Propaganda serbe nuk e ndal zhvillimin e FSK-së

04 korrik 2026 | 15:19

Shkruan: Dr. Dorajet Imeri

Sa herë që Kosova shënon përparim në fushën e mbrojtjes, reagimi i një pjese të mediave dhe politikës në Serbi është pothuajse i njëjtë: alarm, propagandë dhe përpjekje për ta paraqitur zhvillimin e FSK-së si kërcënim.

Pjesëmarrja e FSK-së në stërvitjen ndërkombëtare “Combat Power 26” në Kroaci është një shembull i qartë. Në këtë stërvitje morën pjesë mbi 3.000 ushtarë kroatë dhe forca nga SHBA-ja, Italia, Shqipëria, Sllovenia, Portugalia, Mali i Zi, Rumania, Gjeorgjia dhe Kosova. Për 11 ditë u zhvilluan ushtrime të përbashkëta tokësore dhe ajrore, me fokus në koordinimin operacional dhe ndërveprueshmërinë mes ushtrive partnere.

Megjithatë, në vend që ky aktivitet të trajtohej si një stërvitje shumëkombëshe e zakonshme, disa media në Serbi zgjodhën një gjuhë politike dhe propagandistike, duke përdorur edhe termin “shteti i rremë” për Kosovën. Kjo nuk është gazetari neutrale, por një mënyrë për të ushqyer narrativën se çdo forcim institucional i Kosovës duhet parë me dyshim.

Pyetja që shtrohet është: pse Serbia e kundërshton vazhdimisht zhvillimin e FSK-së?

Përgjigjja duket të jetë politike. Një FSK më profesionale, më e trajnuar dhe më e integruar në bashkëpunimin me partnerët perëndimorë e bën gjithnjë e më të vështirë ruajtjen e narrativës se Kosova nuk është e aftë të ndërtojë institucione funksionale. Sa më shumë që FSK-ja bashkëpunon me ushtritë e vendeve të NATO-s dhe partnerëve të saj, aq më e dukshme bëhet rruga euroatlantike e Kosovës.

Kritika dhe kundërshtimi janë pjesë normale e politikës. Por përdorimi i propagandës dhe i gjuhës nxitëse nuk ndryshon faktin se Kosova ka të drejtë të zhvillojë institucionet e saj të sigurisë dhe të marrë pjesë në stërvitje ndërkombëtare me partnerët e saj. Kjo është një e drejtë që buron nga bashkëpunimi ndërkombëtar dhe jo një provokim ndaj askujt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka uruar Shtetet…