Avokati Sallahu njofton: Gjykata Supreme ua njeh veteranëve të UÇK-së të drejtën për dy pensione (dokument)

07 korrik 2026 | 11:41

Avokati i njohur Nazmi Sallahu ka bërë me dije se Gjykata Supreme e Kosovës ka njohur të drejtën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për të përfituar njëkohësisht pensionin e moshës dhe pensionin e veteranit, si dhe të drejtën e trashëgimtarëve për përfitimin e pensionit pas vdekjes së veteranit.

Sipas tij, veteranëve të UÇK-së u është mohuar në mënyrë të padrejtë dhe të kundërligjshme e drejta për të përfituar pensionin e veteranit krahas pensionit bazë dhe atij kontributdhënës.

Ai ka vlerësuar se ky kufizim ka krijuar një pabarazi të pajustifikuar dhe ka cenuar parimet themelore të rendit kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës.

Sallahu ka theksuar se pensioni i veteranit të UÇK-së është një e drejtë që buron nga sakrifica dhe kontributi i dhënë gjatë luftës çlirimtare. Për këtë arsye, sipas tij, ai nuk duhet të trajtohet si zëvendësim i pensionit të moshës apo i pensionit kontributdhënës, të cilët fitohen mbi bazën e moshës dhe kontributeve të paguara gjatë punës, sipas përcaktimeve ligjore.

Më tej, ai ka argumentuar se mohimi i së drejtës për përfitimin e të dy pensioneve bie ndesh me parimin e barazisë para ligjit, sigurinë juridike dhe mbrojtjen e të drejtave të fituara. Sipas tij, çdo kufizim i një të drejte të tillë duhet të mbështetet në një bazë të qartë kushtetuese dhe ligjore. Në mungesë të këtyre elementeve, kufizimi konsiderohet arbitrar dhe cenon të drejtat themelore të kësaj kategorie.

Në një shtet të së drejtës, ka shtuar Sallahu, respektimi i parimeve të ligjshmërisë, barazisë dhe proporcionalitetit është detyrim kushtetues. Prandaj, çdo dispozitë ligjore ose praktikë administrative që ua ndalon veteranëve të UÇK-së përfitimin e pensionit të veteranit njëkohësisht me pensionet e tjera të fituara në mënyrë të ligjshme duhet të rishqyrtohet dhe, nëse konstatohet se është në kundërshtim me Kushtetutën, të shfuqizohet.

Në përfundim, avokati Sallahu ka theksuar se veteranët e UÇK-së nuk kërkojnë privilegje, por vetëm respektimin e ligjit, të Kushtetutës dhe të të drejtave të fituara. Sipas tij, sakrifica për lirinë e vendit nuk mund të shndërrohet në arsye për kufizimin e të drejtave që burojnë nga puna, kontributi dhe rendi juridik i Republikës së Kosovës.=

May be an image of ticket stub and text

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë me…