Kusari-Lila për kushtet e Aleancës: Projektet zhvillimore diskutohen përmes programit qeverisës dhe jo si parakushte politike
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se pas certifikimit të rezultateve zgjedhore duhet të nisë komunikimi zyrtar mes partive politike për formimin e institucioneve, duke vlerësuar se deklarimet individuale të deritanishme vetëm sa e kanë vështirësuar procesin.
Kusari-Lila ka deklaruar se deri tani nuk ka pasur qëndrime zyrtare të partive politike, me përjashtim të Aleancës, ndërsa ka theksuar se pas certifikimit të rezultateve duhet të nisin bisedimet institucionale.
Ajo ka bërë me dije se deri më tani kishte dëgjuar vetëm deklarime të përgjithshme nga përfaqësues të partive, por jo vendime zyrtare të tyre.
“Deri më tash çka kam dëgjuar, të paktën kanë qenë deklarime të përgjithshme të përfaqësuesve të partive, po jo në nivelin e vendimeve të këtyre partive. Përjashtoj njerëz të Aleancës që ka dalë konkretisht. Të tjerat kanë qenë kryesisht varësisht prej cilit krah në parti brenda subjekteve janë ose përfaqësojnë, ose çfarë mendimi kanë prezantuar, po jo në nivelin e vendimmarrjes politike. Unë besoj që në momentin e certifikimit të rezultateve, duhet të fillojë komunikimi zyrtar, me qëndrime zyrtare. Në rastin tonë është drejtuesi i partisë më të madhe të koalicionit, kryeministri Albin Kurti. Në pozicione të tjera janë kryetarët e partive, të cilët do të duhej të prezantonin qëndrimin zyrtar të partisë, por edhe të grupit të deputetëve që ata kanë. Për shkak se është situata pak më e komplikuar sesa në zgjedhjet e kaluara, kur sot nga një grupim parlamentar ose nga një subjekt politik ka dy-tri qëndrime. Kjo po se po e vështirëson shumë edhe do ta vështirësojë konstituimin e institucioneve apo një dakordim në mes të subjektit fitues të zgjedhjeve dhe partive tjera. Prandaj krejt kjo po mbetet të shihet nëse ata do t’i kenë qëndrimet e artikuluara dhe vendimet në raport me partinë më të madhe dhe bashkëpunimin e mundshëm”, ka thënë ajo.
Duke komentuar kushtet e vendosura nga Aleanca, Kusari-Lila ka vlerësuar se projektet zhvillimore diskutohen përmes programit qeverisës dhe jo si parakushte politike.
“Tash përmendësh nuk po më kujtohen të gjitha, po sa i përket projekteve unë besoj që ajo është çështje që diskutohet me programin qeverisës. Dhe nëse një parti qet kushte të kësaj natyre, po nuk bëhet pjesë e qeverisë, nuk ka domethënie përmbajtja e saj. Ndërsa sa i përket në veçanti këtij projekti, i cili është politizuar tepër shumë, askujt nuk po besoj që i bën nder, as bashkëpunimit apo raporteve tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse projektet strategjike apo resorte të rëndësisë, siç është energjia, shfrytëzohen për beteja të brendshme politike”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka theksuar se debati për gazin amerikan dhe projektet energjetike duhet të bazohet në analiza ekonomike dhe jo në akuza politike.
“Unë e kuptoj që ka nevojë për diskutim edhe për debat përmbajtësor, por jo debat me akuza dhe kundërakuza për një projekt që do t’i tejkalojë mandatet e të gjitha qeverive, jo vetëm në rastin konkret, për shembull diskutimi për gazin amerikan. Po sektori i energjisë në përgjithësi. Ne sot kemi resurse apo kapacitete gjeneruese që janë prej dekadash, ka 60 vite që kemi kapacitete gjeneruese, ndërsa sot përdoret për poenë politikë diskutimi dhe bastardohet komunikimi publik në mes të akterëve politikë me akuza se kush është kundër Amerikës e kush nuk e pranon një projekt. Domethënë kjo është tërësisht e gabuar. Dhe secili që ka kaluar nëpër procesin akademik ose arsimin universitar e di se duhet një komunikim dhe një prezantim i detajeve, i informatave që kanë sens ekonomik e jo që marrin komplet drejtim politik”, është shprehur ajo.
E pyetur nëse koalicioni fitues do ta propozojë sërish Feride Rushitin për presidente, Kusari-Lila ka deklaruar se ende nuk është diskutuar për emra konkretë dhe se partitë opozitare në procesin e kaluar nuk kishin paraqitur asnjë propozim.
“Nuk mund të flas për emra tash për shkak se ky është një proces i cili është lënë të diskutohet në mes të partive politike. Siç e dini, është thënë që priten edhe rekomandime të tjera. Zonja Feride Rushiti ishte rekomandim në momentin kur partitë opozitare atëbotë nuk kanë dhënë asnjë propozim, asnjë emër publikisht nuk e kanë përmendur. Ndoshta është momenti që të fillojmë t’i trajtojmë gjërat seriozisht, duke filluar prej qëndrimeve zyrtare të subjekteve politike që dakordohen dhe garantojnë për gjithë deputetët. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, të dyja herën e kaluar nuk kanë pasur propozime konkrete, nuk kanë dhënë asnjë propozim kur janë ftuar në takim për të diskutuar emrat për presidentin”, ka thënë ajo. /EO



