KOMF-i: Rezultatet e Testit të Arritshmërisë tregojnë mungesë të progresit në cilësinë e arsimit parauniversitar në Kosovë
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, ka theksuar se rezultatet e Testit të Arritshmërisë tregojnë mungesë të progresit në cilësinë e arsimit parauniversitar në Kosovë.
“Rezultatet e Testit të Arritshmërisë janë një tregues i gjendjes së sistemit arsimor dhe duhet të shërbejnë si alarm për të gjitha institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin masa konkrete dhe të menjëhershme për përmirësimin e cilësisë së arsimit. Arritshmëria mesatare e nxënësve këtë vit prej vetëm 48.35%, konfirmon se edhe pas disa vitesh përpjekjesh, sistemi arsimor nuk ka arritur të shënojë përmirësim të qëndrueshëm. Rezultatet tregojnë se dy vitet e fundit nuk është arritur të tejkalohet niveli prej 50%, duke reflektuar regres në rezultatet e nxënësve (2022: 50.75%; 2023: 52.1%; 2024: 52.1%; 2025: 48.8%; 2026: 48.35%). Rezultatet tregojnë se nxënësit mesatarisht arrijnë më pak se gjysmën e kërkesave të testit, duke ngritur shqetësime serioze për përvetësimin e njohurive dhe kompetencave të parapara me kurrikulat arsimore. Kjo situatë paraqet qartë nevojën për një analizë të thelluar të faktorëve që ndikojnë në cilësinë e arsimit, si dhe për ndërmarrjen e veprimeve dhe masave të bazuara në evidencë për përmirësimin e rezultateve të nxënësve”, është thënë në reagimin e KOMF-it, duke shtuar se rezultatet nuk paraqesin dallime të rëndësishme ndërmjet komunave, shkollave dhe kategorive të ndryshme të nxënësve. Këto pabarazi tregojnë nevojën për politika më të targetuara, të cilat adresojnë nevojat specifike të shkollave dhe nxënësve që kanë performancë më të ulët”, ka theksuar KOMF-i.
Sipas këtij koalicioni, arsimi parauniversitar në Kosovë po përballet me sfida dhe probleme të shumta që ndikojnë negativisht në cilësinë e arsimit.



