ASK-ja: Rritet qarkullimi në industrinë e Kosovës, rënie e lehtë e punësimit

18 qershor 2026 | 16:24

Qarkullimi në sektorin e industrisë në Kosovë është rritur me 5.49 për qind në prill 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ka bërë me dije Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Sipas Statistikave Afatshkurtra të Industrisë, rritja më e madhe është regjistruar në industrinë nxjerrëse (miniera dhe gurore), me 29.96 për qind.

Pas saj vjen furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 7.08 për qind, furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbeturinave me 5.77 për qind, si dhe industria përpunuese me 4.21 për qind.

Në të njëjtën periudhë, numri i të punësuarve në industri ka shënuar një rënie të lehtë prej 0.13 për qind krahasuar me prillin e vitit 2025.

ASK-ja ka njoftuar gjithashtu se fondi i pagave dhe mëditjeve në sektorin industrial është rritur me 9.62 për qind në baza vjetore.

Rritja më e madhe e pagave është shënuar në industrinë nxjerrëse me 17.62 për qind, ndërsa industria përpunuese me 9.72 për qind.

Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar është rritur me 9.53 për qind, kurse sektori i ujësjellësit dhe menaxhimit të mbeturinave me 6.89 për qind.

Sipas ASK-së, aktiviteti industrial në vend ka vazhduar trendin e rritjes gjatë prillit, i mbështetur kryesisht nga industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese, ndonëse punësimi ka mbetur pothuajse i pandryshuar në raport me vitin e kaluar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të enjten…