Qeveria pezullon konkurset për 18 pozita të larta drejtuese
Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike dje ka marrë një vendim të çuditshëm.
Dikasteri që drejtohet nga ministri në detyrë Lulëzon Jagxhiu ka marrë vendim për pezullimin e 18 pozitave të larta drejtuese në administratën shtetërore.
Në njoftimin që e ka siguruar gazeta Nacionale nuk tregohen arsyet pse janë pezulluar procedurat për zhvillimin e mëtutjeshëm të këtyre konkurseve.
Aty thuhet se një verim i tillë është bërë me qëllim të shmangies të ndonjë dëmi eventual.
Por, në njoftim nuk përmenden se cilat dëme mund të shkaktohen.
“Pezullohen procedurat e rekrutimit në punë të referencës RN00019637, RN00019638, RN00019639, RN00019640, RN00019641, RN00019642, RN00019645, RN00019646, RN00019653, RN00019647, RN00019655, RN00019656, RN00019657, RN00019658, RN00019659, RN00019662, RN00019663, RN00019664 me qëllim të shmangies të ndonjë dëmi eventual dhe rrjedhimisht duke mos cenuar interesin publik”, është thënë në njoftim.
Gazeta ka mësuar se konkurset që janë pezulluar kanë të bëjnë me pozita të sekretarëve në ministri dhe drejtorëve e zëvendësdrejtoreve në agjencione shtetërore.
Në njoftim gjithashtu thuhet se procedura e rekrutimit mund të vazhdojë në të ardhmen.
“Procedurat e rekomandimit mund të vazhdojnë në momentin e largimi të rrethanave objektive”, është thënë në njoftim.

Këto pozita ishin shpallur në muajin prill, disa ditë para së të shpërndahet Kuvendi i Kosovës.
Shpallja e këtyre pozitave nga qeveria në detyrë ishte kundërshtuar nga opozita dhe shoqëria civile.
Sipas tyre, këto nuk ishin konkurse normale, por përpjekja për të kapur institucione dhe pozita të larta në administrata para zgjedhjeve të 7 qershorit.
Cilat konkurse janë pezulluar?
1. Sekretar – Ministria e Mjedisit
2. Sekretar – Ministria e Shëndetësisë
3. Zëvendësdrejtor – Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave
4. Zëvendësdrejtor – Agjencia e Regjistrimit Civil
5. Zëvendësdrejtor – Agjencia e Arkivave
6. Drejtor Ekzekutiv – Agjencia e Arkivave
7. Drejtor Ekzekutiv – Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore
8. Drejtor Ekzekutiv – Agjencia e Zhvillimit të Rinisë
9. Drejtor Ekzekutiv – Agjencia Antidoping
10. Drejtor Ekzekutiv – Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit
11. Drejtor Ekzekutiv – Agjencia për Siguri Kibernetike
12. Drejtor Ekzekutiv – Agjencia për Pronësi Industriale
13. Kryeinspektor – Ministria e Tregtisë
14. Drejtor Ekzekutiv – Agjencia Kosovare për Standardizim
15. Drejtor i Thesarit – Ministria e Financave
16. Drejtor Ekzekutiv -AQP
17. Drejtor Ekzekutiv – Agjencia e Kosovës për Pajisje Medicinale
18. Sekretar – Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.



