KQZ-ja: Rinumërohen 102 nga 185 vendvotime
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të enjten në mëngjes ka filluar procesi i rinumërimit të 185 vendvotimeve të rregullta, sipas vendimit të marrë më herët nga ky institucion.
Sipas KQZ-së, deri në orën 16:00 të së enjtes janë rinumëruar 102 vendvotime, që përbëjnë më shumë se gjysmën e totalit të paraparë për rinumërim.
Vendvotimet e përfshira në këtë proces janë pjesë e 2 498 vendvotimeve të rregullta ku është zhvilluar votimi më 7 qershor 2026.
Këto 185 vendvotime përbëjnë rreth 7.41 për qind të totalit.
Rinumërimi është shpërndarë në disa komuna, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Pejën, Ferizajn, Mitrovicën e Jugut, si dhe komuna të tjera, sipas vendimit të KQZ-së.
“Numri i vendvotimeve që do të rinumërohen sipas komunave është si në vazhdim: Deçan (4 vendvotime, 8.33 për qind); Gjakovë (10, 6.94 për qind); Gllogoc/Drenas (5, 6.85 për qind); Gjilan (9, 7.09 për qind); Dragash (4, 7.02 për qind); Istog (4, 6.67 për qind); Kaçanik (3, 6.82 për qind); Klinë (5, 8.06 për qind); Fushë Kosovë (5, 8.06 për qind); Kamenicë (3, 6.52 për qind); Mitrovicë e Jugut (7, 7 për qind); Leposaviq (2, 8 për qind); Obiliq (3, 8.82 për qind); Rahovec (5, 6.67 për qind); Pejë (9, 6.67 për qind); Podujevë (7, 6.80 për qind); Prishtinë (18, 6.87 për qind); Prizren (16, 6.90 për qind); Skenderaj (5, 7.04 për qind); Shtime (3, 9.09 për qind); Shtërpcë (2, 11.76 për qind); Suharekë (6, 6.98 për qind); Ferizaj (10, 6.85 për qind); Viti (5, 8.06 për qind); Vushtrri (6, 6.74 për qind); Zubin Potok (2, 13.33 për qind); Zveçan (2, 18.18 për qind); Malishevë (5, 6.94 për qind); Junik (1, 16.67 për qind); Mamushë (1, 20 për qind); Hani i Elezit (1, 9.09 për qind); Graçanicë (3, 9.09 për qind); Ranillug (1, 10 për qind); Partesh (1, 14.29 për qind); Kllokot (2, 25 për qind) dhe Mitrovicë e Veriut (2, 9.52 për qind)”, është thënë në njoftimin e KQZ-së.
Në njoftim është theksuar se ky proces po zhvillohet në bazë të Rregullores Zgjedhore për funksionimin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, e cila i jep KQZ-së të drejtën të urdhërojë rinumërim pas vlerësimit të materialeve zgjedhore.
Sipas KQZ-së, kjo masë kontrolli është ndërmarrë për të adresuar parregullsitë e evidentuara në disa qendra komunale gjatë numërimit të votave dhe për të siguruar saktësi në rezultatet përfundimtare.



