Elshani: Shkolla ‘Pavarësia’ në ‘Muharrem Fejza’ do të bëhet me terren të ri sportiv multifunksional
Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, ka bërë të ditur se lagjja “Muharrem Fejza” së shpejti do të pajiset me një terren të ri sportiv multifunksional, i cili do të jetë në shërbim të nxënësve dhe komunitetit.
Gjatë një vizite në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Pavarësia”, së bashku me drejtorin e Sportit, Granit G. Geci, Elshani tha se është parë nga afër gjendja e hapësirës ku planifikohet të realizohet investimi i ri.
Sipas tij, qëllimi është që çdo lagje të ketë një shkollë me kushte cilësore dhe çdo fëmijë të ketë hapësira të përshtatshme për mësim, rekreacion dhe aktivitete sportive.
Terreni i ri sportiv do të jetë multifunksional dhe do t’u mundësojë nxënësve të lagjes “Muharrem Fejza” ta shfrytëzojnë atë jo vetëm gjatë orëve mësimore, por edhe në orët e mbrëmjes, duke krijuar më shumë mundësi për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe sociale.



