Ramush Ahmetaj kujton Betejën e Loxhës: UÇK-ja i dha mësim ushtrisë serbe

06 korrik 2026 | 14:08

Ish-luftëtari i UÇK-së, Ramush Ahmetaj, ka përkujtuar përvjetorin e Betejës së Loxhës, duke e cilësuar atë si një nga fitoret më të mëdha të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave serbe.

Ahmetaj ka theksuar se beteja, e udhëhequr nga komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, u zhvillua më 6 dhe 12 korrik 1998 në fshatin Loxhë të Pejës, ndërsa luftimet u përsëritën edhe më 10 dhe 17 gusht të po atij viti.

Ai është shprehur se ka qenë pjesëmarrës në këto beteja së bashku me familjarë, bashkëluftëtarë dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, duke shtuar se forcat çlirimtare i shkaktuan humbje të mëdha ushtrisë dhe policisë serbe.

Sipas Ahmetajt, në shenjë nderimi për luftëtarët dhe dëshmorët e rënë në Betejën e Loxhës, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Pejë ka vendosur pllaka përkujtimore në disa prej pikave ku janë zhvilluar luftimet, të cilat do të zbulohen gjatë ceremonisë përkujtimore.

Në fund të mesazhit të tij, Ahmetaj ka bërë homazhe për dëshmorët e kombit dhe ka shprehur mirënjohje për invalidët, veteranët dhe të gjithë luftëtarët e UÇK-së për kontributin e tyre në çlirimin e Kosovës.

Postimi i plotë i tij:

Sot përkujtojm njërën prej fitoreve të mëdha kundër forcave serbe, në Betejen e Logjës. Është njëra ndër betejat e mëdha të luftës së UÇK-së, të cilën e udhëhoqi me sukses Komandanti i ZOD Ramush Haradinaj. Kjo Betejë u zhvillua në fshatin Loxhë të Pejës me 6 dhe 12 Korrik 1998 dhe është përseritur sërish më 10 dhe 17 gusht 1998. Në këto dy beteja ku pata rastin të jam pjesëmarrës edhe vet, bashkë më vëllëzër e nipa, por edhe më familjar e bashkëlutëtar tjerë, UÇK-ja ju dha mësim ushtrisë dhe policisë serbe duke i gjunjëzuar dhe mundur përgjithmonë trupat e JNA-së së famshme. Në nderim të kësaj beteje, të luftëtarëve dhe të rënve dëshmorë të lirisë në këtë betejë, OVL-UÇK në Pejë, ka ngritur disa pllaka përkujtimor, në disa pika ku janë zhvilluar luftime, që do të zbulohen sot.
Lavdi dëshmorëve të kombit shqiptarë!
Nderim për të gjithë ata që lanë gjymtyret e tyre për lirinë e Kosovës dhe veteranëve, luftëtarëve të gjallë që e munden ushtrinë e Serbisë dhe e dëbuan përjetësisht nga Kosova!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur për rastin e sulmit…