Drita, gati për sfidën e parë evropiane ndaj lituanezëve
Drita, gati për sfidën e parë evropiane ndaj lituanezëve
Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, nis të martën një tjetër aventurë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.
Skuadra nga Gjilani do të përballet në udhëtim me Kaunas Zhalgirisin e Lituanisë, në ndeshjen që nis nga ora 18:00.
Për Dritën kjo është ndeshja e parë në kualifikimet e “Championsit” për edicionin 2026/2027.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka thënë se synimi i ekipit është një nisje e mirë në garat evropiane, duke vlerësuar se kthimi me rezultat pozitiv nga Lituania është një objektiv i arritshëm.
Edicionin e kaluar, gjilanasit patën një paraqitje të suksesshme në Evropë. Ata e kishin kaluar raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ndërsa u eliminuan në raundin e dytë. Më pas, Drita kishte vazhduar në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës, ku ishte eliminuar, ndërsa rrugëtimin e pati vijuar në Ligën e Konferencës.
Në këtë garë, skuadra nga Kosova kishte kaluar fazën e plejofit, ku ishte kualifikuar në fazën e ligës dhe është ndalur vetëm në plejofin e fazës nokaut.
Mbrojtësi i krahut, Besnik Krasniqi, beson se Drita mund të kthehet me rezultat pozitiv nga Lituania, ndërsa portieri Faton Maloku është më i kujdesshëm, por shpreson në një rezultat të favorshëm për ndeshjen e kthimit.
Ndeshja e dytë zhvillohet pas një jave në Prishtinë.
Për Kaunas Zhalgirisin kjo do të jetë hera e parë që paraqitet në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.



