IKD-ja kërkon ndryshime para miratimit të ligjit për Byronë e Konfiskimit

10 korrik 2026 | 13:13

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se draftligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ka shënuar përparim krahasuar me versionet e mëparshme, por ende përmban mangësi që duhet të adresohen para miratimit të tij.

Gjatë prezantimit të raportit “Pasuria e pajustifikueshme, drejtësia e justifikueshme”, hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gëzim Shala, ka deklaruar se projektligji është diskutuar për gjashtë vjet dhe është rrëzuar dy herë nga Gjykata Kushtetuese.

Ai ka theksuar se, ndonëse janë reflektuar disa nga gjetjet e Gjykatës Kushtetuese, ende mbeten çështje serioze që kërkojnë rishikim. “Gjetjet tregojnë se ende mbesin çështje të hapura në raport me këtë projektligj. Përkundër faktit se qëllimi mund të jetë legjitim, është po ashtu legjitime që ky projektligj të garantojë siguri juridike dhe mbrojtje nga arbitrariteti, në mënyrë që të jetë një mjet i sundimit të ligjit në fushën e luftimit të pasurisë së pajustifikueshme dhe, në asnjë rrethanë, një mjet arbitrar ndaj subjekteve që i nënshtrohen këtij ligji.

Fillimisht, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar përparimin e bërë në këtë draft krahasuar me draftin paraprak, në kuptim të përfshirjes së gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, ende mbesin çështje serioze të hapura, të cilat kërkojnë rishikim të këtij projektligji para miratimit të tij. Byroja do të ketë një mandat të rëndësishëm dhe, për këtë arsye, edhe procedura dhe mandati i saj duhet të jenë të qarta, të sakta dhe të mos krijojnë hapësirë për arbitraritet”, është shprehur Shala.

Më tutje, Shala ka deklaruar se draftligji duhet të garantojë pavarësi më të madhe të Byrosë, duke rekomanduar që drejtori dhe anëtarët e komisionit mbikëqyrës të zgjidhen me të paktën 61 vota në Kuvend.

Ai ka ngritur shqetësime edhe për paqartësitë në përcaktimin e termit “pasuria në masën më të lartë”, si dhe për mungesën e një divizioni të specializuar në Gjykatën e Apelit për trajtimin e këtyre rasteve. “Një prej çështjeve kryesore që lidhet me pavarësinë e Byrosë është mënyra e zgjedhjes së drejtorit të saj dhe anëtarëve të komisionit mbikëqyrës, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Sipas draftit aktual, drejtori dhe këta anëtarë do të zgjidhen me shumicë të thjeshtë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pra me gjysmën e deputetëve që janë të pranishëm dhe votojnë. Në këtë kontekst, Instituti i Kosovës për Drejtësi rekomandon që kjo shumicë të rritet, në mënyrë që të garantohet gjithëpërfshirje më e madhe dhe pavarësi më e madhe, në mënyrë që Byroja të mos konceptohet si instrument i qeverisë. Nëse kërkohet vetëm shumicë e thjeshtë, atëherë drejtori dhe anëtarët e komisionit mbikëqyrës mund të zgjidhen lehtësisht nga partia në pushtet, e cila zakonisht e ka shumicën e nevojshme në Kuvend. Për këtë arsye, Instituti i Kosovës për Drejtësi rekomandon që të kërkohen të paktën 61 vota për zgjedhjen e drejtorit të Byrosë dhe anëtarëve të komisionit mbikëqyrës, të cilët zgjidhen nga Kuvendi”, është shprehur Shala.

Sipas tij, projektligji ka shënuar përmirësime edhe në përcaktimin e periudhës së verifikimit, për të cilën Gjykata Kushtetuese më herët kishte evidentuar problematika.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-gazetari i TV Syri Vision, Ngadhnjim Haxhosaj, është emëruar zëdhënës…