Hamza takohet me drejtoreshën e NDI-së: Kosova duhet ta përshpejtojë rrugën drejt Bashkimit Evropian
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka pritur të mërkurën në takim drejtoreshën e Zyrës së NDI-së në Kosovë, ambasadoren Nancy Soderberg, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet politike në vend.
Hamza ka vlerësuar rolin e Institutit Demokratik Kombëtar (NDI) në forcimin e demokracisë në Kosovë dhe ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen që kjo organizatë i ka dhënë PDK-së ndër vite.
“Jemi falënderues për ndihmën që keni dhënë për ngritjen e kapaciteteve partiake dhe të institucioneve të Kosovës në përgjithësi”, ka thënë Hamza.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për zhvillimet e përgjithshme politike në vend, veçanërisht pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të 7 qershorit.
Hamza ka theksuar se Kosovës i nevojiten institucione qeverisëse që fokusohen në zhvillim ekonomik, forcimin e demokracisë dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian. Ai gjithashtu e ka njoftuar delegacionin e NDI-së për përgatitjet që po zhvillohen për zgjedhjet e brendshme në PDK.



