Haradinaj paralajmëron Brukselin për rrezikun ndaj stabilitetit në Ballkan

11 dhjetor 2018 | 12:18

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar Brukselin se duhet të marrë më seriozisht aspiratat e vendit për anëtarësimin në BE për të shmangur mos-stabilitetin e mëtejshëm në Ballkan.

Ai ka akuzuar Serbinë se është duke vepruar në interes të Rusisë për të destabilizuar rajonin.

Në një intervistë me “Financial Times”, Ramush Haradinaj ka fajësuar Serbinë, nga e cila Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, për një ofensivë diplomatike që synon të dëmtoj shtetësinë e kontestuar të vendit të tij.

“Besojmë se Evropa na ka dhënë mundësinë, përkatësisht udhërrëfyesin për t’u bërë anëtarë të BE-së, dhe për këtë jemi falënderues”, ka deklaruar Haradinaj.

Megjithatë, ai vazhdoi duke thënë se udhëheqësit e BE-së nuk i janë përgjigjur në mënyrë adekuate ankesave të Prishtinës ndaj Beogradit.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se përderisa BE-ja vazhdon investimin e fondeve dhe personelit që të normalizoj situatën në Kosovë dhe në rajon, “të gjitha veprimet e Serbisë janë kundër interesave të BE-së për stabilizim të Ballkanit Perëndimor dhe në favor të interesave ruse që të vazhdojnë këtë situatë kaotike në rajonin tonë”.

Komentet e tij vijnë në një kohë të tensioneve të ngritura mes Kosovës dhe Serbisë.
Është vendosur që parlamenti më 14 dhjetor të votojë për krijimin e ushtrisë së rregullt të Kosovës, dhe vazhdojnë të ekzistojnë pasiguritë sa i përket një marrëveshje të mundshme që do të inxhinieronte ndarjen e Kosovës ku disa pjesë të territorit të saj do t’i jepeshin Serbisë.

Muajin e kaluar Kosova vendosi tarifën prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia si kundërpërgjigje ndaj refuzimit të Beogradit që të përkrah anëtarësimin e saj në Interpol.

Haradinaj ka thënë se tarifa do të hiqet vetëm nëse Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Nuk e kemi bërë këtë nga arroganca – por nuk kemi pasur zgjidhje tjetër”, ka thënë ai.

“Për një kohë të gjatë jemi përmbajtur nga vendosja e një mase të tillë por nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër. Taksa do të largohet pas normalizimit të plotë, e normalizimi i plotë nënkupton njohjen”, është shprehur Haradinaj.

Më shumë se 110 shtete e kanë njohur Kosovën, por Serbia, Rusia, Kina dhe pesë anëtar të BE-së nuk e kanë njohur ende. Beogradi gjatë negociatave me krahinën e mëparshme të saj ka insistuar se çfarëdo marrëveshje e mundshme nuk do të përfshij njohjen e shtetësisë.

Haradinaj tha se Serbisë po i lejohet të bëjë një fushat armiqësore kundër Kosovës duke dëmtuar mundësitë e fqinjëve të saj që t’i bashkohen BE-së, ndërsa vet vazhdon me procesin e pranimit.

Shefja e BE-së për politika të jashtme, Federica Mogherini, i ka bërë thirrje Prishtinës që “menjëherë” të revokoj tarifën duke thënë se është në kundërshtim me Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA), ku të gjithë shtetet që aspirojnë integrim në BE nga Ballkani perëndimor janë palë të saj.

Komisionari i BE-së për zgjerim, Johannes Hahn, gjatë këtij muaji vizitoi Beogradin dhe Prishtinën me qëllim që të arrij një kompromis mbi çështjen e tarifës, por asnjëra nga palët nuk ishin të gatshme për këtë.

“Gjatë gjithë këtyre viteve jemi ankuar [tek Komisioni Evropian] për atë që Serbia nuk respekton CEFTA-në, nuk respekton Marrëveshjet e Brukselit, nuk respekton premtimet e tjera të bëra në tryezë të diskutimeve, por ata nuk kanë qenë shumë të përqendruar tek ne”, ka thënë Haradinaj, duke iu referuar marrëveshjeve të arritura mes Prishtina dhe Beogradi që nga vitit 2011 mbi çështjet e mbetura pas luftës 1998-99 në Kosovë.

NATO-ja bombardoi Serbinë për 11 javë me qëllim që të largoj forcat serbe pas operacionit të tyre të pastrimit etnik kundër popullsisë me shumicë shqiptare.

Vendosja e tarifës ndaj mallrave serbe ka ngritur popullaritetin e kryeministrit dhe i ka dhënë Haradinajt një pozitë më të favorshme në debatin me presidentit e shtetit Hashim Thaçin mbi marrëveshjen e mundshme me Beogradin që do të mund të përfshinte dhënien e territorit Serbisë si shkëmbim për një shkallë të njohjes dhe anëtarësimit në OKB.

Haradinaj ka thënë se ideja e ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territorit është “rrezik për rajonin tonë”

Ky plan është përkrahur nga Thaçi, nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe nga një numër i udhëheqësve Evropian.

“Nuk është e kuptimshme që të hyjmë në këtë marrëveshje në mënyrë që Serbia të njohë atë që tashmë është faktike – Kosova ekziston”. “Gjysma e shteteve anëtare të OKB-së e njeh Kosovën”, ka deklaruar Haradinaj.

Vëzhgues të shumtë vënë në dyshim nëse një marrëveshje mund të arrihet duke marrë parasysh tensionet e ngritura.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, të mërkurën tha se nëse Kosova e krijon ushtrinë, atëherë përgjigja ushtarake është “një nga opsionet në tavolinë”.

Shumica dërrmuese e kosovarëve mbështesin idenë e bashkimit me BE.

Por zhgënjimi nga fakti se qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë në vendet e Shengenit pa viza ka shkaktuar pakënaqësi të thellë.

Qytetarët e Kosovës shpresonin që BE-ja të miratojë udhëtimin pa viza para se Rumania të marrë presidencën e BE-së në janar. Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, Hahn tha se është “realiste” që liberalizimi i vizave mund të fillonte në vitin 2020.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Golden State duket se ka kaluar krizën dhe ka korrur…