Rezoluta e PE-së: Serbia po ngec për shkak të sundimit të ligjit dhe politikës së jashtme
Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë për Serbinë, në të cilën vlerëson se vendi po ngec në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për shkak të përkeqësimit në fushat e sundimit të ligjit, demokracisë, të drejtave themelore dhe përafrimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
Në rezolutë është thënë se Serbia nuk ka përmbushur shumicën e detyrimeve të përcaktuara në dokumentin joformal të nëntorit 2024, i cili synonte heqjen e pengesave për hapjen e Kapitullit 3. PE-ja ka kërkuar që Beogradi të dëshmojë me veprime konkrete përkushtim ndaj vlerave evropiane dhe integrimit në BE.
Eurodeputetët kanë theksuar se Serbia, për shkak të pozitës së saj gjeopolitike, ka ndikim të rëndësishëm në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa kritikojnë përpjekjet për krijimin e sferave të ndikimit dhe veprimet që cenojnë marrëdhëniet me vendet fqinje. Një pjesë e rëndësishme e rezolutës i kushtohet politikës së jashtme të Serbisë. PE-ja i ka bër thirrje Beogradit që të përafrohet plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë. Sipas Parlamentit Evropian, përafrimi selektiv nuk është i mjaftueshëm për një vend kandidat.
Rezoluta shpreh shqetësim për marrëdhëniet e afërta të Serbisë me Rusinë dhe Kinën, investimet e tyre në vend dhe ndikimin e tyre në proceset politike dhe ekonomike. Po ashtu, kritikohet ndikimi i dezinformatave ruse në rajon dhe roli i Serbisë në aktivitetet hibride. PE-ja ka shprehur shqetësim edhe për forcimin ushtarak të Serbisë, bashkëpunimin e saj të sigurisë me Kinën dhe blerjen e pajisjeve ushtarake kineze, duke vlerësuar se këto zhvillime mund të ndikojnë në ekuilibrin rajonal të sigurisë.
Në dokument është kërkuar që Serbia të përparojë në fusha si reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, liria e medias, reforma e administratës publike dhe funksionimi i institucioneve demokratike.
Parlamenti Evropian gjithashtu ka kritikuar qasjen e Komisionit Evropian ndaj Serbisë, duke kërkuar që çdo regres në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit të reflektohet në ndihmën financiare para anëtarësimit.
Rezoluta shpreh shqetësim edhe për mbështetjen e ulët të anëtarësimit në BE në mesin e qytetarëve serbë, duke e lidhur këtë me narrativat kundër BE-së dhe dezinformimin e përhapur nga media dhe zyrtarë shtetërorë.
Miratimi i rezolutës vjen në kohën kur vendet anëtare të BE-së po diskutojnë mundësinë e vazhdimit të negociatave me Serbinë dhe hapjen e Kapitullit 3. Gjatë debatit në Parlamentin Evropian, shumica e eurodeputetëve kundërshtuan hapjen e këtij kapitulli. Rezolutat e Parlamentit Evropian nuk janë ligjërisht detyruese për shtetet anëtare të BE-së apo institucionet evropiane.



