ATK shënon rezultate rekorde në gjashtë muajt e parë të vitit 2026
Administrata Tatimore e Kosovës vazhdon trendin e fuqishëm të rritjes së të hyrave tatimore. Gjatë periudhës janar–qershor 2026 janë arkëtuar 595.6 milionë euro, që përbën 71.5 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur ishin arkëtuar 524.1 milionë euro. Krahasuar me vitin 2024, kur të hyrat ishin 473 milionë euro, rritja arrin në 122.6 milionë euro, duke dëshmuar një ecuri të qëndrueshme pozitive në mbledhjen e të hyrave tatimore.
Rritja e vazhdueshme e të hyrave tatimore është rezultat i zbatimit të masave për forcimin e administrimit tatimor, avancimit të analizës së riskut, intensifikimit të aktiviteteve të monitorimit dhe kontrollit, si dhe krijimit të mekanizmave më efikasë për identifikimin dhe raportimin e evazionit tatimor. Këto masa kanë kontribuar në rritjen e nivelit të përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore, përmirësimin e disiplinës fiskale dhe zgjerimin e bazës tatimore.
Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, theksoi se rezultatet e arritura janë dëshmi e përkushtimit të institucionit për forcimin e përmbushjes tatimore dhe modernizimin e administrimit tatimor.
“Rritja e të hyrave tatimore është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të institucionit për të përmirësuar shërbimet ndaj tatimpaguesve, për të forcuar mbikëqyrjen dhe për të siguruar zbatim të drejtë e të barabartë të legjislacionit tatimor. Do të vazhdojmë të investojmë në modernizimin e proceseve, fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe ndërtimin e partneritetit me bizneset dhe qytetarët, me qëllim krijimin e një sistemi tatimor transparent, efikas dhe të besueshëm” tha drejtori Hyseni.
Përveç aktiviteteve dhe aksioneve të ndërmarra gjatë kësaj periudhe, Administrata Tatimore ka realizuar edhe aktivitete të vazhdueshme monitoruese përmes vizitave dhe kontrolleve të fokusuara në sektorët me nivel më të lartë të riskut. Gjatë periudhës janar–qershor 2026 janë kryer 1,015 kontrolle, me theks të veçantë në sektorin e ndërtimtarisë, tregtisë, akomodimit dhe shërbimeve ushqimore, si dhe në industrinë përpunuese. Si rezultat i këtyre aktiviteteve është konstatuar tatim shtesë në vlerë prej 58.5 milionë euro. Paralelisht, janë shqiptuar 2,538 gjoba në vlerë totale prej 1.42 milionë euro.
Krahasuar me vitet paraprake, trendi i uljes së numrit të gjobave tregon rritje të nivelit të përmbushjes vullnetare, si dhe efektet pozitive të edukimit dhe informimit të tatimpaguesve lidhur me përgjegjësitë e tyre.
Kontribut të rëndësishëm në këto rezultate ka dhënë edhe bashkëpunimi me qytetarët. Gjatë kësaj periudhe është shënuar rritje prej 50% e raportimeve nga qytetarët, duke mundësuar identifikimin dhe trajtimin më efikas të rasteve të shkeljeve tatimore.
Në fund të konferencës, drejtori i ATK-së përmendi edhe procesin e certifikimit të arkave softuerike SEF, në kuadër të të cilit janë duke u licencuar operatorët ekonomikë, duke theksuar se ky projekt do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në formalizimin e ekonomisë në vend, si dhe do të mundësojë sigurimin e informacioneve me interes për institucionet relevante.
Drejtori Hyseni falënderoi secilin punëtor të ATK-së, i cili ka kontribuar që sot të flasim për rezultate tejet të rëndësishme. Një falënderim të veçantë e shprehu edhe për mediat, për transmetimin dhe promovimin e punës që bën institucioni.



