FFK-ja nis hartimin e strategjisë së re të zhvillimit, pas realizimit të objektivave strategjike në kohë rekord

30 qershor 2026 | 11:37

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka nisur zyrtarisht procesin e hartimit të Strategjisë së re të zhvillimit, e cila do të përcaktojë drejtimin strategjik të futbollit kosovar nga viti 2027 e tutje.

Në kuadër të këtij procesi, në Kosovë kanë qëndruar për vizitë ekspertët e UEFA-s, Oleksandr Kucheriavyi, menaxher për Zhvillim Strategjik në Divizionin e Federatave Kombëtare dhe Ilija Kitiq, shef i Njësisë për Zhvillim Strategjik të Federatave Kombëtare. Ata kanë zhvilluar takime pune me presidentin e FFK-së, Agim Ademi dhe me koordinatoren për zhvillim të projekteve në FFK, Doruntinë Fetahaj, duke nisur procesin e definimit të objektivave dhe prioriteteve të reja strategjike.

Ky proces vjen si rezultat i suksesit të jashtëzakonshëm të Strategjisë “Themelet e së ardhmes” (2024–2028), e cila, ndonëse ishte planifikuar për një periudhë katërvjeçare, është zbatuar me sukses në pothuajse të gjitha pikat e saj brenda vetëm dy viteve.

Gjatë takimeve, ekspertët e UEFA-s kanë shprehur vlerësimin dhe mirënjohjen e tyre për punën e bërë nga Federata e Futbollit e Kosovës, duke theksuar se përmbushja e pothuajse të gjitha objektivave strategjike në një afat kaq të shkurtër përfaqëson një arritje të jashtëzakonshme. Sipas tyre, ky rezultat është dëshmi e vizionit të qartë, planifikimit strategjik dhe përkushtimit të vazhdueshëm të FFK-së në zhvillimin e futbollit në të gjitha nivelet.

Falë këtij progresi, FFK-ja tashmë ka krijuar bazën për një cikël të ri zhvillimor. Në bashkëpunim të ngushtë me UEFA-n, nga sot ka nisur puna për hartimin e strategjisë së re, e cila pritet të hyjë në fuqi gjatë vitit 2027 dhe do të përfshijë objektiva edhe më ambicioze për zhvillimin e futbollit në Kosovë, në përputhje me standardet më të larta evropiane.

Përmbushja e objektivave para afatit është dëshmi e qartë se me vizion, përkushtim dhe punë të vazhdueshme ndërtohen themelet e së ardhmes së futbollit të Kosovës.

Strategjia e re do të ndërtohet mbi arritjet e deritanishme, duke vendosur objektiva të reja strategjike që do të mundësojnë zhvillim të qëndrueshëm, rritje të standardeve dhe forcimin e mëtejshëm të pozitës së futbollit të Kosovës në arenën evropiane dhe ndërkombëtare, në fushë dhe jashtë saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Dardan…