ÇFARË PO NDODH NË SHQIPËRI?
– Kryengritja paqësore e popullit, prej popullit, për popullin –
Shkruan: Hajdin Abazi
Ajo që po ndodhë përgjatë tërë qershorit 2026 në Shqipëri ishte krejt e pa parashikueshme ndonëse jo edhe e befasishme. Ishte e pa parashikueshme sepse Shqipëria po ecte drejt hapjes së kapitujve lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE). E megjithatë nuk ishte e befasishme, sepse Shqipëria, duke iu hapur dyert në BE, duhej të sinkronizonte vlerat kombëtare me ato reale perëndimore (të BE-së) për t’i përvetësuar jo vetëm formalisht por edhe përmbajtësisht.
Por kjo nuk po ndodhte, madje në disa drejtime themelore.
Pushtetet në Shqipëri, mbase duke e keqkuptuar demokracinë, që në fillim kishin nisur ta trajtonin atdheun si pronë të pushtetarëve. Çdo arritje, çdo projekt, çdo përparim shoqërohej me korrupsion, abuzim, jo-transparencë. Secila qeveri ka të drejtë të bëjë plane zhvillimore dhe t’i joshë investitorët. Porse jo për gjithçka dhe jo në gjithçka vetëm pse abuzuesit mund të përfitojnë. Jo në zonat mbrojtur, të njohura edhe nga BE-ja. Jo për zonat me rëndësi strategjike. Dhe sidomos jo të tjetërsohen nga shqiptarët dhe të bëhen zona të ndaluara për shqiptarët.
Diçka e këtillë nuk do të mund të ndodhte në vendet e BE-së. Mjafton të sillen ndërmend pretendimet e presidentit Trump, edhe me rrezikun (mbase real) nga rusët, ndaj Grenlandës dhe reagimin e grenlandasve, Danimarkës dhe BE-së. Nuk ishin kundër SHBA-së e as kundër presidentit Trump, por ishin në mbrojtje të sovranitetit me të cilin nuk tolerohet të kthehet në mall tregu. Nuk ka qeveri në vendet e BE-së që do të kishte guximin të prekte në zonat mbrojtura si natyrë e si habitat, e aq më pak në ato strategjike; sidomos jo pa transparencë, sepse do të merrte ndëshkimin e sovranit. Po qe se, për shkak, të ndonjë konstelacioni të jashtëzakonshëm, do të mund të shtrohej në rend dite ndryshimi i ndonjë zone të tillë, atëherë secila qeveri do të bënte një punë të mirëfilltë përgatitore, shpjeguese dhe justifikuese me popullin, me partitë politike, shoqërinë civile, ekspertët përkatës, e pastaj, sipas atij verdikti ose dakordimi, të kërkohej harmonizimi me ligjet e BE-së ose ndërkombëtare, pas këtyre të hidhej në kuvend për miratim, e krejt në fund do t’u jepej drita e gjelbër investitorëve – me një transparencë krejtësisht publike.
Këtej mund të deduktohen dy mendësi si mentalitete në qasjen ndaj atdheut. Mendësia ballkanase e pushtetarëve që atdheun e konsideron si pronë, dhe mendësia perëndimore që atdheun e konsideron si pronë të popullit, të kombit.
Ndonëse vendet evropiane janë kapitaliste por me ligje mjaft demokratike, të cilat në kushtetutat e tyre e kanë ruajtur të pacenueshëm të drejtën e sovranit të atdheut, e ai sovran është populli i atij vendi, kombi, shtetasit. Kjo është një prej vlerave themelore perëndimore qe e ka edhe BE-ja, të cilën të gjitha vendet që synojnë integrimin në to, duhet ta mishërojnë atë si mendësi, si mentalitet, si qasje, politikë, si qeverisje, si kufi që nuk guxon të cenohet. Përndryshe, përvidhet një kundërvlerë, e cila përmban në mënyrë latente një kontradiktë e cila herët a vonë do të shpërfaqet si një diskompatibilitet.
***
Ajo që shprehet fuqishëm këtyre ditëve, kur kryeqyteti shqiptar është gjallëruar si rrallëherë nga protestat dinjitoze paqësore, janë perceptimet e ndryshme, prej të cilave dy janë për t’u marrë në konsideratë.
Perceptimi i pushtetit i cili në vendimet e tij mbështetet mbi bazën e institucioneve legale, të ligjeve në fuqi, të miratuara nga i vetmi organ që ka të drejtë të aprovojë ligje – nga Kuvendi, nga deputetët të cilëve u është deleguar vullneti qytetar. Aty qëndron legjitimiteti. Veprimi institucional. Dhe kjo është një mbështetje e fuqishme, sepse bazohet në rendin ekzistues dhe strukturat shtetërore, ashtu sikurse edhe të gjitha vendet e BE-së.
Dhe është perceptimi qytetar.
Ky perceptim nuk është i njëhershëm, nuk është spontan, as rastësor, as euforik, ani se, po të shihet në detaje, është heterogjen. Është i kultivuar, i krijuar dhe i ushqyer për tri dekada e gjysmë. Në nivel individual, privat, grupor. Nga zemërimi, ndonjëherë kishte shpërthyer në protesta e demonstrata, edhe të përgjakshme, por pa u arritur përmirësimi i asaj që duhej. Ndonëse përpjekjet kishin dështuar, qytetarët, masat e prekura, nuk ishin bindur, nuk kishin ndryshuar mendim. Jo, sepse gjendja nuk ishte korrektuar në raport ndaj tij si individ e edhe si shoqëri. E tash, duket se këto perceptime atomike janë bashkuar, kalibruar, konektuar dhe po bashkërendohen. Dhe ajo që quhet gjenerata Z, gjenerata e internetit, e rrjeteve sociale dhe e teknologjisë së mençur si mjet komunikimi masiv, nuk mund të pushtohet e as të shpartallohet, sepse ajo është sa virtuale aq edhe reale, shfaqet gjithandej dhe arrin te masat pa mund të ndalohet.
E pra, kush ka të drejtë?
Bazuar në ligjet dhe vendimet e Kuvendit e të pushteteve të ndryshme, qeveritë në këto tri dekada e gjysmë kanë krijuar një bazë juridike, në të cilën mbështeten. Është treguar se deputetet, për interesa të kastave partiake në pushtet, mund ta konvertojnë votën e tyre në një mall që shitet shumë shtrenjtë. E shkelin vullnetin që elektorati ua ka bartur për t’i përfaqësuar interesat e tyre, të jenë zëri e tyre. Ky tjetërsim bie ndesh me frymën e Kushtetutës sidomos për Shqipërinë si shtet të shqiptarëve. Këtu është ajo hallka ku shpesh janë kontrabanduar vendimeve në dëm të shtetit e të qytetarëve. Populli ua jepte besimin, një pjesë e mjaftueshme e tyre i dilnin të pabesë
Kështu, një masë e jo e paktë qytetarësh, me qindra-mijëra shqiptarë gjithandej, është vetëdijësuar se ai është sovrani, se shteti është i popullit, se “qeveritë duhet të jenë të popullit, prej popullit e për popullin”, por që për tri dekada e gjysmë po ndodhte e kundërta. Qeveritë po dilnin nga populli, tjetërsoheshin nga populli dhe në vend se për popullin, bëheshin për pushtetarët. Ishte vetëdijësuar se askush përveç atij nuk kishte kush ta kryejë përgjegjësinë kushtetuese ndaj kombit, ndaj lirisë së vet. Ndaj Shqipërisë. Kjo nuk ishte kontrata demokratike e popullit me forcat politike. Kontrata ishte që pushteti të jetë në shërim të qytetarëve e jo të kastave politike abuzuesve.
Në aparencë të dy taborët, të dyja palët, kanë mbështetje të fuqishme në pretendimet e tyre, porse duhet mbajtur parasysh se gjithherë, në instance të fundit, është populli, përkatësisht shtresat më të cenuara e prandaj edhe më të vetëdijshmet që e vulosin të drejtën e vet si sovran. Qeveritë ngrihen e bien, por popujt mbeten. Le të kujtojmë se kur shpërtheu revolta qytetare ndaj rendit socialist në Shqipëri pas katër dekada e gjysmë, ishte numri një i pushtetit, Ramiz Alia, ai i cili e kuptoi se kishte ardhur fundi, pasi që sovrani po i jepte shenja se nuk ishte më ai pushtet i pranueshëm, dhe i hapi udhë ndryshimeve, për të shmangur një luftë civile që do të ishte e përgjakshme e ndryshimi ishte i pandalshëm.
Këtej rrjedhë se nga dy legjitimitetet, ai juridik i manipuluar i pushteteve dhe ai real i sovranit, gjithnjë populli është më legjitim, i cili, pavarësisht kostos, është i pashmangshëm dhe përmbushet. Legjitimiteti i sovranit është i pandryshueshëm, i patjetërsueshëm dhe i patejkalueshëm. Ai ka të drejtën e pacenueshme që të ndryshojë gjithçka që atij i duket e mirë. Dhe pushteti duhet të jetë kurdoherë në shërbim të asaj të mire.
***
Pushtetet në Shqipëri, mbështetur në verdiktin që ua ka dhënë elektorati gjatë zgjedhjeve, ani se shpesh këto ishin kontestuar dhe ishin quajtur të manipuluara, megjithatë ishin pranuar dhe ishin konstituuar legjislaturat e parlamentit dhe qeveritë e ishte zgjedhur presidentët. Në aparencë, juridikisht dukej në rregull, megjithëse po të bëheshin shqyrtime të detajuara me frymën e Kushtetutës do të shquheshin shpërputhje të cilat janë të pashembullta në praktikat perëndimore, e lëre më në raport me drejtësinë e paanshme dhe ashtu sikundër sanksionohet në ligje.
Sjellja e pushtetarëve, fill pas fitores së zgjedhjeve, ishte aq autoritare, që ndonjëherë prekte edhe kufijtë tiranisë.
Sigurisht që qytetarët i shihnin abuzimet me pushtetin e me shtetin, përvetësimet, korrupsionin, nepotizmin enorm, ndonëse nuk e dinin se si procedoheshin ato. Kjo përplotësohej nga përplasjet midis grupacioneve të ndryshme partiake në parlament, ku akuzat e rëndomta kundrejt njëri-tjetri ishin për pasurim përmes abuzimeve me resurset e shtetit. Dhe përgjithësisht, ishin faktike. Por drejtësia, e kapur nga pushteti, ishte e pafuqishme të vepronte.
Qytetarët e dinë fuqinë e pushtetit dhe pasojat e konfrontimit me të, ndaj dhe kishin zgjedhur që pakënaqësitë e tyre t’i artikulonin e t’i sendërtonin përmes votës, që të zgjedhnim deputetët dhe partitë e caktuara, që t’ua delegonin vullnetin e tyre për përmirësimin e gjendjes dhe për ndalimin e abuzimeve me shtetin, atdheun, resurset e buxhetin nga ana e pushtetit.
Dhe jo pak, po tri dekada e gjysmë.
E ç’doli nga kjo?
Pak.
Fare pak, krahasuar me sa mund të bëhej për qytetarët.
Ose krahasuar me atë se sa ishte bërë për kastat politike që ishin majmur me përfitime financiare duke e kthyer politikën në një biznes pasurimi duke vjedhur buxhetin e shtetit, domethënë qytetarët.
Secili pushtetar, sapo ulej në kolltukun e kryeministrit, zëvendëskryeministrit apo të ministrave, projektoheshin objektivat për përvetësimet e tyre që merrnin përmasat e mekanizmave zhvatës thuaja të hapur e pa droje. Nuk ka logjikë që mundet ta shpjegojë me anë të pagës së pushtetarëve dhe deputetëve pasurimin enorm të pushtetarëve dhe të kastave politike të establishmentit në këto tri dekada e gjysmë.
Shpresat shuheshin, pastaj, në kohë zgjedhjesh, ringjalleshin, e fill pas zgjedhjeve pasonte zhgënjimi. Zhgënjim dekadë pas dekade. Këtej buron perceptimi, jo fiktiv po real, se pushtetet, pavarësisht se cila parti fitonte, tjetërsoheshin dhe ktheheshin në mekanizma shfrytëzimi, abuzimi, përvetësimi, korrupsioni e deri edhe te sjellja sikur Shqipëria të ishte pronë private e pushtetarëve.
Çka i mbetej sovranit, popullit, kombit, atdheut?
Pamundësia, nënshtrimi, heshtja, përulja, poshtërimi, nëpërkëmbja, ngulfatja, shtypja, shfrytëzimi.
***
Të ndjerë të dobët ndaj pushtetit në krye të aparatit të dhunës shtetërore që edhe e kishte ndjerë në kurriz të vetin ndonjëherë dhe pangopësisë së politikanëve, qytetarët mbase e keqkuptuan se demokracia e nëpërkëmbte popullin dhe e fuqizonte klasën politike, se atyre nuk u mbetej më perspektivë në atdheun e tyre dhe kërkuan perspektiva të tjera, jashtë atdheut.
Emigrimi u bë një portë ku kërkohej shpëtimi, shpresa, jeta. Vërshuan me qindra-mijëra në të katër anët e botës, nga që atdheu i tyre ishte tëhuajtur për ta, ishte përvetësuar nga klasat politike që rivalizonin për zhvatje personale e të kastave të tyre, e aspak për nevojat e qytetarëve dhe të shtetit.
Në vendet e perëndimit emigrantët shqiptarë gjetën vende pune, të ardhura sipas standardit, siguri sociale, mirëqenie ekzistenciale, dhe u ndjenë të shpëtuar. Ndonëse nuk përjetonin diskriminim, përkundër mikpritjes dhe mirëtrajtimit, nuk gjetën në ato vende një atdhe, nuk gjetën kombin e vet, nuk gjetën rehati shpirtërore. Përkundrazi, u mbeti një zbrazëti e madhe, një vakum, një mungesë, një mall dhe një ndjenjë braktisjeje nga shteti që duhej t’u dilte zot. Ishin peng të dëbimit nga politika. E përpiqeshin me zor ta ruanin identitetin e vet. Veçse ky identitet ishte dobësuar, ishte nëpërkëmbur, ishte njollosur e ishte zvetënuar nga pushtetarët të cilët, ndonëse ndërroheshin, vetëm sa e forconin ndjenjën qytetare të të qenit të huaj në atdheun e vet, dhe e minonin krenarinë e të qenit shqiptar. Atdheun e vet të begatë nga natyra e resurset, ua kishin rrëmbyer kasta e grabitqarëve politikë që po e shtonin pasurinë e vet, ndërkohë që atyre u pamundësohej jetesa në atdhe.
Në vendet perëndimore, pa probleme ekzistenciale dhe me një të ardhme të sigurt të mirëqenies së tyre, mërgimtarët nisën të kuptonin vendet demokracinë ku jetonin, shtetet e ndryshme të BE-së, SHBA-të, Australinë e Kanadanë. Të shquanin mendësinë e tyre. Përse ata popuj ndjeheshin mirë në atdheun e tyre? Përse pushtetet atje i zbatonin ligjet e vendit? Përse njerëzit kishin besim te institucionet shtetërore? Përse partitë politike garonin në zgjedhje me programe zhvillimore dhe përse ato zbatoheshin pas ardhjes në pushtet e nëse jo – jepnin dorëheqje ose i ndëshkonte elektorati? Dhe mbi të gjitha, përse kur qeveritë tentonin të manovronin me shtetin jo në përputhje me ligjet apo Kushtetutën, e që cenonte sado pak atdheun e popullin si sovran – qytetarët reagonin, organizoheshin, protestonin duke shfaqur kundërshtimin e tyre dhe – qeveritë, kur shihnin qëndrueshmërinë e masave, tërhiqeshin, ndaleshin, e anulonin vendimin që e kundërshtonte populli dhe, zakonisht, edhe jepnin dorëheqje. Kjo ishte kontrata reale shoqërore. Politika kishte moral. Pushtetarët kishin ndjenjën e përgjegjësisë.
Kësisoj, kuptuan se në vendet e perëndimit vlerat e pranuara nuk ishin formale, vetëm deklarative, por ishin reale, përmbajtjesore, dhe se atyre u përmbaheshin, përgjithësisht, pushtetarët, institucionet, por edhe qytetarët. Fryma e kushtetutës, të drejtat dhe detyrimet ligjore, e drejta e punësimit, e konkurrimit, e kritikës dhe e protestave – ishin baza e shtetit dhe e pushtetit. E pikërisht kjo ju mungonte në atdheun e tyre.
Kur vinin në atdhe për pushime, me njerëzit e rrethit familjar e shoqëror, tregoheshin këto vlera dhe se si funksiononte shteti e pushteti atje. Kësisoj, natyrshëm, po përhapeshin përvojat e mira perëndimore. Po krijohej perceptimi se si duhej të ishte shteti. Se si duhej të vepronin pushtetarët. Se si duhej dhe kur duhej reaguar qytetarët për të mbrojtur veten e vet, të sotmen dhe të ardhmen.
Ata që kishin ikur nga atdheu për të kërkuar shpresë gjetiu, po ktheheshin si shpresë në atdhe. Nga vendet e perëndimit kishin mësuar se atdheu duhet të duhet jo vetëm me fjalë, po mbi të gjitha me vepra dhe me punë të mira, duke zbatuar ligjet pa përjashtim e me vetë përgjegjësi. Se duhet ndjerë krenari me kombin, jo vetëm në mënyrë folklorike, por edhe si përkatësi dhe për t’i dilte zot atdheut. Kishin mësuar se në perëndim qytetarët nuk rrihnin gjoks, nuk mburreshin e nuk shpërfaqnin trimërinë, por kishin dinjitet dhe ishin vigjilentë ndaj qeverive të tyre dhe reagonin me vendosmëri kur ato kishin tendencë shmangie nga vlerat e pranuara me konsensus nga të gjithë. Shqiptarët kështu mësuan një mendësi tjetër e një mentalitet shtetformues dhe e mposhtën zhgënjimin sepse e kuptuan se nuk i kishte fajet atdheu, as kombi, as shteti, as historia, as kultura, po politika dhe, si rrjedhojë e kësaj, pushteti. Kjo u shndërrua në vetëdije të atyre që e kuptuan.
Këtej u krijua perceptimi i vërtetë se nuk ishte se atdheu ishte stërkequra, nuk ishte se kombi shqiptar ishte metamorfozuar, se shteti ishte kundër sovranit. Jo, ishin kastat politike ato që kishin braktisur interesat reale të kombit.
***
Po qe se shihen zhvillimet aktuale, përgjatë tërë qershorit, krijohet tabloja se Shqipëria është ndarë në dy taborre.
Në njërën anë janë qytetarët, disa qindra-mijëra, që po mbushin sheshet e kryeqytetit, me simbole kombëtare, me flamurët shqiptar, me parulla, kërkesa e fjalime oratorësh të ndryshëm, disa të rastit, disa të aranzhuar. Ajo është Shqipëria reale, është sovrani i cili ka marrë guximin për t’u shfaqur që të ndalë të keqen, sa nuk ka marrë përmasa që nuk mund të zhbëhet më. Ata po e ngrenë zërin që atdheu i tyre të bëhet i tillë si vendet e perëndimit, si ato të BE-së: shtëpia e vetme në botë që është autoktone e shqiptarëve, që u ruajt ndër shekuj e brez pas brezi me sakrifica e flijime të jshtëzakonshme, nga parahistoria e deri në ditët tona, ndonëse i kafshuan atdheun egërsisht pushtuesit fqinj e ata të ardhur nga larg sa që Ballkani dikur ishte siujdhesa Ilirike e tash është tkurrur në më pak se të dhjetën e asaj që e kishte dikur.
Në anën tjetër, pushteti po vazhdon të duket ende komod, të pretendojë se është propaganda, se gjithçka është si duhet në Shqipëri. Porse Parlamenti Evropian theksoi se qeveria shqiptare duhet të heq dorë nga privatizimi i zonave të mbrojtura dhe habitatet e rrlla si ai i flamingove, si problem që prek interesat vitale të vendit. Evropianët e dinë se populli ka të drejtë, se vlerat e deklaruara duhet të praktikohen dhe të zbatohen e jo të mbahen si dekor për t’u strehuar korrupsioni e abuzuesit. Se investimet duhet bërë gjithsesi, por pa mundësuar krijimin e enklavave, të cilat bëhen si plage kancerogjene për shtetin, atdheun dhe ndryshojnë strukturën e sovranit. Për më tepër, pushteti po përpiqet t’ua atribuojë shkaqet inteligjencave të huaja, spiunëve, kolonës së pestë. Natyrisht, këto nuk përjashtohen si mundësi, porse pushteti është dashur të veprojë me kohë ndaj tyre, t’i neutralizojë, shpartallojë. Megjithatë, burimi i vërtetë i pakënaqësisë, është te raporti i tjetërsuar i pushtetit me qytetarët.
***
Kësaj here gjithçka shkrepi në Zvërnec, e flamingot erdhën në sheshet e Tiranës. Në fakt, kjo nuk është aspak e vërtetë, Atje vetëm u bë nisma. Ishte tepër poshtëruese të shihej një qytetar shqiptar të tërhiqet zvarrë nga policia private në një zonë të mbrojtur si natyrë, i cili nuk donte të dëmtonte asgjë po të mbronte atë që ishte shpallur habitat kombëtar; ndërsa policia e shtetit bënte sehir dhe ndalonte qytetarët e jo të neutralizonte policinë private që po cenonte lirinë dhe të drejtën e një qytetari që i dilte zot bukurisë shqiptare.
Kjo e lëndoi krenarinë kombëtare.
Kjo bëri të kuptohej se deri ku mund të shkonte sjellja e privatëve, kur tjetërsohet atdheu!
Mjaftoi kjo, për të prekur sedrën, dinjitetin dhe krenarinë. Dhe u ngjallën shumë pyetje, edhe sa duhet pritur? Kur shitet atdheu, shqiptari trajtohet si invador dhe tërhiqet zvarrë e nesër mund edhe të qëllohet për vdekje!
Mjaft më!
E, çfarë më tutje?
Këtu shfaqet origjinaliteti i popullit, kur ai ndërgjegjësohet për gjendjen e vet dhe për padrejtësitë që i bëhen. Shpejt u kuptua se problemi nuk ishte vetëm Zvërneci, as vetëm në Sazan e gjetiu. Problemi ishte në Tiranë, te pushteti. Atje ishte ndryshuar në vitin 2024 ligji për zonat e mbrojtura, i pa harmonizuar me ligjet e BE-së. Dhe nëse mund të ndryshohej gjendja, ajo nuk mund të bëhej në mënyrë fragmentare askund, jo herë aty e herë këtu, po vetëm në kryeqytet. Atje ishte burimi, atje mund të bëhej ndryshime, për aq sa ai ishte i mundur.
Ndaj dhe njerëzit e revoltuar u nisën për në Tiranë.
Në Tiranë ka pasur shumë protesta, fillonin qetë e ktheheshin në dhunë e përdorim armësh dhe nuk çonin gjëkundi përveç vrasjeve.
Kjo nuk duhej të ndodhte; jo më.
Ndaj dhe protestuesit u identifikuan me flamingot: me bukurinë e tyre, me brishtësinë, me qetësinë dhe me një vizion të qartë.
Të mbronin atdheun.
Shtetin.
Nuk po kundërshtohen arritjet, po abuzimin e kthyer në standard të pushtetit që ua kishte zënë frymën qindra-mijëra shqitparëve.
Të ndalonin të keqen që dukej se ishte kthyer në një bishë që nuk ngopej duke gllabërur buxhetin e shtetit, në emër të gjithfarë interesash, por fare pak të qytetarëve
***
Në Zvërnec u shfaq preteksti; ndjeshmëria ndaj mosrespektimit të bukurisë natyrore të atdheut dhe habitatit të saj estetik.
Në Tiranë po shfaqet shkaku, natyra thellësisht politike. Nëse Shqipëria mund të ndryshojë për të mirë, ajo duhet të vijë nga politika. Dhe politika e brendshme e shtetit është çështje e popullit të Shqipërisë. Këtë e deklaroi edhe Gjermania, edhe BE-ja.
Këtu, shtrohet pyetja: cila politikë mund ta ndryshojë Shqipërinë?
Protestuesit e tregojnë: as e majta në pushtet e as e djathta në opozitë, respektivisht as liderët e tyre tashmë të konsumuar, me politikat e tyre që e kanë shkaktuar zhgënjimin ndër dekada të shqiptarëve. Këta nuk shihen më si alternativa. Kërkohet një perspektivë e re, një qasje e re, një vizion bazuar në vlerat perëndimore, një elitë e re politike që zbaton ligjin.
Shqiptarët nuk aspak janë kundër investimeve që hapin vende të reja pune, që sjellin të mira materiale për shtetin dhe qytetarët e saj e sigurisht duke nënkuptuar edhe fitime për investitorëve; porse jo të tilla që nuk përfiton asgjë buxheti i shtetit, të mos jetë në shërbim të qytetarëve dhe qytetari shqiptar të mos guxojë të sillet aty se tërhiqet zvarrë si alien invador! Jo investime pa transparencë, që nuk i përfillin vlerat autoktone gjeografike, florën e faunën dhe shqiptarët. Jo të tilla, që e bëjnë pushtetin të tolerojë dhunën nga të tjerët ndaj sovranit.
Për investime të tilla, që prekin atë që është vlerë kombëtare, duhet të pyetet populli. Sepse, nëse pushteti nuk i del zot shtetit, në mbrojtje të tij, populli tregon se është zot i atdheut.
Protestuesit në Shqipëri nuk janë rrënues as të shtetit, as të institucioneve e as të arritjeve, jo në frymën e revoltave të viteve të mëparshme. Dihet se kur ka pakënaqësi të grumbulluara, masave shpesh u humbet arsyeja dhe bëhen veprime që nuk duhet. Kësaj radhe, për një muaj të tërë, nuk po eskalon gjendja dhe kjo është një mendësi e re shqiptare, një mentalitet i kualitetit perëndimor, një dashuri e vërtetë për atdheun e për shtetin.
E pra pakënaqësia është fokusuar në një pike: në kontradiktën me pushtetin. Mënyra e qeverisjeve me abuzivitet, me përfitime, me nëpërkëmbje të shqiptarit si të ishte skllav ose qytetar i rendit të dytë, pasurimi enorm pushtetarëve, korrupsioni si kancer në trupin e shtetit e të kombit shqiptar. Kjo kontradiktë është e papajtueshme, thuaja e kthyer në antagonizëm, por ende nuk e ka arritur pikën e vlimit. Nuk do të ketë pajtim me këtë trend politik të privatizimit të pushtetit në kurriz të popullit, ku buxheti konsiderohet si thesar për t’ia ngulur kthetrat e zhvatjes. Shqiptarët janë ndërgjegjësuar, e kanë ringjallur krenarinë kombëtare, e kanë kuptuar fuqinë e vet si popull, ata janë zgjuar. Po duan t’ia kthejnë dinjitetin Shqipërisë, ta bëjnë jo vetëm në makijazh, po edhe në substancë një vend me vlera të njëmendta perëndimore: ku vlerësohet liria, e drejta e qytetarit, ku pushteti është në shërbim të sovranit, të popullit, të atdheut e të shtetit.
***
Për ditë të tëra, 26 ditë radhazi, qindra-mijëra shqiptarë po vazhdojnë protestën paqësore, duke afirmuar vlerat kulturore shqiptare, duke bashkuar shqiptarët e të gjitha trevave kombëtare e nga shtete të ndryshme perëndimore rreth kauzës për një pushtet me qeverisje të mirë e që shtetasve të vet u jep krenari. Ata po duan një ndryshim për së mbari, të mirëfilltë, ku ligji të jetë për t’u zbatuar paanshëm për secilin, ndaj dhe po quhet revolucioni i flamingove, duke përkujtuar shtytjen e parë.
Ky revolucion po merr karakter të mirëfilltë politik. Po shpreh mosbesimin te pushteti aktual dhe te garniturat e konsumuara politikisht. Po kërkon dorëheqjen. Po duan që në pushtet të vijnë njerëz të dëshmuar për përkushtim, po edhe që kanë kontribuar. Dhe Shqipëria ka jo pak të tillë, disa prej të cilëve (si p.sh filozofi i madh Artan Fuga) vazhdimisht kanë shprehur opsione për avancim e përmirësim, por që pushteti i ka mbajtur larg. Korrupsioni, abuziviteti, përvetësimet e paligjshme, zhvatjet janë veprime të organizuara, të sinkronizuara dhe duke shpërfillur ligjet e Kushtetutën. Shkëlqyeshëm që protestat po vazhdojnë paqësisht. Populli nuk ka se çfarë të humb, por mund të fitojë.
Këtë po e shfrytëzojnë kastat e vjetra politike për të manovruar, për të lodhur protestuesit, për t’i përçarë, për t’i etiketuar, për t’i shantazhuar e për t’i dëshpëruar masat e qindra-mijëra shqiptarëve se nuk mund të kalojë vullneti i sovranit. Pushteti nuk do të duhej ta shtynte gjendjen në kufijtë ekstrem. Nuk duhet të detyrohen flamingot të shndërrohen në shqiponja. Një revolucion paqësor do t’u konvenonte të gjithëve, me përjashtim të atyre që janë të zhytur në korrupsion, abuzim e krim. Me të tillët po merret e do të merret SPAK, që i nxori në opinion keqpërdorimet enorme të pushtetarëve; megjithatë, për të gjithë ata që ka fakte për keqpërdorime e pasurim me anë abuzimi të pushtetit, fjalën e vet duhet ta thotë drejtësia ligjore.
Nga ajo sa pa shihet deri më tash, duket se po lypset të vihet në jetë maksima e presidentit amerikan Linkoln, paraqitur në Fjalimin e Gettysburgut më 19 nëntor 1863, për konceptin e demokracisë: “Qeverisje e popullit, nga populli, për popullin”.
Me fjalë të tjera, po kërkohet demokracia substanciale, ajo që popullin, interesin e tij e ka në fokus e jo të kastave zhvatëse.
Epilogu ende nuk dihet, ka rreziqe të shumta, të zvarritet, të minohet, të çoroditet, të venitet.
Pafundësisht nuk mund të vazhdojë kështu.
Ndryshimi është rrënjosur në ndërgjegjen shqiptare, Shqipëria duhet të tregojë kurajën për zgjidhje paqësore.
Sido që të jetë, një gjë dihet.
Kryengritja paqësore e flamingove u bë një lëvizje kombëtare e cila i zgjoi shqiptarët, tregoi se ata kanë ndryshuar mendësinë ndaj shtetit e ndaj pushtetit, se e duan atdheun, se duan ta shohin si vendet e perëndimit në zhvillim e prosperitet, të jenë krenar për të dhe të mos ndjehen të turpëruar në vendet perëndimore ku jetojnë se shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet, se shqiptarët janë me ndërgjegje të korruptuar, po pushteti të jetë në shërbim të atdheut e të qytetarëve e jo në shërbim të kastave që nuk ngopen si ushujzat. Dhe u tregoi zhvatësve se ata nuk mund të sillen ndaj atdheut, kombit e sovranit me mospërfillje. Se pushteti duhet të jetë i popullit, nga populli, për popullin. Qoftë edhe vetëm kjo, është një fitore e madhe qytetare, kulturore, kombëtare. U krijua një filozofi moderne e dashurisë ndaj atdheut, ndaj shtetit ligjor real, ndaj kombit. Jo të shkatërrojnë, po të korrektojnë. Vlerat e njëmendta t’i kthejnë në standarde të vlefshme e të respektueshme. Një filozofi që tregon se shqiptarët dinë të bëjnë kthesën e madhe në interes të kombit, të atdheut e të shtetit.



