Alajdin Fusha i ABI-t kritikon Shoqatën e Qumështoreve: Deklaratat pa veprime nuk kanë logjikë

12 korrik 2026 | 14:28

Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka njoftuar se masat e ndërmarra nga Ministria e Bujqësisë kanë filluar të japin rezultatet e para, duke bërë që qumështi i fermerëve të grumbullohet në masë më të madhe.

Megjithatë, sipas shoqatës, ende ka vështirësi në disa zona, veçanërisht në Podujevë dhe Vushtrri, ku një numër fermerësh vazhdojnë të përballen me mungesë të grumbullimit të prodhimit.

“Problem mbetet pjesa e Podujevës dhe Vushtrrisë, ku rreth 35 fermerëve në Podujevë dhe rreth 30 fermerëve në Vushtrri ende nuk u grumbullohet qumështi. Janë rreth 5-6 tonë qumësht që vazhdojnë të mbesin pa u grumbulluar”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Qumështoreve.

Shoqata u ka bërë thirrje përpunuesve të qumështit që operojnë në këto zona të ndërmarrin hapa për grumbullimin e kësaj sasie, në mënyrë që i gjithë prodhimi i fermerëve të mos mbetet pa treg.

Ndaj këtij reagimi ka reaguar Alajdin Fusha, drejtues në qumështoren ABI në Prizren, i cili ka kritikuar qasjen e Shoqatës së Qumështoreve, duke kërkuar më shumë veprime konkrete dhe transparencë.

“Deklaratat pa veprime a kanë logjikë? Atëherë pse ekziston shoqata?”, ka shkruar Fusha.

Sipas tij, nuk është e qartë se sa qumështore janë realisht anëtare të Shoqatës së Qumështoreve, kush përbën kryesinë dhe sa prej tyre janë të angazhuara në mënyrë aktive në grumbullimin e qumështit të freskët.

“Do të ishte shumë më efektive që vetë anëtarët të organizohen dhe të marrin përgjegjësi konkrete për grumbullimin e kësaj sasie prej 5-6 mijë litrash, në vend të publikimeve dhe thirrjeve në rrjetet sociale”, ka theksuar ai.

Fusha vlerëson se për disa qumështore që bashkëpunojnë, grumbullimi i rreth 6.000 litrave qumësht nuk përbën një sfidë të madhe dhe nuk ndikon ndjeshëm në treg.

Ai kërkon gjithashtu më shumë transparencë nga shoqata, duke theksuar se publiku duhet të informohet se cilat qumështore janë anëtare, sa qumësht grumbullon secila dhe çfarë kontributi konkret kanë dhënë për zgjidhjen e situatës.

“Nuk është e drejtë që përgjegjësia të transferohet vetëm te Ministria apo përpunuesit e tjerë, ndërkohë që vetë anëtarët e shoqatës mbeten pasivë”, ka shtuar Fusha.

Në fund, ai ka theksuar se stabilizimi i sektorit të qumështit nuk arrihet me deklarata publike apo akuza të përgjithshme, por kërkon kontrata të qarta, pagesa të rregullta, grumbullim të garantuar, mbikëqyrje institucionale dhe përgjegjësi nga të gjithë aktorët e përfshirë në këtë sektor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një 25-vjeçar është gjetur pa shenja jete mëngjesin e së…