Krimet e luftës, Specialja kërkon ndryshime ligjore dhe më shumë bashkëpunim ndërkombëtar
Mungesa e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, korniza e papërshtatshme ligjore dhe vështirësitë në sigurimin e provave vazhdojnë të jenë ndër sfidat kryesore në ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë.
Kështu është thënë në panelin diskutues “Forcimi i kapaciteteve profesionale në ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë”, organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.
Përfaqësues të Prokurorisë Speciale, Odës së Avokatëve të Kosovës dhe shoqërisë civile kanë vlerësuar se, pavarësisht rritjes së numrit të aktakuzave dhe zbatimit të gjykimeve në mungesë, nevojiten reforma të mëtejshme ligjore, trajnime profesionale dhe mekanizma më efikasë për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës.
Udhëheqësi i Departamentit për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale, Ilir Morina, ka deklaruar se institucionet kanë treguar gatishmëri për trajtimin e këtyre rasteve, por përballen me sfida që tejkalojnë mundësitë institucionale.
“Sfidat janë përtej vullnetit institucional. Ne kemi bërë maksimumin brenda kapaciteteve dhe mundësive, qoftë buxhetore apo institucionale. Korniza ligjore aktuale nuk është e mjaftueshme, pasi është e përshtatur më shumë për krimin e organizuar. Ne ende punojmë me ligje të vjetra, përfshirë legjislacionin e ish-Jugosllavisë dhe Kodin e Procedurës, të cilat nuk janë mjaftueshëm të përshtatshme për rastet e krimeve të luftës”, ka thënë Morina.
Ai ka theksuar se një prej pengesave më të mëdha mbetet mungesa e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, veçanërisht me Serbinë dhe vendet ku ndodhen prova apo persona të dyshuar.
“Sfidë shumë e madhe është mungesa e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar. Shumë prova gjenden në Serbi apo jashtë territorit të Kosovës, ndërsa edhe të pandehurit ndodhen jashtë vendit. Gjykimi në mungesë është një mundësi që po përpiqemi ta zbatojmë, por një sfidë mbetet edhe mungesa e një databaze të veçantë për rastet e krimeve të luftës”, ka deklaruar Morina.
Sipas tij, shumë informacione ekzistojnë, por ato janë të shpërndara dhe kërkohet një sistem i organizuar për mbledhjen dhe përdorimin e tyre nga Prokuroria Speciale.
Nga Oda e Avokatëve të Kosovës, Naim Rudari, ka vlerësuar se gjykimi në mungesë është ende një institut i ri në Kosovë dhe kërkon përgatitje të mëtejshme profesionale.
“Gjykimi në mungesë ende kërkon trajnime dhe përgatitje të veçantë, sidomos kur bëhet fjalë për raste të krimeve të luftës. Avokatët duhet ta kuptojnë rolin e tyre në garantimin e drejtësisë dhe funksionimin e sistemit gjyqësor”, ka deklaruar Rudari.
Ai ka shtuar se mungojnë trajnimet e specializuara, veçanërisht nga ekspertë ndërkombëtarë të kësaj fushe.
Ndërsa Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka thënë se trajtimi i krimeve të luftës mbetet një nga sfidat më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë.
“Së bashku me rëndësinë juridike, këto procese kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurimin e drejtësisë për viktimat e luftës, luftimin e mosndëshkimit dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, ka theksuar Alija.
Ai ka shtuar se vitet e fundit janë shënuar zhvillime të rëndësishme në këtë fushë, përfshirë rritjen e numrit të aktakuzave dhe zbatimin e gjykimeve në mungesë.



