Kujtime, tregime dhe shkrime, për ish-tribunin e Malësisë së Gjakovës, patriotin, partizanin, deputetin dhe themeluesin e qytetit të Bajram Currit, MEHMET RAMË DOLLAPI

Ibrahim Kadri Malaj.
Agronom i lartë.
Ish drejtor i Ndërmarjes Bujqësore.
Tropojë.
Mehmet Ramë Dollapi, për Malësinë e Gjakovës mbetet një burrë fisnik, patriot, atdhetar, i vendosur dhe trim i pashoq.
E njoh a për herë të parë në fund të vitit 1947, në zyrën e Frontit të rrethit Tropojë. Në këtë kohë unë po përgatisja dokumentat, për të shkuar në shkollën bujqësore “Kajro Karafili”, sot “Harri Fuls”, në Kavajë. Mehmet Rama në zyrë na priti me një afinitet si prindi fëmijët e vet.
Në mes të tjerave ai na porositi:
“ Mësoni djema në shkollë, se është fat i madh për ju që do të bëheni të vlefshëm për popullin tuaj, … për ti shërbye atij në realizimin e ëndrrave shekullore, këtij populli kaq të vuajtur… është fat dhe për familjet tuaja, që bijët e tyre do të shkollohen… “ e shumë kêshilla të tjera, tepër të vlefshme për ne.
Me mbarimin e shkollës së mesme në Kavajë dhe Institutin e Lartë Bujqësor në Kamëz në Tiranë 1966, u emërova agronom në Seksionin e Bujqêsisë në Komitetit Ekzekutiv të K.P. Rrethit. Komiteti në këtë periudhë kishte kryetar Mehmet Ramën. Këtu filloi edhe njohja ime konkrete dhe nga afër me kryetarin Mehmet Rama. Ai ishte njeri me shumë kulturë të gjerë, njohës i problemeve të rrethit dhe në veçanti ai qe i apasionuar pas problemeve të bujqësisë. Në shumë raste që kam shkuar me kryetarin në ekonomitë bujqësore, për të parë ecurinë e punëve, po të gjente argatët tuj prashit, ai zbathte këpucët, i mirte shatin një prashitsi dhe vazhdonte prashitjen e bimëve. Ky veprim i nxiste dhe inkurajonte të gjithë punonjësit e bujqësisë. Edhe në proçeset e tjera në bujqësi, kur kalonim shpesh nëpër ekonomitë bujqësore ai punonte edhe vet si një koperstivist i dalluar. Ja një shembull tjetër që flet shumë se kush ishte Mehmet Rama? Në Ohol të Gashit, një burrë po bëhej gati të vinte një mullar tallë, ndërsa gratë po i jepni atij duajtë e tallës përreth. Kryetari ju drejtua këtij burrit që po vinte tallën:
“…Ma lëshoni mua ju lutem, se do ta ve vet këtë mullar me tallë …“.
Ai u përgjigjë:
”…Jo shoku Kryetar… kjo punë është për mua dhe jo për ju…juve u kemi për punë të tjera…”.
Kryetari i tha me qetësi:
“Edhe ne që drejtojmë rrethin, nga ju puntorët tanë ushqehemi, prandaj unë da ta ve vet këtë mullar me tallë”
Dhe të gjithë sëbashku, nën drejtimin e Mehmet Ramës e vumë shpejt mullarin e tallës, ku ai punoi gati më shumë se ne të tjerët.
Raste të tilla mbresëlënëse të Mehmet Ramës janë të pafundme nëpër ekonomitë bujqësore dhe ndërmarjet ekonomike të rrethit të Tropojës.
Kryetari Mehmet Rama qe i lidhur shumë me popullit dhe i respektonte tepër njerëzit e punës e sidomos puntorēt, por edhe ata e donin dhe e nderonin pa masë këtë drejtues të tyre, që nuk e kishte shokun.
Në rastet kur Mehmet Rama merrte pjesë në ndonjë gëzim familjar, apo në festat e ndryshme, kur e ftonin pjesëmarrësit për të hyrë në lojë e kapuçave, ai me thjeshtësinë më të madhe, nuk i refuzonte dhe me kujdes hynte në këtë lojë, sa për tu bërë qefin lojtarëve, por përsëri i ruante të paprekura cilësitë e tij prej një drejtuesi popullor e burrë shteti të lartë.
Mehmet Rama drejtoi për një kohë të gjatë organet më të larta të rrethit dhe gjatë gjithë kësaj periudhe, askush nuk ka parë, apo dëgjuar ndonjë rast, që ky kuodër i lartë të jetë nxehur, të ketë ofenduar, apo fyer njeri, sepse ai ishte tepër i kulturuar, mjaft i ndershëm dhe shumë i dashur e i komunikueshëm me popullin. Ai qe mjaft i prekshëm e human dhe i dhimbte zemra për ata njerëz që vuanin nga ana ekonomike, apo shëndetsore, për të cilët ai gjente forma e mundësi të ndryshme, dhe i ndihmonte ata vazhdimisht.
Në zonën e Nikaj-Mërturit ku shumë familje vuanin për bukë, sepse i mungonte toka, ishte pikërisht Mehmet Ramë Dollapi, ai që bëri të gjitha përpjekjet dhe arriti që me anë të Reformës Agrare ti ndihmoj njerëzit e kësaj treve, duke i prurë edhe një pjesë të tyre me banim në luginën e Malësisë së Gjakovës, si në Cërrnicë, Llugaj, Bajram Curri e tjerë.
Mehmet Rama edhe pas daljes në pension nuk e pushoi kurrë aktivitetin e tij në të mirë të shoqërisë e krahinës tonë të Malësisë së Gjakovës.
Atë e gjeje kudo e në çdo kohë nëpër fshatrat më të thella të Tropojës, duke dhënë maksimumin e mundshëm të kontributit të tij modest, deri në fund të jetës së tij, si askush drejtues tjetër i këtij rrethi.
Malësia e Gjakovës do ta kujtoj vazhdimisht me respekt të madh nëpër breza Mehmet Ramë Dollapin dhe historia e kësaj krahine do ti kushtoj një vend nderi këtij personaliteti mjaft të shquar të rrethit tonë dhe gjithë Shqipërisë.
Brahim Kadri Malaj
Bajram Curri
03 Tetor 2o14



