Senegali shkarkon trajnerin pas eliminimit nga Botërori
Senegali ka shkarkuar trajnerin Pape Thiaw pas eliminimit të ekipit në fazën e 1/16-tës së Kupës së Botës 2026.
“Luanët e Terangës”, të drejtuar nga Thiaw që nga dhjetori i vitit 2024, e nisën turneun me dy humbje ndaj Francës dhe Norvegjisë.
Megjithatë, siguruan kalimin në fazën me eliminim direkt pas fitores së thellë 5-0 ndaj Irakut, duke u kualifikuar si një nga skuadrat më të mira që përfunduan grupin në vendin e tretë.
Në duelin ndaj Belgjikës në fazën e 1/16-tës, Senegali ishte në epërsi 2-0, por pësoi dy gola në fund dhe një tjetër nga penalltia në kohën shtesë, duke u eliminuar me rezultatin 3-2.
Pas eliminimit, mesfushori Pape Gueye deklaroi se do të “marrë një pauzë” nga përfaqësuesja për sa kohë që stafi aktual teknik do të vazhdonte të ishte në detyrë, transmeton Klankosova.tv.
Federata e Futbollit të Senegalit njoftoi se, pas një vlerësimi të rezultateve sportive dhe të perspektivës së ekipit kombëtar, kishte vendosur ta shkarkonte Thiaw “në interesin më të mirë të futbollit senegalez”.
Thiaw kishte qenë edhe në qendër të polemikave pas Kupës së Afrikës, ku Senegali u përball me pasoja pas finales kundër Marokut.
Trajneri kishte larguar ekipin nga fusha pasi Marokut iu akordua një penallti në minutat shtesë, ndërsa më vonë Konfederata Afrikane e Futbollit vendosi t’ia jepte titullin Marokut pas ankesës.
Senegali ka apeluar vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv dhe shpreson të rikthejë trofeun e Kupës së Afrikës.



