përshkuar këtë komunitet.

Edhe pse pjesërisht i ndërruar, varieteti i origjinës ende ruhet nga brezi i vjetër dhe, në një masë më të vogël, nga brezi i mesëm, të cilët e përdorin si “teknikë simbolike” për të shpre­hur identitetin e tyre kulturor. Kjo ruajtje e varietetit të origjinës shfaqet më qartë në kontekste me karakter identitar. Shem­bulli më përfaqësues është manifestimi kulturor “Lojërat Olim­pike të Rugovës”, i cili organizohet çdo vit në Rugovë gjatë stinës së verës. Në këtë manifestim tradicional përveç kulturës shpirtërore pasqyrohet edhe varietetit gjuhësor i rugovishtes.

1.1. Ndryshimi i varietetit

Ndërrimi i gjuhëve dhe i varieteteve, që ndryshe njihet edhe si “këmbim gjuhësor”, realizohet gradualisht. Ky proces mund të hetohet vetëm pasi të kenë avancuar ndryshimet gjuhësore, atëherë kur folësi i një gjuhe ose i një varieteti bëhet i vetë­dijshëm se është duke përdorur një varietet tjetër, të ndryshëm, pjesërisht ose tërësisht nga ai i origjinës. Në rastet ekstreme, kur folësi heq dorë nga trashëgimia e vet, përfshirë edhe gjuhën ose varietetin e tij, të cilat i paraprijnë këmbimit gjuhësor, ato fillojnë të bëhen të dukshme. Në shumicën e rasteve, këto pro­cese gjuhësore zhvillohen gradualisht. Intensiteti i tyre kushte­zohet nga faktorë të shumtë jashtëgjuhësorë e gjuhësorë.

Këmbimet gjuhësore, si procese që prekin gjuhë e varietete të ndryshme, zakonisht shkaktohen jo vetëm nga faktorë jashtëgjuhësorë, por edhe nga kontakti gjuhësor. Në këtë pro­ces, një rol të rëndësishëm luan gjithashtu konteksti shoqëror i folësve, i cili lidhet me moshën, gjininë dhe me nivelin e arsimimit të tyre. Vështruar nga ky aspekt del se këmbimi i gjuhës ndodh zakonisht te brezat pasardhës që humbasin lidhjen me gjuhën e prindërve dhe përdorin gjuhën e vendit në të cilin jetojnë. Ky proces lidhet me mobilitetin shoqëror e kulturor dhe me prestigjin e gjuhës dominuese (Rugova, 2000, f. 196).

Siç do të shihet në kuadër të këtij studimi, disa prej ndry­shoreve fonetike dhe morfologjike të varietetit të origjinës i kanë rezistuar ndryshimit, duke u ruajtur si projeksione iden­titare, me apo pa vetëdijen e folësve.

Sipas Abram de Swaan, “ikja nga gjuha” ndodh si alternativë për një bashkëveprim të përgjithshëm me popullsinë shumicë, sidomos në planin gjuhësor. Sipas kësaj teorie, shmangia nga gjuha ose varieteti i origjinës dhe këmbimi me një gjuhë a varie­tet të ri gjuhësor është proces që nuk përfshin njëkohësisht të gjithë brezat. Brezi i moshuar e përjeton ndryshimin me ritme të ngadalshme dhe shpesh tregon qëndresë të vetëdijshme ndaj zëvendësimit të varietetit të origjinës, si formë mbrojtjeje identitare.

Në rastin e rugovasve, brezi i vjetër, sidomos pjesa që jeton në vendbanime larg qendrës urbane, pjesërisht ende ruan varietetin e origjinës. Kjo tendencë më tepër është paraqitur në vendbanimet e populluara me shumicë banorësh rugovas.

Kjo prirje është vërtetuar nga intervistat me respondentët, të cilët, në përgjigjet spontane në pyetjen: “Kur jeni frikësuar më së shumti?” janë përgjigjur në varietetin e origjinës, në rugovishte. Në rrëfimet e tyre janë regjistruar pak tipare gjuhësore të varietetit që përdoret në vendbanimin e ri. Anketimet dhe intervistimet kanë shërbyer për të matur shkallën e ruajtjes së varietetit të origjinës.

Këmbimi gjuhësor ndryshon në situatat kur ndërveprimi shoqëror kufizon zgjedhjen gjuhësore. Kështu, një gjuhë a varietet do të zërë vendin e tjetrit si pasojë e kontaktit të përhershëm dhe e bashkëveprimit shoqëror. Pjesa e bashkësisë folëse që zhvendoset në mjedis të ri përshtatet me normat gjuhësore dhe shoqërore të mjedisit pritës.

Siç thekson Munishi, ndryshimi gjuhësor lidhet ngushtë me ndryshimet e dimensioneve të raporteve dhe të dominimit, si dhe të prestigjit të gjuhës (Munishi, 2020, f. 7). Për rugovasit, pas migrimit të tyre, varietet me prestigj ishte gegërishtja verilindore, e folur në Pejë. Procesi i ndryshimit gjuhësor te ky entitet kishte nisur qysh me shpërnguljet e para. Sipas Coupland, folësit në rrethana të këtilla me kohë e kuptojnë se të folurit ndryshe në mjedisin e ri krijon mundësi “gjykimi” si individ dhe si grup i caktuar shoqëror (Coupland, 1988, f. 85).

Këmbimi i varietetit të gegërishtes veriperëndimore me gegërishten verilindore ka ndodhur gradualisht. Uriel Weinreich me “language shift” kuptonte “këmbimin e përdorimit të zakonshëm të një gjuhe me përdorim të zakonshëm të një gjuhe tjetër” (cituar sipas Ismajlit, 2020, f. 47).

Ndryshimi i varietetit gjuhësor nga gegërishtja veriperëndimore në gegërishte verilindore është një proces i ngjashëm, edhe pse jo domosdoshmërisht i njëjtë, me definimin e këmbimit gjuhë­sor të dhënë nga Weinreich. Fazat dhe dinamikat e këtij këm­bimi ndryshojnë paksa nga ato që ai përshkruan. Në rastin tonë kemi të bëjmë me të njëjtën bashkësi folëse që përdor të njëjtën gjuhë, por në varietete të ndryshme, me ç’rast njëri prej tyre gradualisht humb vlerën për një pjesë të së njëjtës bashkësie për shkak të migrimit të pjesëtarëve të saj në një areal tjetër gjuhësor, në të cilin përdoret varietet i ri gjuhësor. Chambers, J. K. & Trudgill shprehen se nuk ka kuptim supozimi se një dialekt në çdo mënyrë duhet të jetë superior ndaj një dialekti tjetër (Chambers, J. K., & Trudgill, 1998, f. 3). Sipas tyre shkalla e kuptueshmërisë së ndërsjellë varet nga shumë faktorë, si shkalla e ekspozimit ndaj një gjuhe (varieteti, v.a.) tjetër, niveli i arsimimit të tyre dhe, ç’është më e rëndësishmja, çështja përligjet në radhë të parë me gatishmërinë e folësve për ta kuptuar gjuhën/varietetin e tjetrit. “Njerëzit, me sa duket, ndonjëherë nuk kuptojnë, sepse nuk duan të kuptojnë”, shprehen këta dy autorë. Sipas Labov (1972), kjo sjellje shpjegohet me qëndri­min e folësve për të shprehur identitetin e tyre qëllim­shëm në situata të caktuara folëse. Në raste të këtilla ata përdorin tipare të varietetit të origjinës për të treguar identi­tetin e tyre, për të ruajtur dallueshmërinë, ose për të afirmuar përkatësinë etnike e rajonale. Këtë sjellje gjuhësore Labov e definon si “stil të vetëdijshëm/performativ”. Raste të sjelljeve të këtilla kemi regji­struar gjatë ekspeditave tona në terren. Kjo dëshmohet nga përgjigje të caktuara të respondentëve në pyetjen: “Kur e flisni rugovishten?”. Një pjesë e folësve të gjeneratës së mesme kanë deklaruar se këtë e bëjnë sa herë që duan të dalin fitues dhe kur duan të tregojnë identitetin e tyre të malsorit.

Se ka pasur rezistencë ndaj varietetit të ri vendës flasin të dhënat e nxjerra nga të intervistat dhe nga disa biseda spontane me respondentët e këtij studimi. Disa prej tyre, pavarësisht se hetohej që e kishin humbur mjaft kompetencën gjuhësore ndaj varietetit të origjinës, insistonin ta përdornin atë në takimet “brenda llojit”, ndërsa një pjesë e vogël e të anketuarve janë deklaruar se ndonjëherë e përdorin varietetin e origjinës për të shpërfaqur qëllimshëm identitetin e tyre gjeografik. Ky qën­drim shpjegohet me teorinë e “performancës identitare”, sipas së cilës zgjedhja e varietetit nuk është vetëm zgjedhje për komu­nikim, por edhe mënyre për “të përformuar” se kush je (Bucholtz & Hall, 2005).

Hulumtimi ynë ka treguar se përdorimi i varietetit gjuhësor nga një i entitet që ka migruar në një areal të ri gjuhësor gradu­alisht fillon të tkurret nga brezi në brez, dhe në fund ruhet vetëm nga brezi i vjetër.

Tkurrja e përdorimit të varietetit kalon nëpër disa faza, ndërsa dinamika e këmbimit gjuhësor kushtëzohet nga shumë faktorë. Përgjithësisht gjuhëtarët pranojnë se ky proces nuk është i motivuar vetëm nga faktorët gjuhësorë. Faktorët gjeografikë dhe demografikë janë përcaktuesit e dinamikës së këmbimeve gjuhësore. Afërsia gjeografike midis dialekteve dhe nëndialek­teve e bën më të lehtë këtë proces, ndërkohë që edhe numri i folësve ndikon në ritmin e këtij ndryshimi.

Rugovasit, pavarësisht se në vendlindjen e tyre gjuhësisht i takonin varietetit të gegërishtes veriperëndimore, për shkaqe të ndryshme gjeografike, e më shumë politike, nuk kishin raporte të përhershme me folësit e bashkësisë së tyre, prandaj varieteti që përdornin atje, nga studiues të ndryshëm cilësoj si varietet më konservativ i nëndialektit të gegërishtes veriperëndimore. Në anën tjetër, afërisa me qytetin e Pejës, këmbimi tregtar dhe më pas edhe shkollimi i të rinjve në këtë qytet dhe në qytete të tjera të Kosovës, me kohë kanë ndikuar që varieteti i tyre të ndikohej nga gegërishtja verilindore. Vendosja në Pejë i gjeti të gatshëm gjuhësisht për përshtatje. Procesi kaloi në disa faza.

1.2. Akomodimi gjuhësor

Akomodimi gjuhësor nënkupton përshtatjen e të folurit të një individi a të një entiteti me të folurit e pjesëtarëve të një entiteti tjetër. Kjo përshtatje motivohet nga faktorë të shumtë gjuhësorë e jashtëgjuhësorë. Akomodimi mund të jetë i kara­kterit konvergjent, kur folësi i përshtatet varietetit gjuhësor të bashkëbiseduesit dhe e karakterit divergjent, në rastet kur folësi qëllimshëm përdor tipare gjuhësore të varietetit për efekte të ndryshme. Në fakt, akomodimi shënon hapin e parë drejt ndryshimeve gjuhësore në nivel komuniteti (Auer P, Hinskens & Paul Kerswill, 2005, f. 343).

Ndryshe nga procesi i akomodimit, procesi i këmbimit gjuhësor nënkupton ndërrimin e një gjuhe ose varietetit me një varietet tjetër, në rastin tonë, ndryshimin e një varieteti të Gegërishtes veriore me një varietet tjetër, ndonëse të dytë përdoren nga e njëjta bashkësi folëse, por shfaqen me dallime që i bëjnë të folme të veçanta brenda të njëjtit nëndialekt të shqipes.

Në librin Bashkësi gjuhësore, njësi, varietet, Ismajli vë në dukje se nocioni “bashkësi gjuhësore” nuk është i lehtë për t’u për­kufizuar. Pas shumë shqyrtimit të një sërë përkufizimesh, Ismajli pranon përkufizimin labovian, sipas të cilit “bashkësitë folëse” janë gjuhësisht edhe në aspektin shoqëror heterogjene, ndërsa variacionet janë të kushtëzuara në aspektin “shoqëror” (Ismajli, 2019, f. 51).`

Duke u bazuar në këtë përkufizim, mund të thuhet se folësit e rugovishtes, të përballur me rrethana të reja sociokulturore pas migrimit dhe krijimit të vendbanimeve të reja, kanë inten­sifikuar procesin e këmbimit të varietetit të tyre me atë të vend­banimeve të reja. Duhet shtuar se ky proces ka nisur paralelisht me procesin e akomodimit të përgjithshëm social.

Akomodimi nënkupton përshtatjen e përgjithshme sociale dhe kulturore të popullsisë migruese me tiparet karakteristike të komunitetit vendës. Në këtë kontekst, etniticiteti përfshin edhe varietetin gjuhësor si element identiteti (N. Coupland, 1988, f. 102).

Ndonëse nuk kemi mundur të përshkruajmë saktësisht fillet e këtij procesi, bazuar në monografinë e Hajdaraj (1996) dhe studime të tjera për këtë të folme, kuptojmë se ndikimet nga kosovarishtja në këtë varietet gjuhësor historikisht kanë qenë minimale deri në migrimet e fundit. Autorët që kanë për­shkruar të folmen së Rugovës nuk janë marrë me hulumtimin e ndryshimeve të saj si pasojë e migrimit, gjë që e vështirëson caktimin e kohës së saktë të fillimit të ndryshimit gjuhësor.

Duhet të sqarojmë se monografia e Hajdarajt dhe studimet e tjera për këtë të folme megjithatë na kanë shërbyer më tepër si materiale që na kanë ndihmuar në identifikimin e trajtave konkrete dialektore të kësaj të folmeje, e cila është cilësuar si e folme konservative në kuadër të makrosistemit që i takonte.

Bazuar rezultatet e analizës së korpusit të këtij studimi, del se banorët e Rugovës, të cilët kishin migruar dhe kishin krijuar vendbanime të reja në arealin e ri gjuhësor, krahas sjelljeve të reja shoqërore në një rreth të ri shoqëror, kishin filluar edhe procesin e akomodimit gjuhësor me gegërishtes verilindore. Përdorimi i varietetit të origjinës zvogëlohej gradualisht, filli­misht në situatat folëse jashtë ambienteve familjare.

Bazuar në “teorinë e strehimit” folësit modifikojnë të folurit e tyre për të tingëlluar më afër gjuhës së bashkëbiseduesve dhe për të arritur integrim më të madh shoqëror (Giles, H., Coupland, J., & Coupland, N. 1991). Migrimi masiv i rugovasve i ka dhënë përmasa të reja këtij procesi.

Pas luftës së fundit në Kosovë (1998/9), kur nisi migrimi masiv i rugovasve, procesi i akomodimit shoqëror e gjuhësor mori dimensione të reja. Me kohë varieteti i origjinës (rugo­vishtja) po i linte hapësirë përdoruese varietetit vendës, gegë­rishtes verilindore. Nevoja për përshtatje gjuhësore (akomodim gjuhësor) dhe sjellje të ngjashme shoqërore me banorët vendës ishte zhvilluar natyrshëm. Akomodimi, nga ana tjetër, duket të jetë pjesë e një tendence shumë më të gjerë për modifikimin e sjelljes njerëzore në ndërveprimet shoqërore (Trudgill, 1986, f. 161).

Procesi i akomodimit gjuhësor fillimisht është shfaqur te brezi i mesëm. Në vendbanimin e ri rugovasit krijonin raporte të reja shoqërore e institucionale, posaçërisht në qendrën urbane. Këto raporte kushtëzonin sjellje të ngjashme sociale me atë të vendësve. Ky brez e kishte kuptuar me kohë se mospërshtatja me realitetin e ri, përfshirë varietetin gjuhësor, mund të sillte margjinalizim. Ndryshe prej tij, brezi i vjetër e shihte humbjen e varietetit si një kërcënim për identitetin e vet kulturor e regjional.

Me kohë edhe brezi i vjetër, për shkak të ndikimit të gjuhës së fëmijëve dhe të mjeteve të komunikimit, ka ndryshuar të folurën e vet, sidomos në aspektin fonetik. Shumë nga pjesë­tarët e këtij brezi, krahas përdorimit të trajtave të varietetit të origjinës, gjatë procesit të komunikimit përdorin edhe trajta fonetiko-fonologjike e morfologjike të gegërishtes verilindore. Kjo tregon se varieteti i tyre gjuhësor, pavarësisht kujdesit për ta ruajtur, megjithatë ka pësuar në origjinalitetin e tij.

Praktikat e ndryshme tregojnë se zhvillimet e këtilla gjuhë­sore ndodhin edhe përmes njohjes pasive të varietetit tjetër. Në këto situata varietet burimore dhe ato marrëse kanë të për­bashkët pjesën më të madhe të fjalorit të tyre, kryesisht në rastet kur ato janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën ose madje janë dialekte të së njëjtës gjuhë (Thomson, 2001, f. 139).

Të dhënat e mësipërme na çojnë te e konstatimi se një gjuhë a varietet gjuhësor për t’u këmbyer me një gjuhë a varietet tjetër kalon nëpër faza të ndryshme, gjithnjë derisa del përfun­dimisht nga përdorimi. Teoritë gjuhësore na mësojnë se gjuhët dalin nga përdorimi kur nuk kanë më asnjë folës burimor, prandaj edhe procesi i përzierjes së trajtave, siç është rasti me brezin e vjetër të folësve të rugovishtes, është i natyrshëm. Ndryshimet e këtilla kanë prirje progresive që çojnë drejt ndryshimit të varieteteve, ndërkohë që këmbimi gjuhësor bëhet realitet dhe shpërfaqet më së miri me të folurën e gjeneratës së mesme dhe të re. Brezi i ri nuk bart më elemente të trashëgimisë gjuhësore dhe kulturore të origjinës.

Procesi i këmbimit gjuhësor lidhet me nevojën e akomo­dimit të një pjese të bashkësisë folëse me gjuhën/varietetin e pjesës tjetër të së njëjtës bashkësi ose edhe të një bashkësie folëse që flet krejtësisht një gjuhë/varietet tjetër. Bazuar në teorinë e akomodimit gjuhësor, folësit modifikojnë të folurit e tyre në mënyrë që të duken si të tjerët. Kjo sjellje gjuhësore ndikon edhe në procesin integrimit të tyre më të lehtë në rrethin e ri shoqëror (Giles, H., Coupland, J., & Coupland, N. 1991).

Në teorinë e komunikimit termi akomodim buron nga Howard Giles, ndërsa në sociolinguistikë është përdorur nga Trudgill (1986), krahas termit dizajn i audiencës, të farkuar nga Allan Bell. Akomodimi në kuadër të sociolinguistikës kuptohet si përshtatje e të folurit të një individi ose e sjelljeve të tjera komunikuese karshi të tjerëve, me të cilat kryhet ndërkomu­nikimi (Rugova, 2020, f. 25).

Nga intervistat dhe anketat e zhvilluara me pjesëtarë të brezit të mesëm del se pas migrimit qëllimshëm përdorinin varietetin e vendbanimit të ri. Do shënuar se shumica prej tyre e kanë njohur edhe më parë varietetin vendës, gegërishten verilindore, pasi që shkollimin e mesëm e kanë kryer në qytetin e Pejës. Por, siç kanë deklaruar vetë, pas kthimit në vendlindje, aty ku ende jetonin gjatë tërë vitit, sërish përdornin varietetin e tyre nativ, pra gegërishten veriperëndimore.

Për këtë pjesë të popullsisë rugovase procesi i akomodimit gjuhësor, në rrethanat e reja pas migrimit, nuk kishte paraqitur probleme të shumta, ndërkohë që për një pjesë që kishin përfunduar arsimimin e tyre me përfundimin shkollimit fillor, akomodimi gjuhësor kishte qenë më i vështirë. Ka prej tyre, tashmë shumë më të vjetër, mbi 80-vjeçar, të cilët në komuni­kimin e tyre të përditshëm ende e flasin rugovishten të ndikuar pjesërisht nga varieteti i vendbanimit të ri.

Në kuadër të kreut të tretë do të jepen shënime konkrete për këto kategori shoqërore dhe varietetet e tyre gjuhësore.

Ky proces, në situatat kur paraqitet nevoja për akomodim gjuhësor, përcillet nga specifika të caktuara që lidhen me nxënien e varietetit të ri, në njërën anë dhe me lënien jashtë përdorimit të varietetit të origjinës, në anën tjetër.

Sa i përket çështjes së dytë, ndryshimit të varietetit gjuhësor, që trajtohet më shumë në kuadër të këtij studimi, duhet shtuar se varieteti i origjinës, në këtë rast rugovishtja, ka kaluar nëpër dy faza ndryshimi, të cilat ngjasojnë me proceset gjuhësore të njohura si “zvetënim” dhe “bjerrje gjuhësh/varietetesh”.

Zvetënimi i një gjuhe/varieteti shënon fazën e parë të rrezikimit të tyre, ndërsa bjerrja ngjason me vdekjen gjuhëve /varieteteve. Në studimet rreth kësaj çështjeje, të nisura nga Crystal (2000), nuk ka masë të pranueshme nga të gjithë, e cila do të përcaktonte nivelin e përgjithshëm të rrezikimit të një gjuhe dhe si pasojë edhe vdekjen e saj. Megjithatë, deri tashti janë pranuar dy kritere bazë: a) numri dhe mosha e folësve të një gjuhe (varieteti, v.a.) dhe b) e dhëna nëse një gjuhë/varietet mësohet ende nga brezi i ri.

Përdorimi i këtyre dy kritereve si masë për përcaktimin e statusit shoqëror të varietetit gjuhësor të rugovishtes, e për­dorur në rrethana të reja shoqërore, këtë varietet gjuhësor e radhisin në grupin e varieteteve të rrezikuara.

Në vendbanimet e reja ka lindur brezi i parë i folësve që nuk e dinë varietetin gjuhësor të prindërve të tyre, prandaj, sipas mësimeve të Labov-it, ky brez përfaqëson fundin e përdorimit të një gjuhe (varieteti v.a.) (Hysenaj, 2016, f. 190).

Njësoj si në raste të ngjashme është vërtetuar nga radhët e rugovasve që kanë migruar gjenerata e re nuk e di varietetin e origjinës, ndërsa pjesëtarë të brezit të vjetër shpesh e përdorin varietetin e origjinës për t’u dhënë kuptim takimeve sociale (Coupland, 1988).

Dy parametrat e përmendur flasin për këmbimin gati të kryer gjuhësor të rugovishtes me të folmen verilindore lokale, që përdoret në qytetin e Pejës me rrethinë. Konstatimi ynë bëhet më bindës nëse këtyre dy parametrave u shtohet edhe e dhëna se prindërit që i takojnë brezit të mesëm nuk ua tran­smetojmë më fëmijëve varietetin e tyre gjuhësor të origjinës. Nga anketat e bëra me ta del se janë të vetëdijshëm se insistimi për t’ua mësuar rugovishten është jo i qëlluar, pasi që për­dorimi i tij jashtë ambienteve familjare do të vështirësonte integrimin e fëmijëve të tyre në shoqëri.

1.3. Zvetënimi dhe bjerrja e varietetit

Siç u theksua më sipër, nën ndikimin e një sërë faktorësh, veçanërisht jogjuhësorë, rugovishtja, pas migrimit të folësve të saj, ka kaluar nëpër disa faza të ndryshimit gjuhësor, duke arritur në një stad duke u bërë pothuajse e papërdorshme për dy brezat më të rinj të komunitetit, brezin e mesëm dhe brezin e ri.

Nga të dhënat e mbledhura përmes incizimeve rezulton se në brezin e mesëm ende hasen gjysmëfolës të këtij varieteti. Një pjesë e vogël e tyre, sidomos ata që jetojnë në vendbanime rurale me përbërje më homogjene rugovase, gjatë të folurit ende përdorin ndonjë tipar gjuhësor të varietetit të origjinës. Hulumtimi tregon se kjo kategori folësish, në situata të komunikimit të drejtpërdrejtë (“face-to-face”; Trudgill, 1986, f. 161), duke vepruar në kushte të reja shoqërore, ka humbur të ashtuquajturën “kompetencë gjuhësore” për varietetin e ori­gjinës. Si “gjysmëfolës”, ata janë të prirë të përdorin veçori të varietetit që flitet në vendbanimin e ri, gjë që flet për një lëvizje të vazhdueshme drejt reduktimit të përdorimit të varietetit të tyre.

Rasti i rugovasve dëshmon se një bashkësi folëse, ose një pjesë e saj, kur vendoset në rrethana të reja shoqërore, veça­nërisht në një areal të ri gjeografik dhe gjuhësor, fillon gra­dualisht të modifikojë edhe varietetin e origjinës. Te bashkësi të tilla, fillimisht vërehet zbehja e kompetencës gjuhësore në varietetin burimor, ndërsa në fazën pasuese kalimi drejt për­dorimit të rregullt të varietetit lokal.

Thomson thekson se ky proces ndodh për shkak se gjuha e pakicës shpesh stigmatizohet negativisht, ndërkohë që folësit e saj zhvillojnë gjithnjë e më shumë kompetencë në gjuhën tjetër, përkatësisht në atë të shumicës (Thomson, 2021, f. 226). Sipas tij, një gjuhë ose varietet gjuhësor tërhiqet nga përdorimi kur humb folësit e vet, domenet e përdorimit dhe, në fazën për­fundimtare, edhe strukturën e brendshme (2021, f. 227). Procesi i tërheqjes së rugovishtes nga përdorimi ka nisur me fazën e akomodimit gjuhësor, për të cilën është folur në seksionin 1.2.

Siç u theksua më herët, akomodimi gjuhësor përbën fazën e parë të këmbimit të pritshëm në kontekste të tilla shoqërore. Në rastin e rugovishtes, ky proces paraqitet si një alternativë e domosdoshme për komunikim, që rrjedh nga nevoja për t’u përshtatur me mjedisin e ri gjuhësor dhe social. Kjo situatë ka sjellë gradualisht zvetënimin e kësaj të folmeje, e më pas, në mënyrë të natyrshme, edhe bjerrjen e saj.

Vështruar nga perspektiva sociolinguistike, akomodimi gjuhësor, që paraqitet si një proces i pashmangshëm në rrethana të tilla, merr formën e asaj që në literaturë njihet si “konvergjencë gjuhësore”. Në këtë proces, folësit e një varie­teti, në mënyrë të ndërgjegjshme orientohen drejt përdorimit të një varietet tjetër, i cili perceptohet si më i përshtatshëm për stilin e komunikimit të folësve të shumicës në mjedisin përkatës.

Për ish-banorët rugovas, përzgjedhja gjuhësore midis ndry­shoreve të dy varieteteve nuk përfaqësonte një zgjedhje të lirë, por më tepër një diktim shoqëror. Folësit, siç u tha më sipër, jo gjithmonë vendosin për varietetin gjuhësor që do ta përdorin. Situatat në të cilën ndërveprojnë shpesh kufizojnë zgjedhjet e tyre, ndërkohë që presioni për ndryshim varieteti rritet kur popullsia e një areali të caktuar gjuhësor, e gjendur tashmë në një areal tjetër, është në proces të integrimit.

Zvetënimi dhe më pas bjerrja e gjuhëve dhe e varieteteve gjuhësore paraqesin ngjashmëri të konsiderueshme me pro­cesin e njohur në literaturë si “vdekja e gjuhëve”. Megjithatë, një dallim thelbësor qëndron për faktin se një gjuhë e vdekur nuk përdoret më nga asnjë folës, pavarësisht shtrirjes së saj gjeo­grafike ose historike. Në rastin tonë bjerrja e varietetit nuk ndodh në tërësinë e bashkësisë folëse, por prek vetëm një segment të saj. Ky proces është i ndërlidhur ngushtësisht me migrimin e një pjese të bashkësisë dhe me rrethanat e reja sociolinguistike që ky migrim ka prodhuar. Konkretisht, kemi të bëjmë me një ndryshim të pjesshëm, që prek vetëm atë pjesë të komunitetit që është zhvendosur në një areal tjetër gjuhësor, të ndryshëm prej tij. Si rrjedhojë, ndryshimi ndodh vetëm te ata individë që janë vendosur në mjedisin e ri dhe janë ekspozuar ndaj varietetit dominues. Pjesa tjetër e bashkësisë, e cila në aspektin demografik dhe gjeografik mbetet në arealin autokton, vazhdon ta ruajë dhe ta përdorë varietetin e vet.

Kjo situatë mund të analizohet në kuadër të konceptit të ruajtjes së gjuhës (language maintenance) dhe zhvendosjes gjuhësore (language shift), të cilat përfaqësojnë dy skajet e një procesi kompleks që zakonisht zhvillohet në kontekste migrimi (Fishman, 1991). Kur një grup i caktuar shoqëror migron dhe përballet me një varietet dominant të shumicës, ruajtja e varietetit të origjinës bëhet gjithnjë e më e vështirë, veçanë­risht në mungesë të mekanizmave institucionalë dhe shoqë­rorë për ruajtjen dhe transmetimin e tij te brezi i ri. Në këtë kuptim, zhvendosja gjuhësore e rugovasve të zhvendosur në qytetin e Pejës paraqet një model të qartë të zvetënimit dhe bjerrjes së një varieteti gjuhësor nën ndikimin e faktorëve demografikë, socialë dhe pragmatikë.

Siç është theksuar edhe më parë, ende nuk ekzistojnë para­metra përfundimtarë dhe universalisht që përcaktojnë procesin e vdekjes së gjuhëve. Megjithatë, nga studimet e autorëve: Crystal (2000), Trudgill (1986), Thomson (2021), Labov (1994), Hudson (2002), Tagiamonte (2006), pavarësisht disa dallimeve në qasje, rezulton se faktorët jashtëgjuhësorë, veçanërisht ata demografikë, socialë dhe gjeografikë, janë katalizatorë të rën­dësishëm të ndryshimeve gjuhësore që, në rrethana të caktuara, çojnë drejt zvetënimit dhe në fund drejt vdekjes së gjuhëve. Bjerrja nga përdorimi i varietetit të rugovishtes është proces i ngjashëm dhe i ndikuar po nga faktorë të njëjtë.

Një gjuhë konsiderohet e vdekur kur nuk ka asnjë folës të gjallë (Rugova, 2020, f. 146), ndërsa gjuhët ose dialektet që përdoren ende nga një numër shumë i vogël folësish, kryesisht nga brezat më të vjetër, klasifikohen si të rrezikuara. Në këtë kontekst, parime të ngjashme vlejnë edhe për varietetet e gjuhësore, të cilat, për një arsye ose tjetër, zëvendësohen gradualisht nga varitetet e shumicës. Bazuar në këto kritere, ky studim e rendit rugovishten në grupin e të folmeve seriozisht të rrezikuara për asimilim tiparesh dhe zëvendësim nga një varietet tjetër gjuhësor, nga gegërishtja verilindore. Për këtë proces do të flitet në kapitujt pasues, ku do të prezantohen të dhënat e mbledhura në terren, si dhe rezultatet e analizave përkatëse.

David Crystal (2000) paraqet dy raste konkrete që ilustrojnë dukurinë e vdekjes së gjuhëve. Njëri prej tyre ka të bëjë me gjuhën Kasabe, e folur në rajonin Mambila të Afrikës, ku ai kishte takuar vetëm një banor me emrin Bogon, i cili ende e fliste këtë gjuhë. Duke iu referuar vdekjes së tij, Crystal shkruan: “Më 4 nëntor 1995, Kasabe ekzistonte, më 5 nëntor nuk ekzistonte më”.

Një tjetër rast që përmend Crystal është gjuha Ubuh, e folur në Kaukazin Perëndimor. Ajo konsiderohet e vdekur më 8 tetor 1992, në agim, kur ndërroi jetë Tevfik Esenç, i cili ishte folësi i fundit i saj. Megjithatë, ai thekson se vdekja faktike e këtyre gjuhëve kishte ndodhur shumë më parë, pasi përdorimi i tyre si mjete komunikimi kishte pushuar, përkundër faktit që ekzistonte ende nga një folës i vetëm. Sipas tij, në momentin kur një gjuhë flitet vetëm nga një individ dhe nuk përdoret më në kontekste natyrore komunikimi, ajo tashmë është e vdekur (Crystal, 2000, f. 2).

Nëse u referohemi mësimeve të këtij gjuhëtari, del se një gjuhë e folur nga më pak se 100 folës është në rrezik të madh zhdukjeje. Nga ana tjetër, Michael Krauss shprehet se gjuhët që nuk mësohen më nga fëmijët si gjuhë amtare janë në proces vdekjeje (cit. sipas Labov, 2001).

Ndryshe nga rastet e përmendura të zhdukjes së plotë gjuhësore, situata e rugovishtes nuk përfaqëson ngjashmëri të identike me to, por një proces gradual bjerrjeje dhe zhvendo­sjeje gjuhësore, i cili manifestohet kryesisht në nivel ndër­breznor dhe është i lidhur ngushtësisht me migrimin e folësve.

Thomson e trajton çështjen e zhvendosjes së gjuhëve dhe procesin e vdekjes së tyre ndryshe nga Krauss dhe Crystal. Ky gjuhëtar sjell si shembull latinishten, e cila, megjithëse konsi­derohet një gjuhë e vdekur, një një kuptim vazhdon “të jetojë” nga folësit e saj të dikurshëm përmes gjuhëve pasuese që u zhvilluan prej saj. Sipas tij, lindja e gjuhëve neolatine nga lati­nishtja duhet parë kryesisht si rezultat i një procesi të gjatë të ndryshimit dhe evolucionit gjuhësor, përmes të cilit latinishtja është shndërruar në gjuhë të veçanta. Megjithatë, ai pranon se një ndërprerje e menjëhershme në transmetimin ndërbreznor, pra kur fëmijët papritmas ndalojnë së mësuari gjuhën e prindërve, përbën treguesin më të qartë të vdekjes së një gjuhe (Thomson, 2021, f. 223). Fate të ngjashme kanë edhe varie­tetet që përjetojnë shkëputje të këtilla në transmetimin ndërbrezor.

Bazuar në këto praktika gjuhësore, mund të themi se pas migrimit të banorëve rugovas në qytetin e Pejës dhe rrethinën e saj, e folura e tij ka kaluar nëpër të njëjtat faza që kanë përjetuar edhe gjuhët e veçanta, tashmë të vdekura, si dhe disa varietete gjuhësore të gjuhëve të caktuara. Varietetet, për arsye të ndryshme, kryesisht jashtëgjuhësore, fillimisht kalojnë në procesin e akomodimit gjuhësor dhe, në shumicën e rasteve, përfundojnë me zëvendësim nga varieteti me prestigj. Gjene­rata e parë që nuk e mëson gjuhën e prindërve identifikohet si “hallkë e shkëputur” e transmetimit të gjuhës nga një brez në tjetrin, një proces që në gjuhësi njihet me termin “asimilim gjuhësor”.

Asimilimi gjuhësor i paraprin fazës së zvetënimit dhe bjerrjes së një gjuhe, varieteti ose të folmeje, siç është rasti me të folmen e Rugovës, ndërkohë që varieteti i gegërishtes veri­perëndimore, në të cilin bën pjesë edhe rugovishtja, vazhdon të flitet në hapësirat e saja natyrore në Shqipërinë Veriore dhe në një pjesë të Malit të Zi, në vendbanime si Plava, Gucia, Ulqini dhe deri në Tivar.

E folmja e Rugovës, e cila përbënte një kontinum dialektor të gegërishtes veriperëndimore, pas migrimit masiv të rugovasve në Pejë dhe në fshatrat përreth, ndodhet tashmë në fazën e përfundimtare të përdorimit të saj. Duke u mbështetur në terminologjinë e sociolinguistikës lidhur me ndryshimin gjuhë­sor, mund të thuhet se rugovishtja është përfundimisht e rrezikuar, pasi brezi i ri nuk e ka mësuar dhe, si rrjedhojë, nuk e flet më këtë varietet. Për këtë arsye, kjo e folme mund të cilësohet si varietet i rrezikuar në mënyrë kritike, pasi flitet vetëm nga një numër i vogël folësish të brezit të vjetër, një pjesë e të cilëve janë gjysmëfolës. Coupland thekson se brezi i vjetër përdor varietetin e tij për t’u dhënë kuptim takimeve sociale, prandaj motivimi i rugovasve të këtij brezi për ta ruajtur të folmen lidhet ngushtësisht me funksionin social që ajo vazhdon ta ketë.

Të dhënat nga terreni tregojnë se vetëm brezi i vjetër, veçanërisht pjesëtarët e të cilit jetojnë në fshatra më të largëta nga zonat urbane dhe që përbëjnë shumicën e banorëve në vendbanimet e reja ruajnë varietetin e origjinës, ndonëse me ndikime të shumta nga varietetet vendëse. Dy brezat e tjerë, ai i mesëm dhe i riu, nuk e përdorin më këtë varietet në komu­nikimin e përditshëm. Përjashtim bën një pjesë e gjeneratës së mesme, e cila në situata të caktuara e përdor qëllimisht varie­tetin e të parëve, qoftë për të shprehur identitetin e vet, qoftë për të arritur një formë epërsie në situata të ndryshme të komunikimit.

Në përgjithësi, mund të thuhet se migrimi i rugovasve në Pejë dhe në rrethinën e saj ka ndikuar në mënyrë të ndjeshme në të gjitha aspektet e jetës së këtij komuniteti, përfshirë edhe varietetin e tyre gjuhësor, një komponent thelbësor i identitetit të tyre gjeografik. Prandaj, venitja e varietetit dhe gradualisht zëvendësimi i tij me varietetin vendës mund të shpjegohet edhe si pasojë e linguicidit, i cili pasqyron qëndrimin mohues të vetë folësve ndaj varietetit të origjinës.

Ky ndryshim do të argumentohet me të dhëna konkrete në kapitujt vijues. Argumentet për ndryshimin e varietetit të origji­nës me atë të vendbanimit të ri do të mbështeten në analizën e materialeve të incizuara dhe intervistave të zhvilluara me pjesëtarë të këtij entiteti gjatë tri ekspeditave shkencore të zhvilluara për këtë studim.

Marrë nga nr. 26 i revistës “Akademia”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
ALFRED DE MUSSET Baden, 1 shtator 1834 U bënë tetë…