Kujtime, shkrime dhe tregime, për ish tribunin e Malësisë së Gjakovës, patriotin, partizanin, deputetin dhe themeluesin e qytetit të Bajram Currit, MEHMET RAMË DOLLAPI

29 qershor 2026 | 17:02

Kujtime, shkrime dhe tregime për ish-tribunin e Malësisë së Gjakovës, patriotin, partizanin, komisarin, komandantin, kryetarin, deputetin dhe themeluesin e qytetit të Bajram Currit, MEHMET RAMË DOLLAPI

Nikë Rexhep Neçaj, lindur në fshatin Peraj të krahinës Nikaj-Mërtur, më 19 gusht 1948. Ka përfunduar Fakultetin Ekonomik në Universitetin Bujqësor të Tiranës në vitin 1976, me rezultate të shkëlqyera dhe Medalje të Artë.

Ka punuar si:

drejtues i ekonomive bujqësore në Tropojë;

drejtor i Bankës Bujqësore në Bajram Curri;

punonjës i Bankës së Përgjithshme Bujqësore të Shqipërisë;

drejtor i Kompanisë së Sigurimeve SIGAL – DRINI, në Pejë, Kosovë.

Në respekt të burrit të shquar dhe të nderuar të Malësisë së Gjakovës, Mehmet Ramë Dollapi.

Medresisti i shkëlqyer që nuk iku si klerik, por si profet Mehmet Ramë Dollapi kishte studiuar me rezultate të shkëlqyera doktrinën islame. Po ta kishte ushtruar këtë profesion, do të ishte predikues i një xhemati të një a dy katundeve, ose, në rastin më të mirë, i një qyteti të vogël, siç ishte Bajram Curri i asaj kohe. Siç duket, Zoti, ose natyra, kishin vendosur se xhemati i një katundi, apo edhe i një qyteti, ishte tepër i vogël për një predikues të tillë. Edhe një besim i vetëm ishte më pak sesa duhej. Të gjitha besimet duhej të dëgjonin predikimet e tij. Por edhe ligjërimet e doktrinës fetare nuk mjaftonin; duhej edhe fryma mobilizuese, organizuese dhe drejtuese e këtij medresisti. Në rininë e Mehmet Ramës, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë, krahinë e Dardanisë), kishte dy besime fetare, ashtu si edhe sot: myslimanë dhe katolikë. Këta të fundit përbënin rreth 22% të popullsisë dhe banonin në më pak se 10% të territorit gjeografik, ose në më pak se 8% të tokës së punueshme. Territori ku banonin, dhe vazhdojnë të banojnë, katolikët ishte më i thyer, me ngastra toke që asnjëra nuk i kalonte tre dynymët. Për shkak të pjerrësisë dhe mureve të larta të tarracave, aty nuk mund të punonte asnjë mjet mekanik. Për rrjedhojë, edhe pse punonin pa u kursyer, ajo mbetej pjesa më e varfër e rrethit, madje edhe e Shqipërisë. Marrëdhëniet mes këtyre dy bashkësive fetare kanë qenë gjithmonë të mira. Asnjëherë nuk ka pasur konflikte mbi baza fetare. Të dyja palët kanë qenë tolerante dhe kanë qëndruar pranë njëra-tjetrës në kohët më të vështira dhe në ato më të mira të historisë së tyre të përbashkët.

Si rrjedhojë, deri në vitet ’40 të shekullit XX, mes këtyre dy besimeve kishte qindra vëllazërime (probatim, vëlla gishti) dhe kumari (marrja e flokëve të fëmijëve të njëri-tjetrit), por shumë rrallë ndodhte ndonjë martesë ndërmjet tyre. Kjo ishte tabloja fetare e Malësisë së Gjakovës kur Mehmet Ramë Dollapi u zgjodh për të drejtuar rrethin. Si njohës dhe përvetësues brilant i doktrinës islame, ai vendosi humanizmin në krye të programit të tij drejtues. E ku kishte në Shqipërinë e asaj kohe popullsi që kërkonte më shumë humanizëm sesa banorët e Malësisë së Gjakovës, e veçanërisht komuniteti katolik i Nikaj-Mërturit dhe fiset e tjera katolike që kufizoheshin me ta? Siç e përmenda më lart, marrëdhëniet mes komuniteteve ishin shumë të mira, por duhej një mendje si ajo e medresistit Mehmet Rama që ato të ngriheshin në një shkallë edhe më të lartë, në nivelin më të lartë të mundshëm, madje edhe në rrafshin kombëtar.

Bëhet fjalë për vitet e para pas çlirimit. Besimtarët myslimanë panë te Mehmet Rama birin e tyre medresist, i cili njerëzit nuk i shihte dhe nuk i vlerësonte sipas përkatësisë fetare. Natyrisht, ata mësuan prej tij. Ndërsa te katolikët, të cilët Mehmet Rama i vlerësoi dhe i mbështeti, myslimanët panë njerëz të punës, të nderit dhe të sakrificës. Gjithnjë e më rrallë u dëgjuan epitete si “kaurr” apo të tjera të ngjashme. Kur katolikët e Nikaj-Mërturit, e jo vetëm ata, panë te Mehmet Rama jo vetëm drejtuesin e ndershëm, vizionar dhe të palodhur të pushtetit, por edhe humanistin e pashoq, krijuan bindjen se njerëzit e mirë u përkasin të gjitha besimeve. Nuk e përdorën më shprehjen “mos ia paçim fenë” për myslimanët, as shprehje të tjera të ngjashme. Në kohën kur drejtoi ky burrë i shquar, nuk pati më vetëm dy a tri martesa mes besimeve të ndryshme, por me qindra. Askush nuk çuditej më nga martesat ndërfetare. Më mirë se kushdo tjetër, Mehmet Rama përcolli mesazhin se besimi është diçka krejt personale. Kur feja u ndalua me ligj, askush nuk e dëgjoi Mehmet Ramën të fyente Krishtin apo Muhamedin. Ai punoi më shumë se kushdo tjetër jo vetëm për tolerancën ndërfetare, por edhe për afrimin dhe integrimin mes besimeve, duke nxjerrë në pah vlerat më të mira të secilit. Pa më të voglin dyshim, falë filozofisë së tij drejtuese, njerëzore dhe humane, sot katolikët e Malësisë së Gjakovës janë ndër katolikët më dashamirës ndaj myslimanëve në Shqipëri. Po kështu, myslimanët e Malësisë së Gjakovës janë ndër myslimanët më dashamirës ndaj katolikëve në trojet shqiptare. Kjo është pasuria më e madhe e kësaj Malësie. Nuk quhet kot “Malësia e Mirë”. Pikërisht për këtë arsye, medresisti i talentuar nuk iku në amshim as si hoxhë e as si frat, por si profet i atij populli të cilit i shërbeu me përkushtim shembullor.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe me personalitetin e Mehmet Ramë Dollapit.

Nëse i referohemi me imtësi veprimtarisë së tij, dallojmë lehtësisht se ideali i Mehmetit ishte filozofia e korifenjve të shqiptarizmit: Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina dhe At Gjergj Fishta.

Në butësinë e shprehjes, në thellësinë e mendimit dhe në qetësinë e veprimit duket sikur janë frymëzuar nga kjo filozofi edhe personalitetet e shquara të Dardanisë, Dr. Ibrahim Rugova dhe Arbër Xhaferi, tashmë edhe këta të ndjerë.

Mehmet Rama, nga dajat e tij, Gjonbalajt e Vuthajve të Plavë-Gucisë, dhe nga trualli ku lindi, Dollapajt e Koçanajt e Krasniqes, mori hijeshinë e shtatit dhe kthjelltësinë e mendjes, atdhedashurinë e pashoqe, bujarinë, fisnikërinë pa hile, forcën dhe trimërinë për mbrojtjen e trojeve kombëtare. Me Mehmet Ramë Dollapin në udhëheqje, Malësia e Gjakovës u bë më e dëgjuar, më e mirë, më tërheqëse, më e zhvilluar dhe më unike. Malësia e meritoi plotësisht udhëheqjen e këtij burri dhe pati fatin ta kishte, si një shembull frymëzimi për këdo që aspiron të bëhet drejtues. Pak nga shumë episode me Burrin e Shquar të Malësisë së Gjakovës, Mehmet Ramë Dollapi.

Episodi i pare – Miqësia e tij me një ish-të burgosur politik

Ishte vera e vitit 1965. Në atë kohë kisha mbaruar vitin e parë të shkollës së mesme “Nazmi Rushiti” në Peshkopi. Xhaxhallarët e mi (Kolë e Mark Ndoc Neçaj) kishin marrë një punë të vogël në magazinën e Grumbullimit në Lekbibaj (disa ndarje me çatma e pastaj suvatimin e tyre). Unë punoja me ta, pasi isha me pushime. Pa pritur, brenda në magazinë, ku ne po punonim, hyri Mehmet Rama, në atë kohë Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të K.P. të rrethit Tropojë, i shoqëruar nga Pal Kolë Progni, Kryetari i Lokalitetit (të cilin administrata e rrethit Tropojë e thërriste me nofkën “Skënderbeu i Nikaj-Mërturit”). Pali e prezantoi me xhaxhallarët e mi, kurse për mua nuk e dinte se i kujt isha, por e kuptoi se kisha të bëja me ta.

– Ky këtu është Mark Ndoci, – foli Pali.

Marku kishte qenë nënkryetar i Lokalitetit e mësues në shkollën e Tetajt, përpara se të bënte pesë vite burg politik.

– E njoh, – foli Mehmeti. – Pavarësisht vuajtjes së dënimit, për mua Marku mbetet një burrë i ndershëm, fisnik e i ditur. E di se ka vuajtur dënimin veçse ka qenë besnik. Kurrë nuk ka prerë kënd në besë. Ai që vuan vetë, pa faj të drejtpërdrejtë, për të mos rënduar shokët e tij me faj, në gjykimin tim ka shumë fisnikëri e burrëri. I tillë është Marku. Burrëria, besa, nderi e karakteri, kur ruhen në kushte të vështira, marrin më shumë vlerë e solemnitet…

Mehmeti iu drejtua Markut dhe i tha: Pavarësisht se si kanë shkuar punët, tek unë do të gjesh Mehmetin që njohe para njëzet e ca vitesh. Koha, kur nuk ecën me të, edhe padrejtësisht të ndëshkon, Mark.

Na përshëndeti dhe doli bashkë me Palin.

Më vonë, jo një herë, por disa herë jam takuar e ndenjur me Mehmetin. Po kështu edhe xhaxhai im, Mark Ndoci.

Për herë të fundit u takua me xhaxhain tim në vitin 1987, në përvjetorin e brigadës vullnetare aksioniste të 108 çikave të Nikaj-Mërturit në Lekbibaj. Bashkë me të ishte ish-komandantja e brigadës së çikave të Nikaj-Mërturit, bija e nderuar e Bytyçit, Rukie Rama. Mehmet Rama, pas takimit solemn me ato çika, të cilat tashmë ishin bërë nëna, mes të tjerëve takoi edhe xhaxhain tim dhe i tha këto fjalë: Respekti për ty, Mark, kurrë nuk m’u mbarua, pavarësisht rrethanave që kalove. Kushtet nuk më lejuan që të shfaqesha në përkrahjen tënde aq sa e ke merituar.

-U jam mirënjohës, Mehmet, – i tha xhaxhai im. – Ja ku e kam nipin, – dhe bëri me dorë nga unë, – pastaj nipat e tjerë, që i ke përkrahur e mbështetur.

-Mark, jeta paska shumë të papritura, paska edhe shumë detyrime për të kryer. Nuk e dimë se në cilin skalion na ka vendosur plotësimi i tyre dhe respektimi i të tjerëve.

-Pa dyshim, ju jeni ndër më të mirët, – i tha Marku.

U përqafuam dhe u ndamë.

Më vonë unë e takova edhe disa herë të tjera. Gjithnjë më pyeti për xhaxhain dhe çdo herë më dha të fala për të.

Episodi i dytë – Mysafirët e vegjël të Mehmet Ramës.

Pranvera e vonë e vitit 1963. Varfëria ishte e madhe për të gjitha familjet e rrethit të Tropojës. Më të varfrit e rrethit, ndoshta edhe të gjithë vendit, ishin ata të Nikaj-Mërturit. Buka atje prodhohej vetëm për 5-6 muaj. Shteti, kundrejt pagesës, siguronte sasinë e drithit me plan mujor (plani niste nga marsi deri në tetor).

Dy fshatarë të mi, në moshën 13-vjeçare, me nga një thes bezeje e pak bukë misri me djathë, në fillim të qershorit, marrin rrugën nga Peraj për B. Curri (6 orë në këmbë), për të tërhequr racionin e drithit të muajit maj. Ja si më ka thënë Lulashi, njëri prej tyre:

“Plani kishte dalë në fund të prillit, por nuk kishim pasë para derisa të dielën e fundit të majit shitëm në pazarin e Shkodrës ca qingja e keca. Magazinieri i drithërave të Grumbullimit, pasi pa shkresën e Komitetit Ekzekutiv të Lokalitetit, që mbante datën 25 prill, na tha:

– Keni ardhë vonë, plani është djegur.

Ne të dy, që ishim në rolin e kryefamiljarëve (!), (unë babain e kisha në aksion në Tiranë, kurse shoku im e kishte të sëmurë në krevat), u stepëm. Në shtëpi kishim lënë miell vetëm për dy ditë.

Të mpirë nga mërzia, shkuam në Komitetin Ekzekutiv, për të takuar Kryetarin Mehmet Rama. Dezhurni na tha se Mehmeti ishte në Tiranë e nuk e dinin se kur kthehej.

Prej andej shkuam në Komitetin e Partisë, kur zyrat po mbylleshin. Takuam njërin nga punonjësit e Partisë, i qamë hallin e ai na tha:

– Shkoni te Kryetari i Komitetit. Kjo është puna e tij.

Të dy ne, fëmijë, me peshën e halleve të familjeve pa bukë, iu vumë prapa njërit nga sekretarët, duke iu lutur që të na bënte derman.

Sekretari, i bezdisur nga ndjekja që po i bënim, duke kërkuar ndihmë për hallin që kishim, me ton qortues e urdhërues, duke bërë me dorë andej nga Komiteti Ekzekutiv, na tha:

– Ikni tani, se nuk merrem unë me këtë punë.

Ndonëse ishim të një moshe, shoku im ishte më i hajthëm dhe më trupvogël. Ishte më pak i durueshëm se unë. Para tonit urdhërues të bashkëfolësit e ndjeu veten pa asnjë shpresë për hallet që kishim dhe nisi të qante me psherëtima, pa zë.

Sekretarit i dolën fëmijët e tij përpara dhe e përqafuan.

– Sot nuk ju solla karamele, pëllumbat e mi, sepse nuk kisha kohë të dilja gjatë ditës.

– Shoku sekretar, prej meje e prej këtij shokut tim, që po qan dhe afërsisht jemi në moshën e fëmijëve tuaj, presin bukën 19 familjarë. Ne dhe ata që na presin duam vetëm bukë, bukë me para.

Sekretari, i zënë si në faj për sa na tha, nuk foli më, por, kokulur, me hap të shpejtuar, i ndjekur nga fëmijët e tij, hyri në shtëpi, duke na lënë me barrën e mjerimit të urisë në sokakun e pashtruar të qytetit.

U endëm disa herë te Komitetet në orarin e pasdites, pastaj te magazinat, por krejt kot. Nata po binte. Ku të flinim?

Një hotel i vogël që ishte nuk kishte vend. Askënd nuk njihnim. Kishim me vete edhe lekët për 140 kg misër, aq sa ishte racioni. Mund të flinim edhe jashtë, por kishim frikë se natën, në gjumë, ndokush mund të na merrte lekët.

Vendosëm të trokisnim derë më derë derisa dikush të na linte brenda.

Një burrë i vjetër na tha se në qytet nuk ju lë kush brenda, pasi shtëpitë i kanë të vogla, por ikni në fshat.

Edhe në fshat trokitëm në disa dyer, por nuk gjetëm vend. Nuk kishin faj. Askush nuk na njihte. Ndoshta dikush na merrte për hajdutë ose belaxhinj.

Në një rast, një djalë më i rritur se ne na foli me përbuzje, ndoshta se rrobat, ndonëse të lara, i kishim të vjetra e me arna.

Pyetëm një grua se si quhej ai katund ku po trokisnim dhe na tregoi se ishim në Koçanaj.

Thirrëm në një shtëpi trekatëshe. Një grua në moshë na hapi derën e na priu për në sobën (odën) e burrave. Në dhomë ishin ndezur një fener dhe një llambë me vajguri.

Gruaja na pyeti se nga ishim e pse kishim dalë. I thashë se jemi nga Lekbibaj (Nikaj-Mërtur) e kemi dalë për të marrë racionin e drithit.

Na pyeti nëse ishim të uritur apo të prisnim darkën me njerëzit e shtëpisë. I thamë se nuk donim të hanim, vetëm të flinim brenda.

Ajo qeshi dhe shokut tim, si më i vogël me trup e më i ndrojtur, i ledhatoi kokën.

– Jo, nano, nuk bën pa darkë. Jeni në shtëpi robi. Mirë se ju ka pru Zoti!

Kujtova se jo vetëm racionin e majit, por të gjitha racionet e drithit të asaj vere i kishim marrë e çuar në shtëpi.

E pyeta se e kujt ishte ajo shtëpi.

– E Zotit dhe e miqve, – m’u përgjigj ajo, pa e hequr dorën nga koka e shokut tim.

Pastaj dera u hap dhe hyri Mehmet Ramë Dollapi, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv. Unë e njihja. E kisha parë disa herë në Lekbibaj e te shkolla në Gjonpepaj.

E ndjeva veten të zënë në faj. Kishim shkuar me lypur strehë te më i madhi i rrethit.

Gruaja që na hapi derën, sikur të ishte nën-daja jonë, ishte nëna e Mehmet Ramës, Havë Ademja, e bija e Adem Gjonbalajt të Vuthajve të Plavë-Gucisë, të asaj krahine me lavdi të madhe në mikpritje, bujari, fisnikëri, trimëri e patriotizëm të lartë kombëtar, nusja e Koçanajve të Krasniqes, me lavdi në të gjitha aspektet burrërore e kombëtare.

Ishim në shtëpinë e Mehmet Ramës. E kush ishim ne?

– Paskemi mysafirë, lokë, – i tha ai nënës së tij.

– Po, janë nga Lekbibaj këta pëllumba, – u gjegj ajo.

Në aksham ai ishte kthyer nga Tirana dhe, pasi kishte ndalur për pak minuta në zyrë, kishte ardhur në shtëpi.

Na pyeti se pse kishim dalë dhe ne i treguam fill e për pe.

– Jo, more djelmosha, nuk janë djegur magazinat e grumbullimit, pra as drithi i caktuar për ju, – na tha ai.

U shtrua sofra. Rreth saj ishim ne të dy, Mehmet Rama dhe i vëllai i tij (Sali Rama).

Mbaj mend darkën, që më shijoi më shumë se çdo darkë princash apo mbretërish, nga mirësia që gjetëm në atë shtëpi prej njerëzve të saj.

Një laknor me lëpjeta, nena të buta, i mestitur me mazë, djathë, vezë të ziera e qumësht me kajmak.

Fjetëm rehat. Sipas traditës, në dhomën e pritjes fjeti edhe vëllai i Mehmetit, në një dyshek në anën tjetër të m’arkzës, ku ishin shtruar dyshekët e ne të dy mysafirëve të palajmëruar.

Kur na doli gjumi, dielli kishte rënë në dritare. Në sobë hyri Mehmet Rama, i përgatitur për të shkuar në punë. Fill pas tij erdhi nëna e tij. Kishte përgatitur mëngjesin për ne: petë misri të sapopjekura me djathë e qumësht.

– Po hamë nga një kafshatë bukë e po dalim së bashku, – na tha ai.

Hëngrëm mëngjesin e në këmbë u nisëm për në qytet bashkë me Kryetarin e Komitetit.

E ktheva kokën pas dy-tri herë. Në heshtje, me thellësinë e shpirtit, disa herë thashë:

“Zoti e bekoftë atë shtëpi dhe njerëzit e saj!”

Më kishte mbetur në mendje thënia e mbrëmshme e nënës së Kryetarit të Komitetit, Mehmet Rama:

“Shtëpia e Zotit dhe e miqve.”

Po, mendova me vete. Vërtet ajo shtëpi ishte shtëpia e Zotit. Kur mysafirët janë fukarenj, siç ishim ne, shtëpia vërtet kthehet dy herë në shtëpi të Zotit, pasi kush ndihmon fukaranë është dy herë shërbëtor i Zotit.

Gjatë rrugës ai na pyeti se sa lekë kishim me vete. Ne i thamë se kishim sa për të blerë 140 kg misër. Veç këtyre, kishim edhe 500 lekë me vete për të paguar një punëtor me kalë, që të na çonte 100-110 kg misër, kurse pjesën tjetër (30-40 kg) do ta ngarkonim në shpinë ne të dy.

– Po në shtëpi, a keni lënë lekë të tjera? – na pyeti Mehmeti.

– Kemi lënë edhe për racionin e muajit qershor, – i thamë ne.

– Në rregull, – foli ai disi i mërzitur.

Kur arritëm në qytet, magazina ishte e hapur. Ai na priu dhe u përshëndet me magazinierin, që na kishte thënë një ditë më parë se plani ishte djegur.

Këta djemtë nuk janë kryefamiljarë, por të dërguarit e tyre. Njërin e kemi në aksion e tjetri është i sëmurë. Kuajt e grumbullimit ku do t’i çoni sot?

Në ato fjalë, në magazinë erdhi shefi i sektorit të transportit. U përshëndet me Kryetarin e magazinierin dhe Mehmet Rama iu drejtua: Brahim, këta dy djemtë janë nga Lekbibaj. Do të marrin 140 kg misër dhe paratë do t’i paguajnë në arkën e grumbullimit këtu. Për 180 kg, që do të marrin më shumë, paratë do t’ia japin punëtorit me tre kuajt që do t’i çoni. Për transportin nuk do të paguajnë asnjë lek, pasi në kthim do të ngarkojnë mallrat e grumbullimit në magazinën e Lekbibajt (vezë, lesh, t’lyen, lëkura, çaj mali e të tjerë…).

Ashtu u bë. Nëna ime ju ka dhënë një kafshatë bukë që ta hani rrugës, – tha ai, duke na zgjatur bukën e mbështjellë me letër reviste.

Një burrë i gjatë prej Geghysenit, me tre kuaj të ngarkuar me misër, dhe ne të dy 13-vjeçarët morëm rrugën drejt Qafës së Kolqit, për të mbërritur në Peraj të Nikajve.

Pa më të voglin dyshim, ne të dy ishim moshatarët më të lumtur të krahinës sonë, pasi na kishte pritur e kishim ngrënë në një sofër me Mehmet Ramën, dhe jo kudo, por në shtëpinë e tij. Na kishin ledhatuar e na kishin hequr mërzinë që sjell të qenët i varfër; na kishte hapur derën, duke e ndarë shtëpinë në dy pjesë: gjysma e jona e gjysma e Zotit.

Episodi i tretë – Porositë e një qarkoreje

Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë (që ishte jabanxhi) më thirri në zyrë dhe më tha se, të nesërmen, do të më merrte me vete mua dhe Mehmet Ramën. Kuptohet se nuk mund ta kundërshtoja.

Disa javë më parë, në një kooperativë bujqësore ishte djegur një stallë me gjithë blegtorinë që kishte brenda. Bariu i tufës që u shkrumbua kishte pasur mikun e tij të arratisur në vitet e para pas çlirimit. Regjimi i asaj kohe këto familje, deri në tre breza, i quante me biografi të keqe. U dyshua se aty kishte punë armiqësore ndaj sistemit socialist. Për bariun ishte hapur çështje penale.

Sekretari i Parë kishte lëshuar një qarkore, në të cilën porositeshin drejtuesit e ekonomive bujqësore që barinjve me biografi të keqe t’u hiqeshin tufat e blegtorisë, pasi “përbënin rrezik për sabotim në ekonomi”.

Kryetari i Kooperativës Bujqësore Lekbibaj nuk kishte marrë asnjë masë për zbatimin e porosive që jepte ajo qarkore. Kjo jo për neglizhencë, por për faktin se nuk gjente barinj të tjerë më të mirë për të bërë zëvendësimin që kërkonte qarkorja.

Sekretari i Parë mosreagimin e kishte marrë si kokëfortësi e bajraktarizëm të kryetarit të kooperativës. Këtë mendim ia kishin pjekur disa aparatçikë e ekstremistë, që donin të tregonin para tij se ishin më të devotshëm. Këtë e bënin edhe për faktin se kryetari i kooperativës nuk e kishte biografinë fort të mirë.

Të nesërmen u bashkuam në zyrën e tij. Mehmet Rama pyeti se me çfarë mendimi do të shkonim.

Sekretari i Parë u përgjigj prerë:

Do të shkojmë fshat më fshat, do ta demaskojmë për moszbatimin e porosive dhe, në fund, do ta shkarkojmë, do ta lëmë pa punë.

Unë heshta. Kisha frikë të flisja.

Mehmet Rama, me qetësi, tha: Shoku sekretar, ai është një djalë i ndershëm e punëtor. Mendoj se nuk bën karshillëk. Me siguri ka një hall ose një gjë që e pengon. Unë mendoj se e njoh mirë atë. Ta dëgjojmë edhe atë dhe njerëzit atje, pastaj të vendosni.

Mehmet Rama, edhe kur u largua nga funksioni i Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të K.P.-së, pyetej dhe gjithnjë i merrej mendimi nga drejtuesit e rrethit.

U nisëm për Lekbibaj. Na prisnin drejtuesit e zonës.

Kur arritëm, Sekretari i Parë iu drejtua kryetarit të kooperativës:

– Si je, bajraktar?

Ai iu përgjigj:

– Ju përshëndes, shoku Sekretar! Unë jam drejtuesi i ekonomisë dhe jo bajraktar.

Pasi u ulëm në zyrë, u hapën blloqet e shënimeve.

– Përse nuk i ke zbatuar porositë e qarkores që ju kam dërguar para disa javësh? – pyeti Sekretari.

Kryetari, nga blloku, nxori një evidencë me 12-13 fletë, me pasqyra të shtypura bukur me makinë shkrimi, që tregonin rezultatet e tri viteve të fundit të të gjithë barinjve të ekonomisë. Na dha nga një kopje secilit dhe vazhdoi:

– Shoku Sekretar, ky bariu i parë ka një tufë dele të laktacionit të parë. Për një dele ka dhënë 45 litra qumësht, pjellshmërinë e tufës e ka 96%, ka dhënë 1,8 kg lesh për krerë dhe qingjat, në shkëputje, i ka dorëzuar me 9 kg peshë për krerë. Ky bari, vërtet, e ka vëllain të arratisur politik në vitin 1947. Unë nuk e fus dot në Parti, pasi edhe vetë nuk jam, por i kam besuar një tufë dhe ka dhënë rendiment.

Ky më poshtë, në shtëpi, ka një organizatë partie (janë 5-6 veta në Parti) dhe për një dele ka dhënë 12 litra qumësht, 0,5 kg lesh, pjellshmërinë e ka 56% dhe pesha e qingjave në shkëputje është 7 kg për krerë. E kështu ka shumë.

Vetëm ky shembull mjaftoi për të na bindur ne të gjithëve.

Sekretari mbylli bllokun, evidencat i palosi dhe i futi në çantën e tij.

Duke dalë nga zyra, ai na tha: Ti e paske mik Mehmetin. Mehmeti asnjëherë nuk gaboi për ato që diskutova me të. Nëse Mehmeti më ka mik mua, unë jam tepër i vlerësuar, – tha kryetari.

Më mirë se çdokush gjendjen në rrethin tonë e njeh përsëri Mehmeti, ndonëse nuk është në hierarkinë e lartë të pushtetit. Ai ishte dhe mbeti një burrë i urtë, i dashur, i ditur, zemërgjerë, fjalëpak, punëmadh e humanist i pashoq në rrethin e Tropojës.

Episodi i katërt – Një shaka me bashkëfshatarin e Mehmet Ramës

Ishte pragvjeshta e vitit 1991. Me shokun tim F…, që ishte diku nga një lagje afër fshatit të Mehmet Ramës, e kishim lënë të pinim kafe. Rrugës takuam edhe Z…, shokun tonë të përbashkët, nga Gashi, dhe e morëm me vete. Ai, me humor, u shpreh:

– Tani u bëmë tre fise në një tavolinë të vogël.

– Po, – i thashë unë.

– Megjithëse ti je njësh me Krasniqen, – vijoi Z…

– Vëllezër jemi, – i thashë.

– Jeni dy herë vëllezër, – vijoi Z…, – një herë se je i Nikajve dhe herën tjetër se je i shkollës së Mehmet Ramës.

– E mirë është filozofia e Mehmet Ramës, – i thashë unë me plot gojën.

– Për rrëpinat e Malësisë ka qenë vërtet i mirë, – foli duke qeshur F…

– Mehmet Rama, – i thashë, – punoi për të gjithë: për të rrafshit e të rrëpinave, për të pasurit e të varfrit… Sa qe në funksione të larta, ai punoi për të gjithë, por nderin ia vlerësuan tamam ata të rrëpirave, siç janë Nikaj-Mërturi, Geghyseni, Shipshani, Dragobia e të tjerë, o zoti F…, sepse ishin të varfër, kurse më pak ia vlerësuat nderin ju, që ishit të rrafshit dhe më të pasur, – theksova unë.

– Mehmeti, – foli F…, – na e mbushi zemrën e Malësisë e rrethinës me katolikë (kaurë), – duke m’u drejtuar mua me një lloj gazi disi të stisur, që mund ta merrje edhe si shaka, edhe si seriozitet. – Ti po bën avokatin e tij, – vazhdoi më tej me po atë gaz të dyfishtë F…

– Jo, – i thashë prerë, – ai kolos i ndritur nuk ka nevojë për avokatinë time dhe as të kujtdo tjetër. Dua t’ju them se, sado ta vlerësojmë ne e shumë të tjerë si ne Mehmet Ramën, ai para Malësisë dhe krejt Veriut mbetet burri, prijësi dhe udhëheqësi më i vlerësuar e më i shquar i këtij rrethi. Ai na e ka rritur neve vlerën para të gjithëve e në të gjitha viset shqiptare. Tani kemi lirinë e fjalës, por kurrë mos ta ngatërrojmë këtë liri me mendësinë e shakanë e anatemimit të njerëzve që na e kanë rritur prestigjin ne si tropojanë e malësorë, se Zoti do të na gjykojë e dënojë.

F… m’u drejtua duke më thënë: Po shaka po bëj, bre burrë.

Edhe për shaka nuk po ta pranoj, – iu përgjigja shkurt, – por, po u përsërit më, atëherë thonë se shakaja është gjysma e së vërtetës dhe kuvendi ynë bëhet ndryshe, – i thashë, – megjithëse kam dijeni që edhe juve, zoti F…, ai burrë i drejtë e i nderuar ju ka bërë jo pak të mira. Prandaj tregohuni pak mirënjohës.

F… e mbylli gojën si i zënë në faj. E pa që gaboi rëndë dhe nuk u ndie më, duke e kaluar bisedën në tema të tjera.

Ky ishte Mehmet Ramë Dollapi, biri i shquar i Tropojës, që tërë jetën e tij punoi me përkushtim në shërbim të popullit të Malësisë së Gjakovës, për çlirimin e tij nga bisha nazifashiste dhe për zhvillimin e kësaj krahine. Vepra e tij do të kujtohet vazhdimisht me respekt të madh nga brezat tanë të ardhshëm!

Nik Neçaj

Tiranë, 28 mars 2024

Përgatitur për botim: Nga: Andy ApolloniNew York, qershor 2026

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar pas vdekjes tragjike…