Demostratat e vitit 1981 ishin të panevojshme, çfarë revizionizmi…
Shkruan: Altin Ahmeti
Njëra prej ngjarjeve kryesore të shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë londineze në shekullin e kaluar janë demonstratat e vitit 1981, ngjarje të cilat tash së fundmi po sulmohen dhe, jo më larg se dje, u shpallën të panevojshme.
Sipas publicistit Veton Surroi, ato nuk duheshin organizuar fare dhe kanë qenë krejtësisht të panevojshme.
Ky lloj trajtimi i ngjarjeve historike, në shkencën e historisë, quhet revizionizëm.
Interpretimi revizionist e trajton historinë si një seri gabimesh që duhej shmangur, jo si një proces ku shoqëritë reagojnë ndaj padrejtësive dhe rrethanave të kohës.
Kur hiqet viti 1981, nuk mbetet më histori, por mbetet hiçi.
Të thuash se demonstratat e vitit 1981 nuk duhej të ndodhnin është më shumë se një vlerësim historik.
Është një përpjekje për të rishkruar vetë logjikën e rezistencës dhe për të shkëputur një nga hallkat më të rëndësishme të rrugës politike të Kosovës.
Demonstratat e vitit 1981, pavarësisht interpretimeve të ndryshme politike, shënuan një pikë kthese. Ato prodhuan një vetëdije të re politike dhe shoqërore, e cila nuk u shua, por u transformua në forma të ndryshme organizimi dhe rezistence gjatë viteve ’80 dhe ’90.
Këto demostrata tronditën më shumë se Jugosllavinë dhe mbi këto premisa u prognozua shkatërrimi I Jugosllavis së Titos.
Para këtyre demostratave, shqiptarët jashtë kufinjëve nuk kishin kryer ndonjë organizim mbreslēnēs kundës shtetit komunist Jugosllav. Ishin vetëm demostrata e vitit 1968, që ishin njē hije e vogèl para këtyre tē 1981 dhe kryengritja legjendare e vitit 1945, që ishte shuar dhunshëm.
Të pretendosh se kjo hallkë nuk duhej të ekzistonte do të thotë të mohosh vazhdimësinë e një procesi historik që çoi deri te formësimi i strukturave të rezistencës dhe, më vonë, te UÇK-ja.
Pa demonstratat e vitit 1981 dhe heronjtë e saj, nuk do t’i kishim demonstratat e viteve ’90. Vështirë se do ta kishim, ndoshta, edhe UÇK-në.
Historia nuk është një seri ngjarjesh që mund të fshihen sipas preferencës së së tashmes. Ajo është rrjedhë, me tensione, gabime dhe momente kthese.
Nëse dikush thotë se demonstratat e vitit 1981 nuk duhej të organizoheshin, në thelb po bën një argument kundër rezistencës në atë moment historik.
Por, nëse e aplikojmë këtë logjikë në mënyrë të vazhdueshme, atëherë bie vetë ideja e historisë së rezistencës: nuk duhej të kishte qëndresë, nuk duhej të kishte lëvizje, nuk duhej të kishte përplasje. Dhe, në fund, nuk do të kishte as ndryshim.
Të njëjtën logjikë e kemi dëgjuar për shumë momente të ndryshme historike: se Skënderbeu nuk duhej të bënte rezistencë kundër osmanëve; se nuk duhej të kishte kryengritje antiosmane, sepse dobësuan këtë Perandori në favor të fuqive ballkanike; se nuk duhej të luftonim kundër italianëve apo gjermanëve; se nuk duhej të organizoheshin demonstratat e vitit 1968 apo ato të vitit 1981, e kështu me radhë.
Por historia e kombeve është ndërtuar pikërisht mbi njerëz që kanë kundërshtuar padrejtësinë, edhe kur nuk kishin garanci se do të fitonin, dhe ideja e rezistencës ka luajtur rol në formësimin e historisë.
Çfarë historie do të kishim sot, nëse do ta reviziononim sipas qejfit të secilit?
Historia nuk është ndërtuar nga ata që u pajtuan me çdo pushtim, por nga ata që guxuan ta sfidonin atë.
Mjafton vetëm një këngë e kënduar nga Fatime Sokoli, që dëgjohej dhjetëra herë gjatë ditës nga qytetarë dhe patriotë që ëndërronin Kosovën e lirë dhe të bashkuar me Shqipërinë, dhe ngrinte peshë mijëra zemra të robëruara.
Vetëm kjo këngë u mjaftoi mijëra burrave dhe grave të ngriheshin dhe të luftonin për liri nacionale, gjë që, pak vite më vonë, solli shtetin e Kosovës.
E vërteta qëndron me ata që rezistuan. Koha e tregoi. Shteti i Kosovës është produkt i kësaj rryme në masën më të madhe, sikurse në çdo vend tjetër.



