Gjashtë persona humbin jetën nga zjarri në një ndërtesë në Belgjikë
01 korrik 2026
| 16:27
Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu një ndërtesë 10-katëshe në qytetin belg të Antwerpit, të mërkurën, kanë bërë të ditur autoritetet policore për mediat lokale.
Sipas raportimeve, besohet se në ndërtesë banonin rreth 200 persona. Policia ka konfirmuar se deri më tani janë regjistruar të paktën gjashtë viktima, ndërsa ka theksuar se është ende herët për të dhënë një bilanc të saktë të të plagosurve, raporton Reuters.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar ekipe zjarrfikësish nga disa rajone, si dhe ambulanca dhe shërbime të tjera emergjente.
Policia u ka bërë thirrje banorëve të zonës përreth që t’i mbajnë dyert dhe dritaret e mbyllura, për të shmangur ekspozimin ndaj tymit.



