Granit Xhaka i përgjigjet Ramiz Lladrovcit: “Rrënjët e mia shqiptare do të jenë gjithmonë pjesë e identitetit tim”
Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka falënderuar kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovcin, për mesazhin e urimit dhe mbështetjen e dhënë, duke theksuar se rrënjët e tij shqiptare do të mbeten gjithmonë pjesë e identitetit të tij.
Në një mesazh kthyes drejtuar Ramiz Lladrovcit, kapiteni i Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, ka shprehur mirënjohjen e tij për fjalët e ngrohta dhe mbështetjen që mori pas suksesit të fundit të ekipit të tij.
Xhaka vlerëson se mesazhi i Lladrovcit ka një domethënie të veçantë për të dhe rithekson krenarinë për rrënjët e tij shqiptare. “Faleminderit nga zemra për fjalët kaq të ngrohta dhe për mbështetjen tuaj të sinqertë. Është nder i madh për mua të lexoj këtë mesazh. Çdo ndeshje e luaj me përgjegjësi, krenari dhe respekt për fanellën që përfaqësoj, por rrënjët e mia shqiptare do të jenë gjithmonë pjesë e identitetit tim.
Mbështetja e shqiptarëve kudo në botë më jep forcë dhe motivim të vazhdoj të jap më të mirën në fushë. Faleminderit edhe për fjalët e bukura për familjen time, veçanërisht për babanë tim. Ato kanë një vlerë të veçantë për ne.
Ju jam mirënjohës për urimet dhe besimin tuaj. Shpresoj të vazhdojmë t’ju bëjmë krenarë me paraqitjet tona.
Me respekt dhe mirënjohje,
Granit Xhaka.”
Mesazhi i Xhakës vjen si përgjigje ndaj urimit publik të Ramiz Lladrovcit, i cili e cilësoi futbollistin si “Kapedanin shqiptar” dhe shprehu krenarinë për arritjet e tij, duke vlerësuar njëkohësisht kontributin e familjes Xhaka në formimin e një sportisti që vazhdon të nderojë shqiptarët dhe vendin që përfaqëson në arenën ndërkombëtare.



