MINTI dhe Instituti GAP shqyrtojnë bashkëpunimin për politikat zhvillimore dhe integrimin evropian

09 korrik 2026 | 16:01

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Institutit GAP, Blendi Hasaj dhe Nora Latifi Jashari, ku është diskutuar mundësia e bashkëpunimit në kuadër të agjendës së reformave të ministrisë.

Sipas MINTI-t, në takim është diskutuar roli që Instituti GAP mund të ketë përmes ekspertizës së tij në mbështetje të politikave zhvillimore në fushën e industrisë, ndërmarrësisë dhe inovacionit. Një nga temat kryesore ka qenë Mekanizmi i Rregullimit Kufitar të Karbonit (CBAM) i Bashkimit Evropian dhe nevoja për informimin e bizneseve në Kosovë lidhur me detyrimet që burojnë nga ky mekanizëm, veçanërisht në proceset e monitorimit, raportimit dhe verifikimit (MRV). Palët kanë diskutuar edhe mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet MINTI-t, odave ekonomike dhe Institutit GAP, si dhe përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile në hartimin dhe rishikimin e strategjive zhvillimore.

Ministrja Kusari-Lila ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike, sektorit privat dhe shoqërisë civile është thelbësor për avancimin e reformave, rritjen e konkurrueshmërisë ekonomike dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Italia ka dëbuar dy agjentë të dyshuar të shërbimeve sekrete…