Srebrenica – mësimi që nuk u nxorrë akoma

Çdo korrik, bota kujton Srebrenicën. Udhëheqësit mblidhen për të nderuar viktimat, përsërisin premtimin “Kurrë Më” dhe riafirmojnë përkushtimin e tyre ndaj të drejtave të njeriut. Megjithatë, tridhjetë e një vjet pas gjenocidit, pyetja thelbësore që mbetet është : a ka nxjerrë mësim bota nga rasti i Srebrenicës?
Gjenocidi në Srebrenicë, ku më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë u vranë sistematikisht në korrik të vitit 1995, nuk ishte vetëm një krim kundër njerëzimit, por edhe një dështim shkatërrues i mbrojtjes ndërkombëtare. Ai dëshmoi se gjenocidi nuk fillon me vrasjet masive. Ai fillon me çnjerëzimin, ekstremizmin nacionalist, indiferencën politike dhe dështimin për të përballur shenjat paralajmëruese përpara se dhuna të përshkallëzohet.
Sot, këto mësime mbeten ende të pamësuara.
Ndoshta dështimi më i madh është paaftësia për të parandaluar mizoritë e ardhshme dhe vazhdimësia e mohimit të gjenocidit. Në pjesë të Ballkanit Perëndimor, mohimi dhe revizionizmi historik vazhdojnë të minojnë pajtimin. Kriminelët e dënuar të luftës glorifikohen nga disa si heronj kombëtarë, faktet e vërtetuara nga gjykatat hidhen poshtë dhe narrativat kundërthënëse historike përdoren si armë politike.
Kjo është një strategji e qëllimshme që thellon ndarjet shoqërore, ritraumatizon të mbijetuarit, dobëson institucionet demokratike dhe pengon pajtimin e mirëfilltë.
Historia bëhet edhe më e rrezikshme kur ajo manipulohet për përfitime politike. Narrativat nacionaliste dhe revizionizmi historik vazhdojnë të ushqejnë paqëndrueshmërinë rajonale dhe të pengojnë integrimin euroatlantik. Në vend që të pranojnë të faktet e vërtetuara ligjërisht, elitat politike shumë shpesh shfrytëzojnë plagët historike për të konsoliduar pushtetin dhe për të mbajtur gjallë polarizimin.
Sekëndejmi, në një mjedis të tillë, mohimi bëhet vazhdimësi e padrejtësisë.
Në të njëjtën kohë, Srebrenica nxjerr në pah edhe një sfidë tjetër që vazhdon të cënojë besimin në të drejtën ndërkombëtare: perceptimin e drejtësisë selektive.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë ndjekur penalisht ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime të pretenduara të kryera gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë. Vendimi përfundimtar pritet në mesin e shtatorit të këtij viti.
Megjithatë, drejtësia ndërkombëtare nuk është perceptuar gjithmonë si të konsistente. Derisa disa raste kanë marrë vëmendje të jashtëzakonshme ndërkombëtare, reagimet ndaj rasteve të tjera janë parë nga shumëkush si të kufizuara dhe nën hijen nga kalkulimet gjeopolitike në një anë, dhe nga përpjekjet për ta parë Serbinë me një sy të mbyllyr me synimin për ta mbajtur atë larg prej ndikimit rus. Si pasojë, besimi në institucionet ndërkombëtare është zvogëluar.
Drejtësia jo vetëm që duhet të zbatohet, por ajo duhet të shihet se zbatohet në mënyrë të barabartë, sepse perceptimi i drejtësisë selektive dobëson vetë parimet të cilat e drejta ndërkombëtare synon të mbrojë.
Ky parim shtrihet shumë përtej Ballkanit. Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës ka treguar edhe një herë se sa shpejt Evropa mund të rrëshqasë në dhunë masive marramendëse, zhvendosje të popullsisë dhe vuajtje të gjatë të civilëve të pafajshme.Ndërkohë, paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme, përfshirë tensionet rreth Ngushticës së Hormuzit, ka sjellë pasiguri ekonomike, rritje të kostove të energjisë dhe presion mbi familjet në mbarë Evropën. Srebrenica na kujton se përgjegjësia pasi kryhen mizoritë nuk mjaftojnë. Parandalimi duhet të bëhet parimi udhëheqës i veprimit ndërkombëtar, duke i dhënë përparësi ndërhyrjes së hershme, mbrojtjes së civilëve dhe parandalimit të vuajtjeve njerëzore përpara se krizat të bëhen të paevitueshme dhe të pariparueshme.
Viktimat e Srebrenicës meritojnë më shumë sesa përkujtime të përvitshme të shoqëruara me fjalime dhe deklarata solemne. Trashëgimia e tyre kërkon qëndrueshmëri morale dhe guxim politik për t’u përballur me mohimin, revizionizmin dhe narrativat që vazhdojnë të shtrembërojnë të vërtetën dhe të ushqejnë ndasitë brez pas brezi. Gjykatat mund të vendosin përgjegjësi ligjore dhe të japin vendime, por ato nuk mund të dekonstruktojnë mitet dhe narrativat politike që mundësojnë që urrejtja të mbijetojë.
“Kurrë Më” nuk mund të mbetet vetëm një frazë ceremoniale që përsëritet çdo korrik. Ajo duhet të shndërrohet në një parim universal, që pasqyrohet në politika konkrete, mekanizma efektivë të parandalimit të hershëm dhe një angazhim të sinqertë për mbrojtjen e civilëve përpara se të ndodhin mizoritë. Mësimet e Srebrenicës shtrihen përtej Bosnjë dhe Hercegovinës: nga Ukraina deri në Lindjen e Mesme, bashkësia ndërkombëtare vazhdon të përballet me pasojat e veprimit të vonuar dhe reagimeve selektive ndaj vuajtjeve njerëzore. Derisa parandalimi i gjenocidit të ketë prioritet përmbi kalkulimeve gjeopolitike, mohimi i gjencoditit të sfidohet dhe drejtësia ndërkombëtare të mos zbatohet në mënyrë selektive, Srebrenica do të mbetet jo vetëm një tragjedi e së kaluarës, por edhe një paralajmërim fatkeq për të ardhmen e Evropës.
Paqja e qëndrueshme kërkon një angazhim të ri ndërkombëtar ndaj së vërtetës, pajtimit dhe sundimit të ligjit, ku mbrojtja e jetës njerëzore të mos përcaktohet nga interesat politike, aleancat strategjike apo kufijtë gjeografikë.
Fotoja e kopertinës: Gratë myslimane boshnjake luten në varrezat memoriale në Potoçari, pranë Srebrenicës, më 11 korrik 2026, në shënimin e 31-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës. (Foto: Elvis Barukčić / AFP).
Compose



