Situata në aeroportin e Vlorës, Pacolli: Padrejtësi ndaj një investitori me qindra milionë euro investime

30 qershor 2026 | 15:51

Presidenti i kompanisë MABCO, Behgjet Pacolli, ka reaguar përmes një postimi në “Facebook” lidhur me situatën rreth investimit të kompanisë në Aeroportin e Vlorës në Shqipëri, duke pretenduar se ndaj investitorit po bëhet padrejtësi dhe se po cenohen parimet e sundimit të ligjit.

Pacolli ka deklaruar se bëhet fjalë për një investitor me qindra miliona euro investime dhe mbi 310 milionë euro angazhime të garantuara me kolateralet e veta.
Sipas tij, grupe që veprojnë në mënyrë të jashtëligjshme dhe me vetëgjyqësi, në asistencë të Policisë së Shtetit, po imponojnë logjikë force që cenon rendin juridik dhe autoritetin e shtetit.

“MABCO është një kompani zvicerane, e mësuar të veprojë në një shtet ku sundimi i ligjit, respektimi i vendimeve gjyqësore dhe siguria juridike janë themeli i funksionimit të shoqërisë, dhe jo vetëgjyqësia dhe imponimi me forcë”, ka shkruar Pacolli.

Ai ka bërë të ditur se i është kërkuar SPAK-ut që të thellojë hetimet për të zbardhur, sipas tij, nëse pas këtyre veprimeve qëndrojnë struktura të krimit të organizuar apo individë që kanë cenuar ligjshmërinë.

Pacolli ka theksuar se zbardhja e plotë e çështjes është në interes të shtetit shqiptar, drejtësisë, klimës së investimeve dhe besimit të qytetarëve te institucionet.
Në reagimin e tij, ai u është drejtuar edhe mediave dhe opinionistëve, duke kërkuar që informacionet të bazohen në fakte të verifikuara, dokumente dhe realitet.

“Vetëm kështu mbrohet e drejta e publikut për t’u informuar saktë”, ka shkruar ai.
Pacolli ka thënë se sfidat po përballohen me durim dhe përgjegjësi për të shmangur një arbitrazh ndërkombëtar, i cili sipas tij do të ishte i dëmshëm për imazhin e Shqipërisë dhe barrën financiare që do ta paguanin qytetarët.

Ai ka deklaruar se dokumentacioni për nisjen e një arbitrazhi është krijuar, sipas tij, nga veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shtetërore.

“Unë jam njeriu i fundit që dëshiron ta çojë shtetin shqiptar në arbitrazh ndërkombëtar. Kërkesa ime e vetme është që ligji të zbatohet në Shqipëri, vendimet e gjykatave të respektohen dhe investitorët të mbrohen nga vetë shteti që i ka ftuar të investojnë”, ka shkruar Pacolli.

Ai ka shtuar se MABCO kërkon t’i mundësohet qasja në kantier për të përfunduar punimet dhe për të nisur procesin e certifikimit të kësaj vepre me vlerë qindra milionë euro.

Postimi i plotë:

PADREJTËSI ndaj një investitori me qindra milionë euro investime dhe mbi 310 milionë euro angazhime të garantuara me kolateralet e veta.

Grupet që veprojnë në mënyrë të jashtëligjshme dhe me VETËGJYQËSI, nën drejtimin e Valon Ademit, Vegim Hoxhës dhe Bujar Ejupit, në asistencë të POLICISË SË SHTETIT, po imponojnë logjikë force që cenon rëndë rendin juridik dhe autoritetin e shtetit.

MABCO është një kompani zvicerane, e mësuar të veprojë në një shtet ku sundimi i ligjit, respektimi i vendimeve gjyqësore dhe siguria juridike janë themeli i funksionimit të shoqërisë, dhe jo vetëgjyqësia dhe imponimi me forcë.

Pikërisht për këtë arsye, kemi kërkuar dhe vazhdojmë t’i bëjmë thirrje SPAK-ut të thellojë hetimet për të zbardhur nëse pas këtyre veprimeve qëndrojnë struktura të krimit të organizuar apo individë që, eventualisht duke u fshehur pas institucioneve ose duke përfituar nga mbështetja e tyre, kanë cenuar ligjshmërinë.

Zbardhja e plotë e kësaj çështjeje është në interes të shtetit shqiptar, të drejtësisë, të klimës së investimeve dhe të besimit të qytetarëve te institucionet.

MEDIAT dhe OPINIONISTËT kanë detyrim etik dhe profesional të mos manipulojnë apo helmojnë opinionin publik. Kodi i etikës gazetareske i obligon që çdo informacion dhe çdo qëndrim ta mbështesin në fakte të verifikuara, dokumente dhe realitet, jo në spekulime, insinuata apo interesa të caktuara.

Vetëm kështu mbrohet e drejta e publikut për t’u informuar saktë.

TË DASHUR QYTETARË,

Të gjitha këto sfida po i përballojmë me durim dhe përgjegjësi, vetëm e vetëm për të shmangur të keqen më të madhe: përfshirjen e gjyqësisë ndërkombëtare.

Një arbitrazh ndërkombëtar do të ishte i dëmshëm jo vetëm për imazhin e Republikës së Shqipërisë, por edhe për barrën financiare që, në fund, do ta paguanin qytetarët shqiptarë.

Megjithatë, dua ta them me përgjegjësi të plotë se dokumentacioni i nevojshëm për nisjen e një arbitrazhi është krijuar pothuajse tërësisht nga vetë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shtetërore, neglizhencës (me apo pa dashje) dhe anshmërisë së qëllimshme TË DËSHMUAR TANI EDHE ME DOKUMENTACION ndaj MABCOS, si investitori i vetëm që mban skeletin e kontratës së koncesionit si në aspektin tekniko-profesional, atë bankar, financiar dhe garantues.

Aeroporti është gati për të filluar certifikimin dhe për t’u vënë në operim.

Tani, gjithçka varet nga autoriteti kontraktues, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), e cila ka detyrimin ligjor të garantojë zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe të mundësojë funksionimin normal të VIA-s, si dhe të urdhërojë Policinë e Shtetit t’i lirojë rrugët publike, të cilat janë të mbyllura që më tepër se 6 javë, nën mbikëqyrjen e Policisë.

Çdo vonesë e mëtejshme do të ishte e pajustifikueshme dhe në kundërshtim me parimin e sundimit të ligjit.

MABCO disponon dy baza të plota juridike për të mbrojtur të drejtat e saj:

Marrëveshjen për Mbrojtjen Reciproke të Investimeve (BIT) ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë, si dhe Kontratën e Koncesionit.

Pavarësisht kësaj, ne vazhdojmë të zgjedhim rrugën e DURIMIT dhe të BESIMIT te drejtësia shqiptare. Do të presim deri në kufijtë e fundit të arsyes që institucionet dhe drejtësia të veprojnë kundër atyre që, me metoda të vetëgjyqësisë dhe veprime mafioze, po mbajnë peng një investim strategjik dhe po sfidojnë hapur vendimet e Gjykatës së Lartë.

Unë jam njeriu i fundit që dëshiron ta çojë shtetin shqiptar në arbitrazh ndërkombëtar.

Kërkesa ime e vetme është që ligji të zbatohet në Shqipëri, vendimet e gjykatave të respektohen dhe investitorët të mbrohen nga vetë shteti që i ka ftuar të investojnë, …kurse MABCO-s t’i mundësohet qasja në kantier për të përfunduar punimet dhe për të nisur procesin e certifikimit të kësaj vepre me vlerë qindra milionë euro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Arsimit në Drenas, Muhamet Gjoka, ka vlerësuar lart…