Gërvalla: Koha të hiqet dorë nga mentaliteti bllokues për zgjedhjen e presidentit

19 qershor 2026 | 11:12

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Vetëvendosje do të angazhohet për bisedime me partitë opozitare për çështjen e zgjedhjes së presidentit pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, ndërsa ka bërë thirrje për heqjen dorë nga, siç e ka cilësuar ajo, “mentaliteti bllokues”.

Gërvalla është shprehur se zgjedhjet e fundit kanë qenë të panevojshme dhe se tani është koha për diskutime serioze për konstituimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit.

“Edhe në të kaluarën jemi përpjekur edhe me LDK-në dhe me të tjerët ta zgjidhim çështjen e presidentit. Kemi pasur zgjedhje tërësisht të panevojshme, për të cilat u dit që në fillim se nuk do të sillnin ndonjë ndryshim të madh në përbërjen e Kuvendit të ardhshëm. Për besë, është koha të ulemi dhe të diskutojmë seriozisht, si dhe të heqim dorë nga mentaliteti bllokues. Qytetari e ka thënë fjalën e vet; për herë të tretë e ka bërë këtë qartë. Fituesi i këtyre zgjedhjeve tashmë po shihet. Po presim rezultatet zyrtare dhe certifikimin e tyre. Dua të besoj se kjo ishte hera e fundit që shkojmë në zgjedhje të panevojshme dhe, në fakt, jo racionale e jo të kuptueshme për qytetarët”, ka theksuar ajo.

Ajo ka shtuar se hapat e ardhshëm do të diskutohen fillimisht brenda koalicionit, e më pas edhe me partitë opozitare.

“Se cilët do të jenë hapat që do të ndjekim, këtë do ta diskutojmë fillimisht brenda koalicionit, e më pas do të ulemi të bisedojmë edhe me partitë opozitare. Do të jemi sërish të përkushtuar dhe të angazhuar për të gjetur mënyra që t’i qartësojmë çështjet. Nëse do të arrihet zgjidhja apo jo, nuk mund ta paragjykoj sot. Kur hyn në negociata, hyn me vullnetin për të gjetur zgjidhje. Bazuar në deklarimet në media, duket sikur ka gatishmëri. Deklarime të ngjashme kemi pasur edhe pas zgjedhjeve të dhjetorit. Fatkeqësisht, ne jemi të interesuar të diskutojmë me partnerët tanë potencialë pa komunikuar paraprakisht përmes mediave. Rendi e kërkon që të diskutohet drejtpërdrejt me njerëzit, në vend që t’u dërgohen mesazhe përmes mediave. Ne këtë rend do ta respektojmë dhe me seriozitet maksimal do të angazhohemi”, ka deklaruar Gërvalla.

Gërvalla ka vlerësuar se opozita nuk duhet të vendosë kushte para nisjes së negociatave.

“Shikoni, opozita do të bënte mirë të mos vendoste kushte, sepse kushtëzimet janë një parakusht shumë i keq për fillimin e negociatave. Mendoj se qytetari i Republikës së Kosovës është ai që vendos, jo unë, as opozita dhe askush tjetër. Qytetari e ka thënë fjalën e vet dhe ne, si politikanë të përgjegjshëm të vendit tonë, duhet të ulemi dhe të diskutojmë se cilat janë rrugët më të mira. Pasi të kemi diskutuar, natyrisht që do ta informojmë edhe publikun, por hapat e parë bëhen fillimisht, ndërsa hapat informues vijnë më pas”, ka theksuar ajo.

Duke folur për çështjet energjetike dhe bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë, Gërvalla ka bërë me dije se qeveria është duke diskutuar për tema të ndryshme të sigurisë, përfshirë edhe çështjen e gazit amerikan.

“Ne kemi diskutime jo vetëm rreth gazit, por edhe për shumë tema të sigurisë me të gjithë aleatët tanë, jo vetëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë pesë viteve të fundit kemi treguar se me shumë përgjegjësi dhe seriozitet jo vetëm që diskutojmë, por edhe marrim vendime të bazuara në interesin e Republikës së Kosovës”, është shprehur Gërvalla. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha Sipas materialeve të përfshira në dokumentacionin…