Supremja hedh poshtë padinë e Qeverisë kundër Odës së Avokatëve

29 qershor 2026 | 21:18

Gjykata Supreme ka hedhur poshtë si të palejueshme padinë e Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Drejtësisë, kundër Odës së Avokatëve të Kosovës, në rastin që

“HEDHET POSHTË padia e paditësit: Qeveria e Republikës së Kosovës – Ministria e Drejtësisë, me seli në Prishtinë parashtruar kundër të paditurës: Oda e Avokatëve të Kosovës me seli në Prishtinë, rruga “Bekim Fehmiu” p.nr, Ndërtesa “Arting” Kati IV, si e palejueshme”, thuhet në aktvendim.

Paditëse ishte Qeveria e Kosovës – Ministria e Drejtësisë, e përfaqësuar nga Avokatura Shtetërore. E paditur ishte Oda e Avokatëve të Kosovës. Sipas aktvendimit, baza juridike e kërkesës ishte shpallja e paligjshmërisë dhe shfuqizimi i lartësisë së shpenzimeve për regjistrim në Odën e Avokatëve të Kosovës.

Sipas aryesimit padia ishte dorëzuar më 12 qershor 2026. Gjatë shqyrtimit paraprak, gjykata konstatoi se padia nuk ishte “e qartë dhe e kuptueshme” në drejtim të aktit që kontestohej. Ky konstatim, sipas Supremes, e pengonte shqyrtimin e mëtejmë të themelësisë së parashtresës. Për këtë arsye, gjykata e obligoi paditësen që të bënte korrigjimin dhe plotësimin e padisë.

Ministria e Drejtësisë e plotësoi padinë më 18 qershor 2026. Në plotësim, ajo kërkoi nga Gjykata Supreme që të shfuqizonte si të kundërligjshme lartësinë e shpenzimeve të regjistrimit në Odën e Avokatëve të Kosovës.

Megjithatë, Gjykata Supreme vlerësoi se rasti nuk hynte në kompetencën e saj për shqyrtim lëndor. Sipas gjykatës, akti që kontestohej nga Ministria nuk ishte akt nënligjor normativ, por lidhej me shpenzimet e përcaktuara në “Kërkesën për regjistrim në regjistrin e avokatëve”. Për Supremen, kjo kërkesë nuk i plotësonte kriteret e një akti nënligjor normativ.

Në arsyetim, gjykata iu referua Ligjit për Konfliktet Administrative, veçanërisht dispozitave që përcaktojnë kompetencën e Gjykatës Supreme. Sipas aktvendimit, Supremja ka kompetencë të shqyrtojë revizionet dhe, si shkallë e parë dhe e vetme, paditë për shfuqizimin e akteve nënligjore normative. Nga përmbajtja e padisë, gjykata konstatoi se rasti nuk kishte të bënte as me revizion dhe as me akt nënligjor normativ.

Për pasojë, Gjykata Supreme nuk u lëshua në vlerësimin e ligjshmërisë së tarifës së kontestuar. Në fund, Supremja konstatoi se nuk janë plotësuar kushtet procedurale për shqyrtim të mëtejmë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Punëve të Brendshme ka vazhduar të paguajë paga…