Të premten në BKK do të përurohet libri studimor i dr. Mehmet Prishtinës
Departamenti i Historisë i Fakultetit Filozofik dhe Fondacioni “Hasan Prishtina”, të premten, më 19.06.2026, me fillim nga ora 12:00, në amfiteatrin e madh të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës do të përurojnë librin “Lëvizja Revolucionare Kombëtare Shqiptare dhe Maqedonase në Rrjetet e Diplomacisë Sovjetike (1922-1928)” të autorit dr. Mehmet Prishtina.
Libri trajton një periudhë të rëndësishme të historisë politike të shqiptarëve dhe të rajonit, duke hedhur dritë mbi raportet, kontaktet dhe ndërveprimet e lëvizjeve revolucionare shqiptare dhe maqedonase me qarqet diplomatike sovjetike gjatë viteve 1922-1928. I mbështetur në burime arkivore dhe dokumente historike, ky studim sjell një kontribut të veçantë në historiografinë shqiptare dhe në studimet mbi marrëdhëniet ndërkombëtare të periudhës ndërmjet dy luftërave botërore.
Në këtë veprimtari do të marrin pjesë studiues, personalitete të jetës akademike e kulturore, si dhe dashamirë të librit dhe historisë kombëtare.




