Gazi është arma e re amerikane kundër Rusisë
Artikulli përshkruan projektet energjetike amerikane si pjesë të strategjisë për të dobësuar ndikimin rus në rajon.
Një artikull i prestigjiozes “The Economist” konfirmon edhe një herë se projektet amerikane për shtrirjen e infrastrukturës së gazit nëpër Ballkanin Perëndimor dhe Evropë janë krejtësisht politikë kundër influencës ruse.
Në artikull tregohet se si në një takim në Dubrovnik mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe amerikanëve, Chris Wright, sekretari i Presidentit amerikan, Donald Trump, për Energji, promovoi “Kornizën Trump për Tubacione e Paqes”, për të cilën tha se do t’u mundësoj vendeve evropiane “të zëvendësonin varësinë e mbetur nga gazi rus me gaz amerikan”.
“Në samit, Kroacia nënshkroi një marrëveshje për ta lidhur terminalin e gazit në Krk me Bosnje dhe Hercegovinën, e cila aktualisht furnizohet tërësisht me gaz nga Rusia. Gjithashtu, në prill, një kompani amerikane nënshkroi një marrëveshje prej 6 miliardë dollarësh për furnizimin e Shqipërisë me gaz natyror të lëngshëm (LNG)”, thotë artikulli i The Economist.
Artikulli thekson se rëndësia e investimeve energjetike për amerikanët shtrihet në të gjithë rajonin, me qëllim largimin e Gazpromit – kompanisë ruse të gazit, të cilën e ka detyruar të shes aksionet e saj në kompaninë MOL të Serbisë tek një kompani hungareze.
“Rëndësia e investimeve energjetike në politikën amerikane shtrihet në gjithë rajonin. Gazprom, kompania shtetërore ruse e gazit, prej kohësh zotëron një pjesë kontrolluese në NIS, kompaninë më të madhe të naftës dhe gazit në Serbi. Por sanksionet amerikane ndaj Rusisë po e detyrojnë Gazpromin ta shesë këtë aksion tek MOL, kompania shtetërore hungareze e energjisë”.
Artikulli tregon edhe se si shumica e vendeve të rajonit, si Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut po përqafojnë projekte energjetike amerikane.
“Këtë muaj, Qeveria e Serbisë publikoi një thirrje për propozime për ndërtimin e një hidrocentrali të ri, duke specifikuar se vetëm kompanitë amerikane mund të aplikonin… Edhe Maqedonia e Veriut, e cila më parë varej nga gazi rus, në muajin shkurt nënshkroi një marrëveshje për blerjen e gazit natyror të lëngshëm amerikan”.
Artikulli nuk përfundon pa përmendur edhe Kosovën, shtet për të cilin thotë se është “në fokusin e Shteteve të Bashkuara”.
“Ajo nuk ka një gazsjellës që ta lidhë me rrjetet rajonale të gazit. Në vitin 2021, kryeministri Albin Kurti pezulloi projektin për lidhjen e Kosovës me Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, pak para zgjedhjeve të Kosovës më 7 qershor, e ngarkuara me punë e Ambasadës amerikane në Kosovë i bëri thirrje vendit ta ringjallte këtë projekt, duke paralajmëruar se në të kundërt Kosova rrezikon të mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor ‘pa qasje në gazin natyror të lëngshëm amerikan’”.



