Dy të vdekur dhe 15 të lënduar nga aksidenti i autobusit në rrugën Tiranë–Durrës
30 qershor 2026| 20:51
Një vetëaksident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Tiranë–Durrës, ku një minibus ka humbur kontrollin, është përplasur me trafikndarësen dhe më pas është rrotulluar. Si pasojë e aksidentit, dy persona kanë humbur jetën, ndërsa 15 të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Drejtuesi i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, në një deklaratë për mediat bëri të ditur se mes të plagosurve, një person ndodhet në gjendje të rëndë.
Ai shtoi se në mesin e të lënduarve ka edhe fëmijë, njëri prej të cilëve ndodhet gjithashtu në gjendje të rëndë.
Sipas të dhënave paraprake, shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë humbja e kontrollit nga drejtuesi i mjetit.
“Konfirmohet se autobusi nuk është përplasur me asnjë mjet tjetër, por ka humbur kontrollin dhe është përplasur me trafikndarësen. Deri më tani janë konfirmuar 15 të plagosur, mes tyre edhe një i plagosur rëndë. Ka gjithashtu edhe fëmijë të plagosur, një prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë”, u shpreh Vatoci.