Ymer Dragusha dënohet me dy vjet burgim në rastin “KEK 2”
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ish-shefin e Prokurimit në KEK, Ymer Dragushën, për katër vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, duke e dënuar me një dënim unik prej dy vjetësh burgim.
Sipas aktgjykimit të shpallur sot, Dragushës për pikën e parë të aktakuzës i është caktuar dënimi me një vit burgim, ndërsa për tri pikat e tjera nga tetë muaj burgim për secilën.
“Gjykata, duke u bazuar në nenin 76 të Kodit Penal, të pandehurit i shqipton dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vjetësh, i cili do të ekzekutohet brenda 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, u tha gjatë shpalljes së aktgjykimit.
Po ashtu, Gjykata e ka udhëzuar Avokaturën Shtetërore që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në procedurë të rregullt civile.
Me aktgjykim, Dragusha është obliguar të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale, përkatësisht 100 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Ymer Dragusha kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Speciale, të cilën Gjykata e kishte miratuar në seancën e 7 shkurtit 2025.



