Trumpi: Armëpushimi me Iranin ka marrë fund

08 korrik 2026 | 11:05

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se armëpushimi me Iranin “ka marrë fund”, duke e quajtur Teheranin “të sëmurë”, pasi Uashingtoni kreu sulme ndaj Republikës Islamike dhe Irani tha se kishte shënjestruar baza amerikane në Gjirin Persik.

“Thjesht është humbje kohe të merresh me ta”, tha udhëheqësi amerikan, teksa po fliste me gazetarët në Ankara të Turqisë, së bashku me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

“Sa më përket mua, ka marrë fund. Nuk dua të merrem më me ta. Janë mashtrues”, tha Trump.

“Janë të sëmurë. Udhëhiqen nga njerëz të sëmurë. Janë të pamëshirshëm, njerëz të dhunshëm dhe, nëse do të kishin një armë bërthamore, do ta përdornin”, shtoi ai.

Megjithëse Trump tha se Memorandumi i Mirëkuptimit “ka marrë fund”, ai shtoi se ua lë në dorë negociatorëve amerikanë nëse duan t’i vazhdojnë bisedimet e paqes.

Muajin e kaluar, Uashingtoni dhe Teherani nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi, që synon t’i japë fund luftës që nisi në fund të shkurtit me sulmet ajrore të ShBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.

Ky memorandum u kërkon të dyja shteteve të përmbahen nga kërcënimet ose përdorimi i forcës ndaj njëra-tjetrës. Po ashtu, ai parashikon një periudhë 60-ditore armëpushimi për t’u dhënë kohë palëve për diplomaci, me synim arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë.

Deklaratat e Trumpit vijnë pasi Garda Revolucionare Islamike tha më herët se kishte goditur objekte ushtarake amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të reja amerikane kundër Iranit.

Kuvajti dhe Bahrejni i konfirmuan sulmet.

ShBA-ja më herët kreu sulme të reja ndaj Republikës Islamike dhe hoqi një përjashtim nga sanksionet që i lejonte Teheranit të shiste naftë në rrethana të caktuara.

ShBA-ja e akuzoi Republikën Islamike për sulme ndaj anijeve tregtare në ngushticën e Hormuzit. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka reaguar lidhur…