Gërvalla: Dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë u përdor si armë lufte, drejtësia mbetet obligim i institucioneve
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë sot në konferencën “Së bashku për njohje dhe mbështetje”, të organizuar nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës dhe Agjencia për Barazi Gjinore, me mbështetjen e UN Women, në shënim të 19 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale si Armë Lufte.
Në fjalën e saj, Gërvalla ka thënë se kjo ditë është një moment për të nderuar të gjithë ata që përjetuan dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe për të riafirmuar përkushtimin për drejtësi.
Ajo ka theksuar se dhuna seksuale gjatë luftës ishte një krim i planifikuar dhe u përdor si mjet lufte.
“Dhuna seksuale nuk ishte një pjesë e rastësishme apo rezultat i rastësishëm i luftës. Ajo u përdor si armë lufte. U përdor për të poshtëruar, për të frikësuar dhe për të lënë plagë të thella, të cilat, po të jemi shumë të sinqertë, vazhdojnë të ndihen edhe sot”, ka deklaruar Gërvalla.
Duke folur për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, Gërvalla ka vlerësuar guximin e tyre për ta thyer heshtjen dhe për të kërkuar drejtësi.
“Për shumë vite, mbi këto krime rëndoi heshtja. Prandaj sot nderojmë jo vetëm vuajtjen e të mbijetuarve, por mbi të gjitha guximin e tyre. Guximin për të folur. Guximin për të dëshmuar. Guximin për të kërkuar drejtësi”, ka deklaruar ajo.
Gërvalla ka shprehur mirënjohje për organizatat e shoqërisë civile, profesionistët, aktivistët dhe të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite në mbështetjen e të mbijetuarve, duke veçuar edhe rolin e ish-presidentes Atifete Jahjaga në nxjerrjen e kësaj çështjeje nga heshtja.
Në adresimin e saj, Gërvalla ka thënë se Republika e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë për dokumentimin, hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës.
“Republika e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë për dokumentimin, hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës. Kemi forcuar kapacitetet institucionale, kemi krijuar mekanizma për njohjen dhe mbështetjen e të mbijetuarve dhe kemi mundësuar gjykimin në mungesë për krimet e luftës. Sepse mungesa e bashkëpunimit nga Serbia nuk do të duhet të na bëhet pengesë e përhershme për kërkimin e drejtësisë”, ka pohuar Gërvalla.
Ajo ka ritheksuar se drejtësia për të mbijetuarit mbetet obligim i përditshëm i institucioneve dhe se autorët e këtyre krimeve duhet të përballen me drejtësinë, ndërsa Serbia duhet të mbajë përgjegjësinë që i takon.
Në përfundim, ajo ka përcjellë një mesazh solidariteti për të mbijetuarit.
“Ju jo vetëm që nuk jeni vetëm. Jo vetëm që ne nuk do të harrojmë, jo vetëm që ne nuk do të heshtim. Por nuk do të ndalemi asnjëherë së kërkuari drejtësi. Drejtësi të vërtetë, drejtësi institucionale dhe përgjegjësi për të gjitha krimet e luftës. Guximi juaj është pjesë e historisë, e lirisë sonë dhe e forcës së Republikës së Kosovës”, ka thënë Gërvalla.



