Aktakuzë ndaj gjashtë personave për keqpërdorime në prokurime publike në Suharekë

03 korrik 2026 | 11:44

Prokuroria Themelore në Prizren, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, katër zyrtarëve komunalë dhe dy pronarëve të operatorëve ekonomikë, të dyshuar për keqpërdorime në prokurimet publike që, sipas Prokurorisë, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës.

Sipas aktakuzës, katër zyrtarët komunalë akuzohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa dy përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”.

Prokuroria ka bërë të ditur se dy prej zyrtarëve kanë miratuar pagesa në vlerë prej 29.458,20 euro për punime në rrugët lokale në fshatin Javor, ndonëse njëra nga rrugët nuk ishte ndërtuar.

Sipas njoftimit, me këto veprime operatorit ekonomik i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm prej 9.050 eurosh, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material.

“Në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, kanë aprovuar realizimin e punimeve dhe kanë lejuar pagesa në vlerë prej 29.458,20 euro, ndonëse kontrata nuk ishte realizuar në tërësi, pasi rruga ‘Fejzë Koliqi – Gashi’ nuk ishte ndërtuar fare”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në një rast tjetër, dy zyrtarë të tjerë akuzohen se kanë miratuar pagesa në vlerë prej 17.124,10 euro për projekte rrugore në Javor dhe Luzhnicë, edhe pse dy nga rrugët nuk ishin ndërtuar.

Sipas aktakuzës, operatori ekonomik ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme 6.439,82 euro.

Prokuroria ka deklaruar se dy përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë kanë paraqitur dokumentacion të rremë, duke pretenduar se punimet ishin përfunduar sipas kontratave, edhe pse ato nuk ishin realizuar plotësisht, me ç’rast kanë përfituar mjete publike në mënyrë të kundërligjshme.

Prokuroria i ka propozuar gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Po ashtu, është kërkuar edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve në shërbimin publik si dënim plotësues për të akuzuarit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Kosovës,…