Bombarduesit bërthamorë rusë pranë Britanisë, NATO ngre në ajër avionët F-35
NATO ka aktivizuar avionët luftarakë F-35 pasi bombardues strategjikë rusë Tu-160, të njohur nga Aleanca me emrin kodues “Blackjack”, fluturuan pranë krahut verior të Mbretërisë së Bashkuar gjatë një misioni me rreze të gjatë veprimi.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, dy bombarduesit supersonikë zhvilluan një fluturim prej 16 orësh mbi Detin Barenc dhe Detin Norvegjez, në zonën veriore të arkipelagut Shetland, duke kryer edhe furnizim me karburant në ajër mbi ujëra neutrale.
Mediat britanike raportojnë se avionët F-35 të NATO-s u ngritën për të interceptuar dhe monitoruar bombarduesit rusë, të cilët shoqëroheshin nga avionë interceptues MiG-31.
Fluturimi u zhvillua në një moment kur Rusia po zhvillon edhe stërvitje bërthamore në veri të Shetlandit, duke rritur shqetësimet për sigurinë e hapësirës ajrore dhe detare të krahut verior të NATO-s.
Tu-160, i njohur në NATO si “Blackjack”, konsiderohet bombarduesi strategjik supersonik më i madh dhe më i rëndë që ka hyrë ndonjëherë në shërbim operacional.
Avioni është projektuar për të transportuar si raketa lundruese me mbushje bërthamore, ashtu edhe armë konvencionale me rreze të gjatë veprimi, ndërsa mund të mbajë deri në 45 tonë armatime në hapësirat e brendshme të ngarkesës.
Aktiviteti i fundit vjen në një kohë kur NATO ka shtuar monitorimin e aviacionit strategjik rus pranë territorit të vendeve aleate, veçanërisht në rajonin e Arktikut dhe në veriun e Evropës, ku avionët dhe nëndetëset ruse zhvillojnë rregullisht patrullime dhe stërvitje.



