PERSONALITETE NGA LUGINA E PRESHEVËS

22 qershor 2026 | 18:19

Lugina e Preshevës, përveçse është pjesë e etnisë shqiptare, është njëkohësisht plagë, dhimbje dhe mallëngjim… Është plagë, sepse ka mbetur atje ku me dëshirë nuk do të donte të mbetej asnjë shqiptar.

Është dhimbje, sepse plaga e pashëruar dhemb – dhemb edhe atëherë kur nuk e pret. Është mallëngjim, sepse nuk mund të shkosh sa herë dëshiron; kufiri qëndron si kob, si mallkim, si një pengesë e pakapërcyeshme…

Çdo personalitet që vjen nga ajo anë për ne merr përmasa të veçanta, deri në shenjtëri. Ata na bëjnë krenarë dhe na rrisin shpresën se një ditë edhe atje do të lindë dielli që do të rrezatojë shqip… Rilindësit tanë të mëdhenj, edhe në rrethana shumë më të rënda, thoshin:

“Lum kush rron Shqipërinë ta shohë zonjë.”

Sot do të themi disa fjalë për një bijë të atyre anëve, të lindur pikërisht në Breznicë të Bujanocit. Në Breznicën e bukur, e cila shtrihet mes Muhovcit dhe Tërnovcit, kanë dalë shumë intelektualë që me punën e tyre kanë dhënë kontribut në të gjitha fushat.

Thuhet se personaliteti i parë nga tërë malësia e Bujanovcit që arriti gradën Doktor ishte Dr. Dali Emërllahu nga Breznica. Gjurmë të thella ka lënë edhe mësuesi Qemal Veseli. Ndërsa sot përmendet shpesh piktori i njohur ndërkombëtarisht, Avni Xhelili.

(Breznica është krenare edhe për anëtarin besnik të NDSH-së, njeriun e afërt me Gjon Sereçin – të famshmin Lam Breznica.)

Bija e Breznicës për të cilën po flasim është Belgizare Hyseni-Kryeziu. Ajo shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Gjilan. Që në bankat e shkollës fillore u dallua për zgjuarsi dhe për prirje artistike në këndim dhe recitim. Në një konkurs të organizuar në Bujanoc, Belgizarja zuri vendin e parë në këndim.

Studimet universitare i përfundoi në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë. Ka përfunduar studimet Master dhe është në fazën përfundimtare për gradën Doktor.

Që nga viti 2000 është pjesë e procesit arsimor, duke punuar si mësuese në Roganë të Dardanës, ku ka dhënë një kontribut të çmuar në edukimin e nxënësve. Krahas punës në arsim, është angazhuar edhe në aktivitete të ndryshme kulturore, si në kuadër të Shoqatës Ndërkombëtare “Toka”, si moderatore në aktivitete kulturore dhe si krijuese në poezi.

Në vitet e fundit, ajo ushtron detyrën e drejtoreshës në shkollën fillore të Roganës, shkollë që mban me krenari emrin e intelektualit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Metush Krasniqi. Të drejtosh një shkollë ku ka drejtuar një figurë e tillë është privilegj që kërkon edhe më shumë përkushtim.

Deri më sot, Belgizare Hyseni-Kryeziu i ka kryer detyrat me përgjegjësi dhe përkushtim, duke fituar respektin dhe autoritetin e nxënësve, kolegëve dhe të gjithë komunitetit.

Breznica është krenare për të gjitha bijat dhe bijtë e saj, kudo që jetojnë dhe punojnë…

“BASHKIMI i hashanisë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njësia Rajonale e Trafikut në Pejë ka njoftuar se më…