Një libër që thyen paragjykimet për lëvizjen ilegale duke ndriçuar figurën madhore te Fadil Vatës
Shkruan: Ibrahim Shala
SI LINDI KY LIBËR?
Një libër shumë i veçantë, me qasje po ashtu shumë të veçantë, që është i realizuar përmes bashkëbisedimit të personazheve kryesore, që shprehet edhe në titullin e librit. Harku kohor i bashkëbisedimit që trajtohet në libër, është i përqendruar vetëm në muajt janar-shkurt të vitit 1989.
Që në hyrje të librit autori na bën me dije se bashkëbisedim ishte rrjedhojë e zhvillimeve politike dinamike, të tensionuara dhe dramatike në Kosovë “Në nëntor 1988 minatorët nga Stan Tërgu u nisën të marshonin më këmbë drejt Prishtinës, në mbrojtje të Kosovës. Marshimi rreth 45 km i minatorëve mobilizoi tërë popullin në solidarizim ndaj tyre” (f. 69).
Radhët atdhetare dhe revolucionare që vepronin në Kosovë njoftojnë Degën e LPRK Jashtë Vendit për zhvillimet e shpejta të ngjarjeve që po ndodhnin në Kosovë, ku nuk dihej kahja e zhvillimit të më tejmë. “Edhe udhëheqja e LPRK në atdhe e edhe e Komitetit organizativ (KO) i Marksiste-Leninistëve të Kosovës (OMLK), na kishin shkruar për gjendjen eksploduese dhe kishin kërkuar përforcime me kuadro nga Dega e LPRK jashtë vendit. Kërkesa ishte specifike: dy kuadro me përvojë nga Dega e LPRK që të shkonin në atdhe dhe të ndihmonin edhe në orientimet politike e edhe për t’i konsoliduar radhët e organizuara” (f. 70) Në këtë letër nuk ka vetëm përmbajtje sqaruese, por ka edhe kërkesa konkrete që ishin imponuar nga zhvillimet e rrethanave politike në Kosovë. Kërkesa ishte specifike: dy kuadro me përvojë nga Dega e LPRK që të shkonin në atdhe dhe të ndihmonin edhe në orientimet politike e edhe për t’i konsoliduar radhët e organizuara” (po aty).
Pas analizave dhe vlerësimeve të bëra nga kryesia e Degës së LPRK-së jashtë vendit, të anëtarëve të saj vullnetarë të paraqitur për tu futur nga perëndimi në Kosovë, përzgjedhja bie mbi dy persona: Ali Ahmeti, njëri nga drejtuesit e Degës së LPRK jashtë vendit dhe njohës i shkëlqyer i çështjeve organizative dhe strukturave të ilegales në atdhe, dhe Hajdin Abazi, njëri prej teoricienëve dhe kryeredaktor i organit “Pararoja” të MLK” (f. 70).
Pasi këtyre dy veprimtarëve ju jepen detyrat dhe udhëzimet përfundimtare, pajisen me pasaporta false, dhe me veturën e patriotit të palodhur të kohës Ahmet Haxhiun, më 30 dhjetor 1988 nisen, kalojnë kufirin dhe, duke i rënë për së gjati Jugosllavisë, udhëtojnë për Prishtinë, ku edhe arrijnë pa probleme dhe vendosën në shtëpinë e Ahmet Haxhiut. Pas një pushimi shumë të shkurtër, nga aty i merr veprimtari dhe drejtues i lartë i Lëvizjes Shaban Muja, dhe me makinë i dërgon në bazën e paraparë për dy shokët e lartë që kanë ardhur nga perëndimi, pra nga jashtë vendit. Baza e zgjedhur me kujdes ishte në periferi të Obilit, shtëpia e Sadik e Sevdije Makolli, e cila ishte motra veprimtarit të ilegales Sahit Krasniqi, me pseudonimin Kujtimi. “Ajo shtëpi përdhese, që dukej sikur mbahej me zor, të paktën në janar-shkurt e fillim-mars 1989 u kthye në një epiqendër të veprimtarisë atdhetare dhe të organizimit të rezistencës kombëtare. Dhe pikërisht këtu edhe do t’i zhvilloja bashkëbisedimet me Fadilin dhe Afrimin.” (f. 77). Kjo shtëpi bazë e ilegalëve, për dy muaj u bë qendër e debatit politik, filozofik dhe ideologjik, të një niveli të lartë dhe të rëndësisë së veçantë për çështjen kombëtare.
Libër që thyen paragjykimet për karakterin dogmatik të politikës së LPRK-së
Duke përjashtuar hyrjen, libri është i ndarë në kapituj pak a shumë tematik, të gjithë të titulluar “Bashkëbisedim”, që përshkruajnë bashkëbisedimin si vazhdimësi në kohë, por kapitujt dallojnë nga njëri tjetri nga imponimi i zhvillimit të ngjarjeve në hapësirën e Kosovës, faktor që janë jashtë shtëpisë ku zhvillohet bashkëbisedimi. Autori për librin jep këtë informacion. “Ky libër bën një sprovë të sjellë Fadil Vatën nga një perspektivë tjetër, jo nga ajo kronologjike të veprimtarisë, burgut, organizimit e angazhimit praktik. Po të sjellë një imazh të një udhëheqësi të spikatur, të një lideri, ideologu e vizionari politik – ashtu sikurse e kam njohur unë përmes bashkëbisedimeve që kishim së bashku.” (f. 95). Ky libër dërmon paragjykimet e kundërshtarëve të LPRK-së, konkretisht të pasuesve të titizmit dhe të regjimit autonomist, se gjoja LPRK si organizatë politike nuk ka pasur kapacitete intelektuale, gjoja se ata kanë qenë të mashtruar nga shtete dhe forca misterioze, që kanë pasur për qellim shkatërrimin e sistemit socialist vetëqeverisës dhe raportet e mira të vëllazërim-bashkimit në mes të popujve të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ). Po ashtu ky libër pas shumë vitesh i bënë për t’u ndjerë krenar, të gjithë ata që i kanë njohur personazhet e librit, që kanë bashkëpunuar me ta, që kanë qenë pjesëtarë të lëvizjes politike atdhetare e revolucionare ilegale, patriotët e sotëm dhe dashamirët e shkencës politike dhe të filozofisë.
Debati si veprimtari intelektuale edhe në ilegalitet
Libri sjellë një dritare nga e cila bëhet e mundur të shihet një dimension tjetër i veprimtarëve të LPRK-së, konkretisht nga fusha intelektuale, teorike dhe shkencore. Vetë autori Abazi e jep shumë qartë thelbin e këtyre debateve: “Po, ishin debate teorike, filozofike, politike e vizionare, prej të cilave duhej të dilnin linjat e veprimit të lëvizjes revolucionare e atdhetare për rezistencën kombëtare” (f. 95). Për shkrimin e librit autori nuk përdor burime tjera të shkruara, ai bazohet në fuqinë e kujtimeve të tij për të riprodhuar sa më besnikërisht thelbin e debatit. Duke qenë se, për shkak të veprimit ilegal, nuk janë mbajtur shënime, incizime apo stenogram, autori sqaron se paraqitjet në libër janë “sipas bashkëbisedimit që kam bërë me Fadil Vatën, që këtu prezantohet i mbështetur ekskluzivisht në kujtimet e mia, të atyre temave e preokupimeve që realisht së bashku i kemi shtruar, shqyrtuar, debatuar e shtjelluar” (po aty).. Tema e trajtuar në libër deri më tash ka qenë e panjohur, ka qenë një vakum i mbetur i historisë revolucionare atdhetare, ka qenë kjo pjesë e veprimtarisë së organizuar të LPRK-së që nuk ka qenë e qasshme për të tjerët, sepse ka qenë pronë vetëm e kokës së autorit, prandaj merita është e autorit dhe kujtesës së tij.
Si rezultat i këtij debati dhe bashkëbisedimi të gjatë e të thelluar, formësohet mesazhi qendror që publikohet si devizë e politikës së LPRK-së dhe e veprimtarisë atdhetare e revolucionare: “Konstatonte e përhershme për secilin nga ne në gjithçka që përdornim e shërbeheshim ishin interesat e atdheut, të kombit e të lirisë – ato i kishim busullën më të sigurte dhe të vetmet të orientimit dhe veprimit atdhetar e revolucionar” (f. 73). Kjo devizë merr peshë dhe vlerë, sidomos kur dihet rëndësia e ndjekjes me përkushtim, disiplinë dhe vendosmëri e vijës ideologjike në organizatat revolucionare të majta. Prandaj ky libër është dëshmi që na shpjegon mekanizmin e vendimmarrjes përmes debatit, ku arrihet në pikën kulmore për të formuluar qëndrimin e drejtë e që prezantohet si një devizë (qasje, instrument dhe objektiv) që tejkalon ideologjinë e drejtuesve, që vë në qendër të orientimit dhe veprimit në çfarëdo rrethanash që kalon kombi: evolutive apo të jashtë zakonshme, nën pushtim apo në liri, për atëherë dhe për sot, se: “Atdheu dhe Shqiptaria janë mbi të gjitha”.
Autori e thekson vetë në hyrje të librit, se në përmbajtjen e thelbit të bashkëbisedimit nuk ka bërë ndryshime dhe makijazhe, që përmbajtja të jetë e përshtatshme për klimën politike e ideologjike të ditëve të sotme, 37 vite më pas. “Ato debate, shqyrtime e analiza, ashtu sikurse i kam përmbledhur në këtë bashkëbisedim me Fadil Vatën, përfshirë temat gjithsesi, po edhe nivelin, ngjyrimet ideologjike, bindjet e atëhershme dhe botëkuptimin tonë, as pa i sforcuar po as duke i zbehur ose moderuar, ku spikat Fadili me thellësinë, pjekurinë intelektuale, me shkëndijat e një filozofi që veç kishte ide intriguese në këtë fushë, me formimin tejet të madh politik, ideologjik, atdhetar dhe me karakterin prej lideri jo vetëm si drejtues po edhe si teoricien: analiza, thukshmëria, qartësia, kthjelltësia dhe argumentimet e qëndrueshme e të mbështetura, ku shquhej realizmi, idealizmi po edhe pragmatizmi, konsistenca dhe largpamësia e tij” (f. 96).
Bashkëbisedimi politik dhe filozofik nuk bëhej për hir të teorive politike dhe as debati filozofik për hir të filozofisë, sepse personazhet nuk ishin të mbyllur në kullën e fildishtë, por ata ishin drejtuesit më sakrifikues në ngjarjet plot vlim, ku kërkohej qartësi në veprim, kur situata po përkeqësohej për shqiptarët në Jugosllavi dhe ngjarjet po ndryshonin me shpejtësi të madhe. “Ne kemi biseduar shumë dhe thuaja për çdo gjë, po kjo që kam paraqitur këtu është e fokusuar ekskluzivisht në aspektin politik, organizativ, vizionaritetin, ngjarjet që ishin aktuale, ato që pritej të vinin dhe si i shihnim ne nga perspektiva jonë. Jam mundur maksimalisht të jem realist, duke i përshkruar botëkuptimet tona të asaj kohe, pa iu shmangur aspektit ideologjik, filozofisë marksiste po edhe filozofisë antike dhe Hegelit, të cilat i kishim diskutuar me shumë pasion.” (f. 94).
Në bashkëbisedime fillon debati me qasjen zyrtare ideologjike si orientuese e veprimit në rrethanat e reja sfiduese, por kjo nuk i pengon personazhet të bisedojnë për filozofët dhe filozofinë nga antikitetit deri në kohën moderne, me çka dëshmohet se në LPRK nuk ka dominuar vija dogmatike ideologjike, por debati dhe vendimmarrja kanë pasur një frymë demokratike të brendshme, që i habit të gjithë ata që kanë qenë jashtë saj për kohën që flet libri, por edhe për lexuesit e sotëm të rinj.
Forma e bashkëbisedimit për personazhet e librit nuk është e re, ata atë e njohin nga librat filozofikë, por edhe nga përvoja e tyre në burgje gjatë vuajtjes së dënimeve për veprimtari politike atdhetare, vend ku ata kanë komentuar autorët e librave politikë dhe filozofikë, ku kanë trajtuar në grup problemet e mprehta kohës dhe të ardhmen e çështjes kombëtare shqiptare në ish RSFJ.
Ndryshimi i situatës politike në Kosovë gjatë vitit 1988-1989
Nga qershori i vitit 1988 synimet e nacionalizmit dhe shovinizmit serb kishin dalë hapur me pretendimet karshi Kosovës. Qëllimi i vetëm ishte suprimimi (rrënimi) i statusit të autonomisë së Kosovës dhe kthimin e saj nën Serbi, duke i hequr elementin konstituiv si pjesë e barabartë e Federatës Jugosllave. Re të zeza po silleshin mbi Kosovën, po shkërmoqej “zgjidhja më e mirë çështjes kombëtare e modelit të RSFJ-së”, por edhe po afrohej fundi i paralajmëruar i Federatës Jugosllave si ngrehinë artificiale.
Autori për këtë gjendje kujton shpjegimet e Fadilit që ia thotë që në takimin e parë: “me paralajmërimin e hapur të regjimit shovinist të Beogradit, për suprimimin e autonomisë. I kanë heq maskat, po e thonë troç! Mbase, sepse tash janë forcuar dhe po ndjehen të fuqishëm sa të bëjnë veprime kundër Kushtetutës së vitit 1974 e cila është në fuqi, e që realisht, prek themelin e rendit federativ” – tha Fadili, duke e ndërruar kështu temën e preokupimit dhe të parashtrimit. – “Heqja e autonomisë është një ndërmarrje e pastër antishqiptare. Me një guri, po goditen dy zogj: edhe po e rikolonizon Kosovën me mënyrën e robërisë klasike, edhe po e minon rregullimin federativ kundrejt republikave të tjera” (f. 111)
Për rrethanat e krijuar drejtuesit e LPRK-së e shohin të domosdoshme hartimin e një platforme politike për ngjarjet që po afrohen. Ata konstatojnë se qëndrimi i drejtuesve të autonomisë është zbutur në propagandën kundër lëvizjes ilegale atdhetare. Dhe këta drejtues nuk marrin rolin e spektatorit dhe të kënaqen se si Serbia i godet drejtuesit e autonomisë dhe përmes tyre edhe autonominë e Kosovës. Fadil Vata vazhdon me shpjegimin e gjendjes: “E – ka edhe më. Ne vetë ju kemi ofruar bashkëpunim, por përgjigja e tyre ka qenë “bashkëpunimi më i mirë është që ju të mos e eskaloni gjendjen, sepse këtë e do Serbia – që në emër të luftimit të forcave jo-institucionale – t’u godasë edhe juve e edhe neve si institucione” (f. 113). Pavarësisht qëndrimit të autonomistëve, drejtuesit e LPRK-së pavarësisht e kanë të qartë situatën, dhe janë të vetëdijshëm për atë çka po i afrohet popullit shqiptar të Kosovës, ata nuk rrinë duarkryq sepse e kanë kuptuar situatën drejtë dhe me kohë. Këtë parashikim të hershëm Fadili e shpreh gati në formë poetike: “Po bëhet një veprim në nivel kombëtar, me një shpejtësi krejt të pabesueshme, sa duket sikur i tërë rreziku i shekujve është akumuluar për ta bërë zgjimin e shqiptarëve që të përgatiten për përballje” – sikurse do ta shprehte në bashkëbisedim Fadili” (f. 69). Është dëshmuar gjatë historisë se rreziku i bashkon shqiptarët, por kësaj radhe kërkohej që reagimi mos të jetë i vonshëm dhe i pa koordinuar.
Mbështetja strategjike te demokracitë perëndimore
Rënia e sistemit socialist në Evropën Lindore me në krye BRSS-në dhe më vonë edhe në Shqipëri, nga bashkëbiseduesit është qartësisht e parashikuar, ata konstatojnë ndryshime në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe krijimin e sferave të reja të interesit, po ashtu ata nuk ndihen të shqetësuar me humbjen e frymës ideologjike të majtë. Çështje shumë interesante dhe e thellë, ideologu i LPRK-së, Sekretari Politik i saj lë anash ideologjinë dhe shumë para kohe. Para se të fillonte transicioni politik në Kosovë e Shqipëri, ai me guxim dhe largpamësi, kërkon pa mëdyshje të ndërrohet qasja strategjike duke e fokusuar orientimin politik, në kërkimin e ndihmës nga bota demokratike perëndimore në krye me SHBA-të. “Arsyet janë të shumta, por po i sintetizoj.” – tha Fadili – “Duhet ta vëmë në fokus pikërisht SHBA, sepse ai sot, na pëlqeu apo jo, është vendi lider i krejt Perëndimit e edhe i NATO-s, po me rënien e bllokut sovjetik, do të rritet edhe më ndikimi amerikan. Dhe, le të shprehem me fjalorin e Ismail Qemalit, nëse ne arrijmë ta hapim një derë në Shtëpinë e Bardhë, besoj se liria jonë kombëtare do të bëhet!” (f. 240-241).
Fadili deri diku i beson edhe Evropës Perëndimore, por e din qartë se ajo nuk do të jetë vendimtarja në çështjen shqiptare për të ndihmuar të drejtën e Kosovës, ai 10 vite përpara parashikon se liria e Kosovës do të fitohet me ndihmën e SHBA-ve. Sepse “atë që nuk mundemi ne ta bëjmë dot – e bëjnë SHBA, po qe se Uashingtoni e kthen vëmendjen kah ne, po qe se arrijmë ta bindim se lufta jonë është e drejtë dhe për liri! Dhe kam një mendim se gjeopolitikisht, si e tërë Evropa dhe Ballkani, do të bëhen sferë interesi amerikane.” (f. 241). Me modestinë e një udhëheqësi të madh, dijetari dhe filozofi të vërtetë, të një metodisti shkencor të analizimit të faktorëve dhe rrethanave, njeriu që nuk improvizon dhe nuk i bënë qefin vetit dhe shokëve, pa qenë i bindur se tema ka kaluar nëpër metodat dhe procedurat e tij të verifikimit, ai me lehtësi dhe elokuencë thotë: “Sidoqoftë, këto janë vetëm hamendësime, që nuk është koha për t’i shtruar për diskutim në instancat tona organizative, sepse është shumë herët, dhe ende nuk i kam përpunuar si duhet, për t’i parashtruar” (f. 242).
Duke u bazuar në raportet shoqërore dhe intelektuale shumë të pastra dhe parimore, autori Abazi si gjatë tërë bashkëbisedimit kur vëren thellësinë e mendimit origjinal, se kjo çështje është duke u thënë për herë të parë në këtë mënyrë kaq të thelluar, ndihet i entuziazmuar i lenë hapësirë bashkëbiseduesit për të shtjelluar edhe më thellë temën, me dëshirën për të nxjerrë edhe më shumë në këtë drejtim, me shumë mirësjellje i bënë pyetje orientuese për temat dhe qasjet që për kohën brenda organizatës kanë qenë gati blasfemi. “Po e them. Për shembull, nuk e kemi shtjelluar se a është e drejtë që edhe ne si marksistë-leninistë të kërkojmë mbështetje nga vendet kapitaliste, disa prej të cilave edhe imperialiste!?” (f. 246). Në këtë pyetje Fadili jep përgjigje të pa hamendësuar, që lë përshtypjen se shumë kohë më parë e ka bluar këtë temë në kokën e tij. “Nëse është në të mirë të lirisë së kombit, pa fije dyshimi se është e drejtë” (po aty). Pastaj ai e qartëson qëndrimin ndaj SHBA-ve duke ndarë dhe zhvendosur faktorin ideologjik anash, duke i dhënë rëndësi të vetmes pikë, çështjes kombëtare, çlirimit të Kosovës nga Serbia. “Për më tepër, sikurse e kemi thënë, se ne nuk do t’u kërkojmë mbështetje superfuqive imperialiste për revolucion socialist – sepse as nuk e kemi në rend të ditës e edhe sepse njëmend do të ishte absurde; po ne do t’i kërkojmë në emër të popullit mbështetje për çlirim nga robëria e Serbisë!” (f. 247).
Vetëm rezistenca e armatosur garanton lirinë
Mbrojtja e autonomisë së Kosovës e vitit 1974 ishte një qëndrim taktikë, për të mos lejuar karrocën historike të rrëshqiste prapa, sepse do të vështirësonte pastaj realizimin e statusit të Republikës, dhe për këtë arsye mobilizimi i popullit shqiptar për rezistencë ishte më i shpejtë, sepse po i merrej e drejta që e kishte pasur. Por atdhetarët shqiptarë dhe LPRK-ja – a duhej të ndalej vetëm me kaq? Kurrsesi, jo, sepse Fadil Vata me shokë kishin vizion dhe objektiv të qartë për avancimin e statusit të krahinës në republikë. “Po kaq largpamëse ishte edhe ajo se nëse arrinte Serbia ta suprimonte autonominë, e që ishte e pritshme, atëherë publikisht të braktisej platforma e autonomisë dhe të mos shndërrohej në platformë kërkesa për rikthimin e saj, po përkundrazi – të riaktualizohej e rishtrohej publikisht vetëm platforma për Republikë si zgjidhja e vetme e drejtë brenda Federatës” (f. 198). Autori me shumë qartësi na ka paraqitur fuqinë vizionare të Fadil Vatës për zhvillimet politike në ardhje. Mendimi orientues për të ardhmen nuk ka se si shprehet më qartë, se sa në argumentimin që jep Fadili. “Maksima jonë është e qartë si kristali: rruga jonë është liria” – vazhdoi Fadili, – “e se çfarë forme konkrete do të marrë – pra a do të jetë ndonjë lloj rezistence për shkëputje nga Serbia e mbetje brenda Federatës jugosllave, apo do të shndërrohet në një luftë për çlirim përfundimtar edhe nga Serbia e edhe nga Jugosllavia – këtë nga sot nuk mund ta dimë me saktësi. Ajo që e dimë është se ne jemi të vendosur që të mos nënshtrohemi, të mos heshtim, të mos dorëzohemi, të rezistojmë dhe ta shpiem përpara çështjen e lirisë sonë kombëtare” (f. 322). Nuk ka shumë fjalë, nuk ka shumë teorizime, në situatat e jashtëzakonshme kërkohet mendimi i qartë dhe ai është i formuluar me katër fjalë: “rruga jonë është liria”. Por se si do të arrihet te liria këtu shtrohen temat dhe pikëpamjet për diskutim dhe analizë.
Ardhja e pluralizmit partiak edhe në RSFJ ishte e dukshme dhe si proces i pashmangshëm. Vetëm me rrugë politike dhe protesta paqësore nuk ishte e mundur që të fitohej Republika përderisa ekzistonte Federata, por në rrethana të tjera duhej të kalohej në veprime tjera dhe platformë çlirimtare. “Dhe për aq kohë sa do të jetë ky konstelacion forcash, ne mbetemi në tabanin e rezistencës paqësore, kurse me të ndryshuar pak, minimalisht fare, rrethanat në favorin tonë, ne do t’i rrokim armët – sepse vetëm rezistenca e armatosur do të jetë alternativa e çlirimit nga Serbia” (f. 208). Fadili është i vetëdijshëm se çlirimi nga Serbia nuk mund të vijë vetëm me luftë politike, me sjellje dhe norma demokratike, sepse Serbia nuk ishte demokratike. Është me rëndësi të theksohet se lindja e partive të reja demokratike në pluralizëm dhe organizimi i lëvizjes paqësore legale në Kosovë nuk vlerësohej si rivale politike e as organizim armiqësor, por vetëm si i pa mjaftueshëm për arritjen e lirisë. “Atëherë, lëvizja paqësore është opsioni i diktuar nga kushtet e rrethanat tona, nga relacioni i forcave midis pushtueses Serbi dhe të pushtuarës Kosovë; kjo domethënë se ne nuk duhet t’i mbështesim shpresat dhe besimin ekskluzivisht te ajo, sado të duket e fuqishme dhe masive – sikurse është tash, por duhet ta shfrytëzojmë si formë veprimi në një periudhë deri sa të dobësohet armiku dhe ne të kemi mundësi të organizojmë edhe rezistencën e armatosur” (f. 209).
Bashkëbisedimi për filozofët dhe filozofinë
Të gjithë të burgosurit politik janë në burg për shkak të leximit të shumë librave, që kanë formësuar idetë e tyre kundër regjimit të caktuar për gjendjen e rëndë dhe të padrejtë, apo kundër pushtuesit shekullor. Po ashtu ata edhe si të burgosur politik lexojnë shumë për të ngritur nivelin intelektual, për të qenë drejtues të kompletuar dhe për të vazhduar më tej veprimtarinë kombëtare e revolucionare me bindje dhe siguri më të madhe. Kurse liderët dhe ata që kanë prirje për studime filozofike dhe politike, që shquhen në rolin e ideologëve, lexojnë edhe shumë më shumë se të tjerët. Mungesa e librave për ta, edhe kur ndodhen në vlugun e angazhimeve për liri, është sikur të ngelet peshku pa ujë, në fakt ky do të ishte dënimi më i madh i tyre. “Nganjëherë, kur kështu nuk kam dot gjumë, e jam në ndonjë bazë si sonte, më djeg malli të isha në bibliotekën time e të merrja ndonjë libër për ta lexuar; aq rrafsh më rrok për librat. Beso, kur i mbyll sytë, më shfaqet imazhi i bibliotekës sime dhe më bëhet se më hedhin një shikim pyetës librat, si të më thoshin: “Ç’u bë, na harrove!” Po e ndjej mungesën e leximit, shumë po e ndjejë.” – tha Fadili me një tingëllimë zëri që edhe shprehte një pasion të jashtëzakonshëm për leximin po edhe një keqardhje që nuk mund ta përmbushte këtë” (f. 291-292).
Debati vjen duke u bërë më i ngushtë dhe më akademikë në mes bashkëbiseduesve, sidomos kur kalohet krejtësisht në fushën e filozofisë, kur diskutohet për rëndësinë e saj në ngritjen intelektuale, për më tepër kur ajo merret si pasion dhe veprimtari bashkë. “Filozofia, për mua, është fanari i mendjes, të cilën e bën të shohë në errësirën e të panjohurave në të cilën ndodhemi si njerëz dhe të mund të shquajmë kahet se kah mund të ecet” (f. 156). “Dhe është pikërisht filozofia që më ka bërë ta kuptoj se nëse hyn në politikë ose duhet të hyhet pa orar, me angazhim të tërëkohshëm ose të mos hyhet fare. (f. 157). Fadili shpreh pëlqimin e tij që ka për filozofët dhe filozofinë antike, sigurisht se aty janë vrojtimet e para sistematike të natyrës dhe shoqërisë dhe lindin definicionet e para, që shpjegojnë dukuritë deri atëherë që kishin vetëm shpjegimin e zotave. “Unë jam i fascinuar prej filozofëve të lashtë grekë” – vazhdoi Fadili, -“aaahhh, ata ma kënaqin shpirtin, por, njëkohësisht, në vend se të ma shuajnë, ma shtojnë etjen intelektuale!” (f. 293).
Nuk është e rastësishme që Fadil Vata ka pasur këtë dashuri dhe pasion për studimin e filozofisë, ashtu si nuk ka dyshim se ai këtë pasion e kishte të lindur bashkë me talentin, por ka edhe më tepër. Ai pati fatin që lindi në një shtëpi, që në moshën e adoleshencës pati jo vetëm “një raft me libra” (si shprehet filozofi norvegjez Tomas Hilan Eriksen), por një bibliotekë të tërë me libra të filozofisë, politikës, historisë dhe letërsisë. Këtë bibliotekë e kishte ngritur djali i mixhës 10 vite më i vjetër se Fadili, student i Filozofisë dhe Sociologjisë në Universitetin e Zagrebit Riza Vata, intelektual, veprimtar i çështjes kombëtare dhe i dënuar politik.
Fadil Vata – personalitet i jashtëzakonshëm
Është fatmirësi që autori Hajdin Abazi përmes librit na ka sjellë këtë bashkëbisedim të gjatë politik e filozofik, që trajton shumë çështje të rëndësishme të interesit dhe veprimtarisë kombëtare të kohës. Ai Fadilin na e sjellë të gjallë dhe plotë dinamik, me shpirt shpërthyes dhe të pa lodhur përkundër sëmundjes së keqe që kishte filluar të gërryente në trupin e ti. Autori që në takimin e parë, me përshtypjet e para do të vlerësonte Fadil Vatën si drejtuesin e duhur të LPRK-së. “Aftësia e Fadilit, rezonimi politik, mënyra e reflektimit, vizioni, kapja e shpejtë e koniukturave e zhvillimeve, mendimet mbi veprimet e radhëve të organizuara që duheshin bërë – ma forcuan mendimin se ky duhej të ishte ai që do të ishte në krye të punëve. Ishte mendjemprehtë, largpamës, i përgatitur mirë, i lexueshëm, konkret, i thukët, i drejtpërdrejtë dhe, mbi të gjitha, sintetizues, tipare këto që zakonisht i ka një lider i njëmendtë.” (f. 121). Më tej, autori vazhdon duke bërë vlerësimin e personalitetit të Fadilit, duke na ofruar shumë veti dhe karakteristika, që përbëjnë liderin e vërtetë, ideologun dhe vizionarin e një lëvizje politike kombëtare e çlirimtare. “Ia hodha një shikim, ashtu nëpër errësirën e natës në dhomë dhe e ndjeja veten njëmend të privilegjuar që pata fatin të takoja këtë revolucionar e atdhetar, për të cilin nuk kisha asnjë fije dyshimi se ishte një personalitet i përmasave të figurave kombëtare. Me sa elokuencë dhe thellësi mendimi artikulohej, gjë që më bëri të shquaja tek ai jo vetëm karakterin e liderit dhe vizionarit, por edhe të një teoricieni tashmë të formuar dhe një ideologu kombëtar, si dhe një strateg jashtëzakonisht mendjemprehtë. E pabesueshme dukej se si Fadili të ishte në këtë nivel të lartë intelektual, racionalitet politik dhe kapacitet për të shquar situatat, rrjedhat dhe kahet e veprimeve, krejtësisht i çliruar nga emocioni, urrejtja e ngjyrimet” (f. 149). Autori në vlerësimin e lartë që i bënë personalitetit të Fadilit ka shumë të drejtë sepse është i bazuar mbi merita dhe vlera reale, mbi të gjitha ka bërë një punë të shkëlqyer, që figurën madhështore të tij na e ka ofruar neve shokëve dhe gjeneratave të reja. Jeta dhe veprimtaria e Fadil Vatës, e paraqitur në libër, është shembull se cila është rruga e kalitjes së drejtuesve, strategëve, ideologëve dhe vizionarëve të kombit. Vetëm me njohjen e shëmbëlltyrave jetësore si të Fadil Vatës, brezat e ardhshëm do të dinë të jenë mirënjohës për ata që dhanë jetën për lirinë kombëtare dhe të ndjehen krenar që janë pasardhës të viganëve si Fadil Vata.
Vlera e librit dhe merita e autorit
Në këtë libër autori me mjeshtri të rrallë e sjell Fadil Vatën të gjallë në kulmin e veprimtarisë së tij, dhe kur mbërrin në fletët e fundit të librit të kap një shqetësim emocional, sepse të vjen keq pse nuk vazhdon më tej, pse u ndërpre këtu, pse nuk ka libri fletë më shumë. Ky është libri që e sjellë autori Hajdin Abazi para lexuesit, dhe kush do ta kryente më mire këtë detyrë, kush do ta sqaronte me kaq kompetencë dhe vërtetësi, një temë filozofike, politike dhe ideologjike më mirë se Hajdin Abazi, përgjegjësi i sektorit politik e ideologjik të LPRK-së, kryeredaktori i gazetës “Pararoja”, njeriu kompetent i kohës së ilegales dhe mërgimit, njeriu i shkencës akademike sot.
Autori ka kryer jo vetëm detyrën por edhe më shumë, ka ngritur nivelin e raportit të vlerësimit për njerëzit me kontribut dhe vlera të jashtëzakonshme, që atyre tu jepet merita që kanë pasur çdo herë, që me mendimin filozofik kombëtarë të ndriçojnë dhe edukojnë gjeneratat e reja, që ishte ideali përbashkët i krye personazhit dhe autorit.
Ky libër është kontribut i shumanshëm, sepse ndriçon rrugën dhe kontributin e heroit kombëtar Fadil Vata dhe përmes dialogut të zhvilluar jepen fakte të pamohueshme se LPRK-ja ka pasur koka gjeniale të mendimit politik, dhe ata nuk kanë qenë njerëz të frustruar dhe as të dominuar nga fundamentalizmi ideologjik dhe intoleranca organizative mes organizatave (partive) politike shqiptare. Në përshkrim autori i përmbahet me shumë sinqeritet pikëpamjeve dhe terminologjisë së kohës, sepse dëshiron të na pasqyroj ngjarjen ashtu siç ka qenë, ashtu si është ndier në kohën kur është zhvilluar debati.
Dialogu përshkohet nga një respekt i ndërsjellët në mes të debutuesve, po ashtu në libër nga renditja e dialogjeve dhe hapësira që i jep autori shpjegimeve të Fadilit, shihet respekti i posaçëm i autorit për rrolin udhëheqës të kohës që kishte Fadili si drejtues i organizatës brenda vendit. Përgjatë tërë shkrimit në libër ndihet respekti për heroin dhe shokun që nuk është më, por kjo qasje nuk shkon në dëm të përmbajtjes dhe vërtetësisë së pasqyrimit të bashkëbisedimit.
Po të dëgjohej vetëm zëri i debateve filozofike që bënin personazhet e librit, nuk ka dyshim se do të krijohej përshtypja, se debati vjen nga qarqet akademike dhe sallat e universitetit, në fakt i tërë ky debat akademik për filozofinë, politikën, çlirimin, revolucionin, luftën çlirimtare bëhej në një shtëpi të vogël në periferi të qytezës së Obiliqit, ku të bie në sy habia e parë, si ka mundësi në atë shtëpi të vogël të përqendrohet një kapacitet aq i madh intelektual, i dijes dhe kulturës së debatit, që ia lëmë vetë lexuesi ta vlerësoj dhe përjetoj.
Sikur Hajdin Abazi mos t’i shkruante këto kujtime dhe mos ti publikonte, do të bënte gabim dhe pa drejtësi të madhe që nuk do ti falej në këtë jetë. Ai na ka sjellë situatat me tërë dramacitetin e vet kohës, na ringjallë Fadilin me fuqinë e tij përtej kapacitet njerëzor, kur dihet se në atë kohë kanceri kishte filluar punën vrastare në mushkëritë e tij.
Ka shumë paragjykime për drejtuesit lëvizjes ilegale revolucionare dhe patriotike, për të burgosurit politik, se si munden ata të jenë në majat e mendimit politik shkencor dhe pa qenë kohën më të madhe në sallat e bibliotekave dhe amfiteatrot e fakulteteve? Niveli intelektual i Fadil Vatës, Afrim Zhitisë dhe shumë shokëve të tjerë, dëshmon më së miri faktin se, libri është shumë bujar, ai nuk e zgjedh vendin se ku me ta dhënë dijen, a e lexon në bibliotekë, në katedër të fakultetit, në burg, në shtëpi malore, buzë detit, apo duke ruajtur bagëtinë.
Gjithçka varet nga pasioni i lexuesit, nga idealet e tij dhe objektivat e tij jetësor. Libri nuk qet kushte dhe afate kohore për lexim dhe studim, libri është dituria që pret. Përthithja e diturisë nga librat është edhe më e madhe, kur ajo pas leximit i nënshtrohet debatit në mes shokëve të një ideali. Duke ju falënderuar autorit Hajdin Abazi për librin e shkruar “BASHKEBISEDIM ME FADIL VATËN”, nga sot ndjehemi më mirë dhe më të fuqishëm, më të motivuar se e kemi pranë Fadil Vatën me idetë e tij, me tërë gjallërinë e shfaqjes dhe fuqinë e interpretimit të tyre.
_________________
Ibrahim Shala bashkëveprimtar i afërt i Fadil Vetës, veprimtar i lëvizjes revolucionare e atdhetare, ish i burgosur politik në vitin 1979 dhe i riburgosur në vitin 1985, veteran i UÇK, ka pasur poste të ndryshme drejtuese, 17-vite drejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun të Ministrisë së FSK-së, filozof, sociolog, politolog dhe doktor i shkencave të sigurisë.
Librin “Bashkëbisedim me Fadil Vatën” mund ta gjeni në Librarinë “Dukagjini” në Prishtinë, në sheshin “Nëna Tereza”. Po ashtu, librin mund ta gjeni edhe në redaksinë e gazetës “Epoka e re” në Prishtinë.



