Mehmet Ramë Dollapin e kishte falur Zoti një engjëll hyjnor të shenjtë

27 korrik 2026 | 19:10

Kujtime, tregime dhe shkrime, për ish tribunin e Malësisë së Gjakovës, patriotin, partizanin, deputetin dhe themeluesin e qytetit të Bajram Currit, MEHMET RAMË DOLLAPI.

Bajram Hazir Haxhijaj

(1944- 07 June 2017)
Papaj Tropojë.
Larguar nga Shqipëria më 4 dhjetor 1970. Banues në Bronx, New York USA.

Në mendjen time kanë ngelur përgjithëmonë të freskēta disa kujtime, për burrin e ndritur të Malësisë së Gjakovës e pse jo dhe i gjithë Shqipërisë e kombit tonë.
E kam për nder të përmend dhe të shkruaj disa fjalë për cilësitë, virtytet, apo për ngjarje nga jeta, puna dhe veprimtaria e madhe e këtij kuadri kryesor të rrethit tonë, të cilin Populli i Tropojës e donte dhe e respektonte pa masë.
Të flasësh për Mehmet Ramë Dollapin e fshatit Koçanaj, ish partizanin e orëve të para, drejtuesin e luftës, Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të KP dhe Sekretarin I-rë të Komiteti Partisë të Rrethit Tropojë duhen ditë dhe javë të tëra, por unë do të ndalem duke treguar tre ngjarje, që flasin për madhështinë e këtij burri, kuadri dhe drejtuesi popullor të pashoq.
1.
Ishte muaj gusht i vitit 1960-të.
Vera kishte marë tepër e nxehtë, saqë nuk mbahej mend kurrë, që të kish ndodhur një vapë e tillë në këtë krahinë, në zemër të maleve.
Papritur ra një zjarr në katundin Sopot, ku u dogjë shtëpia e fshatarit Jakup Hoxhaj. Rastësisht atë ditë, u ndodha edhe unë prezent në një moment të till tepër të rëndë që kaloi ajo familje.
Nuk shkoi shumë dhe në këtë ngjarje mbriti menjëherë edhe Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të KP Rrethit Mehmet Ramë Dollapi, duke sfiduar edhe zjarrfiksat e policinë, të cilat si zakonisht shkonin me vonesë nëpër vendngjarje të tilla.
Fatkeqësisht, shtëpia e këtij burri të mirë u dogjë plotsisht dhe nuk mbeti asnjë gjë prej saj . Të gjithë pjestarët e kësaj familje dhe sidomos fëmijët qanin me të madhe, pasi kishim mbetur jashtë në qiell të hapur e mëshirë të fatit, në prag të asaj vjeshte.
E kujtoj si tani atë çast tepër mbresëlënës kur mbriti Mehmet Rama, ky burrë hyjnor, i thjeshtë e i dashur, që dukej i lodhur nga rruga e nxitimi dhe shumë i shqetsuar nga kjo fatkeqësi, i cili tha:
“…A kanë shpëtuar njerëzit e familjes, a kemi ndonjë dëmtim në fëmijë, apo persona të tjerë…?.
Jo shoku Mehmet, nuk kemi asnjë dëntim, iu përgjigjëm me një zë të gjithë ne të pranishmit.
Mehmet Rama u çel në fytyrē, qeshi pak duke vënë buzën në gaz dhe pa u zgjatur u shpesh:
“…Shumë mirë, shumë bukur që na kanë shpëtuar fëmijët, djemtë e çikat, kjo është shumë rëndësishme për ne të gjithë, sepse çdo gjë tjetër rregullohet shpejt …”.
Fëmijët e tronditur nga flakët e zjarrit vazhdonin ende të qanin dhe disa vajza pak më të rritura thoshin se tani nuk kemi ku të shkojmë, duke i prekur edhe më shumë të pranishmit me vajin e tyre.
Mehmet Rama, ky tribun popullor e kuadër i rrallë, që se kish shokun në këtë rreth, i shqetësuar tej mase nga këta vogëlush, menjëherë në prezence të popullit, thirri Kryetarin e Këshillit Popullor të fshatit dhe i tha:
“…shoku Kryetar i Këshillit, urdhëroj menjëherë, qysh tani, që të bëhet gati kërkesa pranë Komitetit Ekzekutiv të KP rrethit për shpërblimin e familjes së Jakup Hoxhës, për ta ndihmuar urgjent me të holla(lekë) …”.
Pa mbaruar fjalën me kuadrot dhe drejtuesit e koperativës dhe të këtij fshati, Mehmet Rama, duke parë Jakup Hoxhën të zotin e shtëpisë mjaft të pikëlluar e dëshpëruar, ju afrua ngadalë, duke i rrahur shpatullat dhe i tha me za të lartë:
“…Mos u mërzit fare o Jakup Hoxha, se kur të bëhen 10 ditë kam me ti pru specialistët dhe në ditën e 11-të, ti do të jesh brenda në shtëpi të re, me të bukur, më të fortë e më të madhe se e ke patur të parën dhe unë do të vij ta pi kafen në odën tënde sëbashku me shokët e mi…”.
O zot, çfarë momenti entusiazt që u krijua nga fjalët e Mehmet Ramës, njerëzit shpërthyen në brohoritje si në ditë feste, përplasnin duartë nga gëzimi, duke u shkuar lot për faqe dhe falenderonin e uronin Mehmet Ramen:
“Faleminderit o Mehmet Rama…,ju paçim përjetë o Mehmet Rama, …ju rrofshi sa malet tona o Mehmet Rama…e tjera”.
Mehmet Rama i emocionuar shumë nga ky vlerësim që i bëri populli, me ngadalë shkoi në mes të njerëzve dhe aty para tyre nisi fjalimin e tij të thjeshtë, të sinqert dhe të bukur duke thënë:
“…Ne, populli ynë i Malësisë së Gjakovës ju kemi gjendur vazhdimisht pranë njeri-tjetrit në çdo gëzim e fatkeqësi…Kështu do të jemi edhe në të ardhmen, sepse të bashkuar ne do të kalojmë çdo vështirësi, duke e bërë Tropojën tonë më të bukur, më të begatë, më të pasur dhe më të zhvilluar për fëmijët tanë…”
Dhe me të vërtetë ashtu ndodhi, sepse ai e mbante fjalën e dhënë si askush tjetër nga të gjithë kuadrot e tjerë që kanë punuar e drejtuar në Tropojë.
Ky burrë me cilësitë e tij të rralla, me shpirt të madh, i dashur, i thjeshtë, i urtë, dhe plot kukturë e respekt si një njeri hyjnor, e kishte vënë veten e tij në shërbim të njerëzve, duke punonuar me përkushtim për popullin e vet.
Kur u bënë dy ditë, me urdhër direkt të Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të KP Mehmet Rama, në fshatin Sopot mbritën me radhë edhe makinat me materjale ndërtimi dhe një brigadë specialistësh e kësaj fushe, e cila ja filloi punës për ndërtimin e shtëpisë së Jakup Hoxhës.
Ndërsa puna për ndërtimin e shtëpisë vazhdonte ditë dhe natë pa u ndalur, Mehmet Rama, megjithëse i zënë me punë të shumëta, ai gjente kohën të inspektonte edhe ndjekjen e punimeve gjithë javën, të cilat vazhdonin me ritme të larta, si dhe për ti hequr mërzinë kësaj familje.
Pas tre javësh punimet përfunduan, kryetari ynë i Malësisë së Gjakovës e mbajti fjalën dhe Jakup Hoxha hyri në shtëpi të re, duke uruar drejtuesit e rrethit, kuadrot e zonës dhe gjithë popullin e kësaj treve, që ë ju gjendën pranë në këtë fatkëqsi të madhe e kohë të vështirë.
Nuk mund të imagjinohet së çfarë momenti festiv, hareje, gëzimi dhe optimizmi u krijua atë ditë në zonën e Babinë-Tropojës, kur u bë inagurimi i kësaj shtëpie të re në Sopot, që unë dhe i gjithë populli i këtyre fshatrave, nuk do ta harrojmë kurrë tërë jetën tonë.
Urimet, falenderimet dhe lavdërimet natyrisht i drejtoheshin të gjitha Mehmet Ramës, këtij prijësi të vërtet, që kishte lindur për të drejtuar e udhequr popullin e Malësisë tonë dhe bërë një histori të ndritur në ato kohëra tepër të vështira të atij sistemi nën diktaturë.
2.
Më kujtohet si tani, qe muaj mars, i pranverës së vitit 1963.
Frynte një erë e fortë, që të priste dhe bënte shumë ftohtë. Si djalë i ri që isha, u nisa nga shtëpia ime në Papaj dhe shkova poshtë në Tropojë të vjetër për të takuar disa shok dhe dëfryer sëbashku me ata. Rastësisht ndodhi që këtë ditë në fshat kishte ardhur edhe Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të KP rrethit tonë Mehmet Ramë Dollapi.
Diku pas drekës në Tropojë vjen një fshatar nga lagjja Mellaj i Shipshanit, i cili quhej Halil Hamëz Bajri, një familje shumë e mirë, por me gjendje mjaft të keqe ekonomike, pasi kishte shumë fëmijë të vegjël, të cilit i kishte vdekur edhe gruaja në Shkodër. Halil Bajri me një makinë të Bajram Currit e kishte prurë kufomën e bashkëshortes deri në Sopot.
Në fshatin Sopot, shoferi i qytetit, meqënse nuk kishte fletë-udhëtimi për të ardhur në Tropojë të vjetër e kishte zbritur kufomën nê tokë dhe u kishte thënë njerëzve që ta merrnin në krah deri në Shipshan.
Halil Bajri ishte prekur e lënduar shumë nga veprimi jonjerëzor i këtij shoferi të papërgjëgjshëm, e la kufomën në Sopot dhe erdhi për ndihmë në Tropojë, sepse nuk kishte asnjë mundësi, për ta prurë pranë shtëpisë në Mellaj.
Shumë bashkëfshatar po e takonin Halil Bajrin në qendër të Tropojës dhe i shprehnin ngushëllimet për vdekjen e gruas së tij, duke i afruar edhe gadishmërinë për ta ndihmuar.
Në këtë kohë Mehmet Rama zbret nga zyrat dhe kur pa njerëzit të grumbulluar rreth Halilit ai shkoi tek ata për ti takuar. Mesaduket dikush i kishte treguar atij , se Halilit i kishte vdekur bashkëshortja. Aty ndodha edhe unë. Mehmeti e takoi Halil Bajrin dhe e ngushëlloi duke ja shëndoshur kryet. Një person i tha Mehmetit se kufomën e kanë zbritur nga makina në Sopot dhe Halili nuk ka mundësi për ta sjellë në Tropojë.
Mehmet Ramë Dollapi u nxi në fytyrë, u bë pak nervoz dhe tha:
“…çfarë, po si ka mundësi të ndodhi kështu, kush nga shoferat e ka bërë këtë veprim të ulët dhe të turpshëm me njerëzit e popullin tonë…”?
Sapo mbaroi këto fjalë, ai shkoi urgjent te zyra e PTT-së, aty telefonoi Komitetit Ekzekutiv, urdhëroi shkarkimin e shoferit, dhe dërgimin e një makine tjetër e cila mbriti brenda 30 minutash në Tropojë sëbashku me kufomën.
Një kuadër i Tropojës i tha Mehmet Ramës se Halil Hamza është tepër i varfër dhe nuk ka me çfarë ti përballoj shpenzimet e varrimit, a mundemi ne ti afrojmë ndonjë ndihmë financiare të përkohëshme kësaj familje?
Në këtë moment ndodhi një veprim i jashtëzakonshëm sa u çuditën të gjithë, të cilin unë e ruaj gjithmonë në kujtesën time, pasi atë mund ta bëjnë vetëm njerëz të mëdhenj, njerëzit e mirë, hyjnor e të shenjtë, siç ishte edhe Mehmet Rama. Ai papritur nxorri portofolin e tij nga xhepi dhe i dha 3000(tre mijë) lekë Halil Bajrit, duke i thënë:
“…na merri nga unë këto 3 mijë leke…”.
Halil i përlotur ju përgjigj Mehmetit duke i thënë:
“…Jo shoku Mehmet, ju faleminderit shumë, por nuk dua të bëhem i keq dhe me u korit me ju, more burrë, unë nuk mund ti marë lekët, pasi s’kam ku me i gjetë e me ti kthye prap…?
Mehmet Rama i tha përsëri Halilit:
“…ju lutem Halil, merri lekët se këto janë të mijat, ti kam falur unë dhe nuk dua që të mi ktheni më kurrë, prandaj meri dhe mos ma kthe dorën…”.
Halil Bajrit i ranë lotë gëzimi prej syve nga mbështetja dhe ndihma e madhe që i dha ky njeri i mirë, ky bujar, ky bamirës i rrallë, ky kuadër i drejtë, i dashur dhe që nuk e kishte shokun.
Të gjithë fshatarët ngelën të befasuar, ata e falenderonin Mehmet Ramën, familjen, të parët e tij, por edhe shtetin që kishte vënë një kuadër të tillë në krye të tyre, duke nxjerrë urime zemre për atë drejtues popullor.
Pasi Halili i mori lekët tepër i gëzuar, Mehmeti ju drejtua atij përsëri the i tha:
“…Halil, dëgjomë mua tani se çfarë do t’ju themë…pasi të kryesh të gjitha punët e tua edhe këtë hall…do të vini urgjent në zyrën time pranë Komitetit Ekzekutiv Bajram Curri dhe do të më takoni mua, pasi do t’ju gjej edhe një punë në fermën e Dojanit, sepse ju keni ngelur shumë keq edhe nga ana ekonomike…”.
Të gjithë të pranishmit përplasnin pëllëmbët dhe uronin Mehmet Ramën duke i thënë atij:
“…rrofshë o Mehmet Rama, të paçim more burrë, ty të ruajt zoti o shoku Mehmet…”.
Me një grup shokēsh drejtues, Mehmet Rama shkoi edhe për ngushëllim në shtëpinë e Halil Bajrit dhe e siguroi atë përsëri, se do të kishte gjithmonë mbështetjen dhe përkrahjen e rrethit, duke i lartësuar kështu akoma më shumë vlerat e tij si kuadër.
Pas disa ditësh Halil Bajri shkoi dhe e takoi Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv Mehmet Rama në Bajram Curri, i cili e priti mjaft mirë dhe e vendosi me punë në Ndërmarjen Bujqësore në Dojan, duke e shpëtuar nga varfëria dhe ja u ndryshuar jetën femijëve të kësaj familje.
Halil Bajri kishte shkuar disa herë dhe ishte takuar me Mehmet Ramën për ti kthyer 3 mijë lekët, por Mehmeti nuk i kishte pranuar kurrë dhe i kishte thënë:
“…Harroj ato lekë Halil, ne jemi kētu për ti ndihmuar njerzit tanë dhe veçanrisht familjet në nevojë…”
3.
E kujtoj vazhdimisht kur unë rrija këtu në Nju Jork shpesh me Hysni Hoxhë Metaliaj nga fshati Dragobi. Ai ishte shumë i shkolluar dhe me titullin profesor. Hysniu kishte kryer shkollën e mesme në Medresenë e Tiranës, sëbashku me Mehmet Ramë Dollapin dhe me një tropojan tjetër Sulejman Zenuni nga Shipshani. Hysni Hoxha, pasi kishte mbaruar Medresenë në Tiranë më 1936, kishte shkuar për studime të larta në Kajro të Egjyptit dhe në Arabi e mbas përfundimit të tyre ai ka dhënë mësim në Aleksandri për shumë kohë.
Në vitin 1976 Hysni Hoxha Metalia ka ardhur në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai mblidhte shpesh komunitetin tonë në Nju Jork dhe e kam dëgjuar që fliste shpesh me shumë respekt për Mehmet Ramë Dollapin.
Në prezencën time dhe të shumë shokëve të tjerë kur flisnim për Malësinë e Gjakovës ai na përmendëte ne fjalët e Myftiut të Medresesë së Tiranës që shprehej gjithmonë:
“…Në mësin tonë kemi një student të shkëlqyer dhe ai është Mehmet Ramë Dollapi…këtë njeri e ka falur Zoti meleq, engjëll, hyjnor, të shenjtë dhe të mbrekullueshëm…”.
Mehmet Rama, jo vetëm si familje, që vjen nga një fis me tradita të mëdha patriotike, por ai ishte edhe nip i Isuf Syl Gjonbalës nga Vuthaj i Gucisë me emër të dëgjuar në ato anë.
I gjithë ne populli i Malësisë së Gjakovës, i jemi borxhli këtij njeriu, që bëri kaq shumë për njerëzit e Tropojës dhe duhet të shkojmë tek varri i tij, si tek Kisha e Shënandout.
Të shkruash pak për Mehmet Ramën është mëkat, të mos shkruash është krim dhe të flasësh e ta kujtoshë gjithmonë të bekonë edhe Zoti e Shën Mëria.
Vepra e këtij biri të Malësisë së Gjakovës, që e nxori nga errësira e prapambetja në dritë krahinën tonë, që edhe pamjen, hijen, hapin, ecjen dhe fjalën e ëmbël, i kishte si të një njeriu të shenjtë, do të jetoj përgjithëmonë në zemrën e tropojanëve tanë.
Nuk ka tropojan, gjakovar, hasian, kuksian, pukian, dukagjinas e shkodran që nuk e njihnin këtë njeri të madh.
Ne duhet ta përmendim e kujtojmë vazhdimisht me respekt atë burrë të urtë, të mençur, të ditur, popullor, patriot e luftëtar, që e shkriu tërë jetën e tij, për arsimimin dhe zhvillimin e Popullit të Malësisë së Gjakovës.

Me respekt të lartë
Bajram Hazir Haxhijaj
Bronx, New York August 2015.

Përgatiti për botim:

Andy Apolloni
New York July 27, 2026.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka bërë ekstradimin e një shtetasi të…