“Little Albania” në hartën e lagjeve të New Yorkut
“Little Albania” është përfshirë në hartën zyrtare të enklavave të emigrantëve në New York, të publikuar nga bashkia e qytetit, duke u renditur mes komuniteteve të ndryshme që kanë lënë gjurmë në historinë kulturore të metropolit amerikan.
Harta paraqet 30 zona të identifikuara me komunitete emigrantësh në pesë bashkitë e New Yorkut. Mes tyre është edhe “Little Albania”, e vendosur në Bronx, në afërsi të zonës së njohur Arthur Avenue, ku prej dekadash jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar.
Megjithatë, publikimi i dokumentit ka shkaktuar debat publik, pasi në listë mungon “Little Italy”, një nga lagjet më simbolike të emigracionit italian në Shtetet e Bashkuara dhe një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë historike të New Yorkut.
Përfaqësues të komunitetit italo-amerikan, politikanë lokalë dhe drejtues të institucioneve kulturore kanë reaguar ndaj këtij përjashtimi, duke e cilësuar atë si një gabim të rëndë, shkruan newyorkpost.

Sipas tyre, kontributi i emigrantëve italianë ka qenë themelor në zhvillimin e qytetit dhe nuk mund të anashkalohet në një hartë që synon të pasqyrojë historinë e komuniteteve të emigrantëve.
Pavarësisht polemikave, “Little Albania” është përfshirë zyrtarisht në këtë hartë, së bashku me zona të tjera të njohura si Koreatown, Little Ukraine, Little Guyana, Little Pakistan, Little Yemen dhe Chinatown.
Bashkia e New York-ut ka bërë të ditur se qëllimi i hartës është të dokumentojë lagjet që janë formuar dhe identifikuar ndër vite nga komunitete të ndryshme emigrantësh.
Megjithatë, debati i fundit ka hapur diskutime mbi mënyrën e përzgjedhjes së këtyre zonave dhe mbi përfaqësimin e drejtë të trashëgimisë kulturore të qytetit. /Telegrafi/



