Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit në rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan

25 qershor 2026 | 15:53

Në seancën e së enjtes për rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan, Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar nga gjykata që Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj të shpallen fajtorë dhe të dënohen me masën më të rëndë të paraparë nga ligji, burgim të përjetshëm.

Gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare, prokurorja e rastit, Sahide Gashi, ka deklaruar se provat e administruara gjatë procesit gjyqësor kanë vërtetuar përfshirjen e të akuzuarve në ngjarjen tragjike të 26 nëntorit 2021.

Sipas saj, hetimet, ekspertizat dhe dëshmitë e paraqitura në gjykatë kanë rrëzuar pretendimet e mbrojtjes, duke krijuar, sipas Prokurorisë, një pasqyrë të qartë mbi rrethanat e krimit.

Aktakuza pretendon se Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj kanë vepruar në bashkëpunim për realizimin e sulmit ndaj autobusit që transportonte nxënës në fshatin Gllogjan të Deçanit. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, humbën jetën shoferi i autobusit dhe dy nxënës 17-vjeçarë, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur.

Sipas Prokurorisë, sulmi ishte planifikuar paraprakisht, ndërsa autorët kishin studiuar lëvizjet e autobusit dhe terrenin ku ndodhi ngjarja.

Ndërkohë, Halil Mehmetaj akuzohet se ka nxitur kryerjen e krimit, duke fajësuar vazhdimisht njërën nga viktimat për vetëvrasjen e vajzës së tij në vitin 2020 dhe duke ushqyer motive hakmarrjeje.

Tre të akuzuarit përballen me akuza për vepra të rënda penale, ndërsa procesi gjyqësor po hyn në fazën përfundimtare pas paraqitjes së fjalëve përmbyllëse të palëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas raportimeve të “El Chiringuito TV”, drejtuesit e Atletico Madridit…