Haradinaj: Kurti po sorollatet brigjeve të Greqisë, ndërsa Kosova mungon në Samitin e NATO-s

07 korrik 2026 | 22:58

Daut Haradinaj ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se Kosova duhej të ishte e përfaqësuar në Samitin e NATO-s në Ankara për të avancuar partneritetet dhe rrugën drejt anëtarësimit në Aleancën Veriatlantike.

Haradinaj ka akuzuar Qeverinë në detyrë për, siç ka thënë ai, përçarje dhe dëmtim të raporteve me aleatët, duke theksuar rëndësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai ka deklaruar se Kosova e ka vendin në familjen euroatlantike dhe se nuk duhet të lejohet ndikimi rus në vend.

Postimi i plotë:

Derisa kryeministri në detyrë sorollatet brigjeve të Greqisë, një shtet që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, duke marrë pjesë në simpoziume filozofike pa asnjë rezultat konkret për vendin, në anën tjetër po mbahet Samiti i NATO-s në Ankara, aty ku Kosova do të duhej të ishte duke ndërtuar partneritete, duke shtrënguar duar dhe duke hapur shtigje për avancimin e rrugës së saj drejt anëtarësimit në NATO.

Në vend që Kosovës t’i krijoheshin mundësi dhe dyer të hapura në një samit kaq të rëndësishëm, kjo qeveri, përmes përfaqësuesve të saj, vazhdon të prodhojë përçarje e sulme, herë kundër Kosovës, herë kundër Shqipërisë, herë kundër Amerikës.

Nuk do ta lejojmë që ky vend të kthehet prapa. Nuk do ta lejojmë që të dëmtohet aleanca jonë me Amerikën. Nuk do të lejojmë që ndikimi rus të gjejë hapësirë në Kosovë.

Kosova e ka vendin në familjen euroatlantike, krah Amerikës, e cila ka qëndruar pranë nesh në momentet më vendimtare të historisë sonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Ethem Çeku Ballkani mbetet një nga hapësirat më të…