Abdixhiku pranon ftesën e Kurtit për takim: Do të flasim fillimisht për parime
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, për një takim lidhur me konstituimin e institucioneve paszgjedhore.
Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Abdixhiku tha se partia e tij mbetet e gatshme të kontribuojë në formimin e institucioneve të reja.
“Sot kam pranuar një letër, një ftesë për takim me Kurtin, në formatin një plus një, dhe do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese. Le të jetë takimi i parë”, deklaroi ai.
Ai shtoi se pas këtij takimi synon të zhvillojë bisedime edhe me liderët e partive të tjera parlamentare.
“Ky ka qenë komunikimi i parë zyrtar me të që nga përfundimi i zgjedhjeve”, tha Abdixhiku.
Sipas tij, LDK-ja nuk do të hyjë në negociata duke diskutuar emra apo poste.
“Ne do të flasim fillimisht për parime. Ato janë publike të LDK-së, që të ketë trajtim gjithëpërfshirës për institucionet dhe të ketë balancë”, u shpreh ai.
Kryetari i LDK-së tha se Kryesia ka shqyrtuar rezultatet zgjedhore dhe zhvillimet politike pas certifikimit të tyre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
I pyetur për iniciativën e disa zyrtarëve të LDK-së për shkarkimin e tij, Abdixhiku deklaroi se deri më tani nuk është dorëzuar asnjë kërkesë zyrtare.



