Tahiri: PDK-ja nuk e njeh dorëzimin, rënia e votave është përgjegjësi e jona
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka deklaruar se partia e tij nuk ka diskutuar kurrë për dorëzim dhe se një qasje e tillë nuk përputhet me kulturën dhe orientimin politik të PDK-së.
Duke komentuar analizat lidhur me rezultatin zgjedhor, Tahiri në “Debat Plus” në Dukagjin, u shpreh se i kupton vlerësimet që bëhen nga perspektiva të ndryshme, por nënvizoi se PDK-ja nuk e ka pasur asnjëherë dorëzimin si opsion.
Ai pranoi se rënia e numrit të votave kërkon analizë dhe tha se përgjegjësia bie mbi të gjithë përfaqësuesit e PDK-së, përfshirë edhe vetë atë.
“Unë i kuptoj edhe vlerësimet edhe analizat prej secilës perspektivë. Por, nuk mendoj që Partia Demokratike e Kosovës, asnjëherë, ka diskutuar ose ka pasur orientim kah dorëzimi – është koncept që nuk e njohim dhe nuk e pranojmë dhe nuk duhet me pas në kulturën dhe qëllimin e rrugën tonë dhe nuk e kemi. Edhe unë kisha pasur dëshirë që të kemi numër të madh të votave, patjetër që duhet me pas analizë se pse ka pasur rënie të numrit të votave dhe patjetër që është përgjegjësi e imja dhe e të gjithë neve për rënien e numrit të votave. Nuk thash që është lodhë elektorati, qytetari i Republikës së Kosovës por është përgjegjësi e gjithë neve që i përfaqësojmë vlerat e PDK-së që të bëjmë analizë. Për PDK-në kryesorja është shteti, institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës”, u shpreh Tahiri.



