Kujtime, tregime dhe shkrime, për ish tribunin e Malësisë së Gjakovës, patriotin, partizanin, deputetin dhe themeluesin e qytetit të Bajram Currit, MEHMET RAMË DOLLAPI

14 korrik 2026 | 22:22

Nga: Syl Gosturani, mësues në Gosturan të Tropojës. Ka mbaruar Institutin e lartë Pedagogjik në Shkodër.

Gazeta”Zëri i Popullit”.
Tiranë 01 Nëntor 2014.

Mehmet Ramë Dollapi, biri i Tropojës, jetën ia kushtoi asaj. Shumë burra të shquar, me atë që kanë bërë për vendin ku kanë lindur, nuk mund të anashkalohen, të lihen në heshtje e “harresë”. Ky 70 vjetor na sjellë në kujtesë plot burra të shquar, të cilët rast pas rasti, nëpërmjet medias së shkruar, po sillen të gjallë për atë që kanë bërë në dobi të vendit e banorëve të tij. Një ndër këta burra ishte edhe Mehmet Ramë Dollapi. Ai u lind në fshatin Koçanaj në një familje të njohur dhe të përmendur, në ato anë për zgjuarsi e trimëri. Zgjuarsia dhe trimëria e asaj familje qenë për Mehmetin kategorike, udhërrëfyese e testament, që ai të bëhej një dhe i pandarë me Tropojën.

Mehmet Rama u arsimua në medresenë e Tiranës, por ai nuk u bë kurrë klerik, por revolucionar me pushkë në krah. Kjo jo për çudi të fatit, por për ndryshime ideshë botkuptimore, nga metafizike e obskurantiste, në dialektike e revolucionare në ndërgjegjen, në veprimtarinë, në marrdhëniet ndërnjerëzore të Mehmet Ramë Dollapit dhe vënja në dispozicion të Atdheut e të popullit gjithçka. Për atë kohë nuk ishte e lehtë të ndrroje botkuptimin diametralisht të kundërt, në atë materjalist dialektik.
Vetëm njeri, që ka grumbulluar në filizofinë e tij një urrejtje të pakufi për çfarë ishte përgatitur, mund ta bënte një të till veprim. Te Mehmet Ramë Dollapi ishte krijuar urrejtje e thellë ndaj pushtuesit nazi-fashist e reprezaljeve, që ai bënte mbi popullin e pambrojtur, prandaj ai bragtisi rrugën e nisur dhe ju bashkua forcave revolucionare të Malësisë së Gjakovës. Ishte viti 1942, kur Mehmeti vazhdonte studimet në medresenë e Tiranës dhe në ditët e para të atij maj, dritarja ku ai flinte i solli krisma pushkësh. Pas krismameve dhe zërave, që u dëgjuan, Mehmeti afrohet tek dritaria, dhe atje poshtë medresesë sheh turma njerêzish, në mes të të cilëve dallon edhe karabinier italian, dallon se dikush ishte vrarë. Shumë shpejt mësoi, se ai, që u vra atë ditë(5 maj 1942) ishte një djalë i ri dhe njeri nga kryesorët e PKSH, që drejtonte luftën kundër okupatorit, i cili ishte Qemali Stafa. Ky akt barbar bëri që Mehmet Rama të ndryshoj kurs. Studimet nuk i ndërpreu, se ishte në përfundim të tyre, por sapo i mbaroi ato, u nis për në vendlindjen e tij Tropojë, ku iu afrua detyra e kryemyftiut të vendit, detyrë, të cilën Mehmeti e vazhdoi për pak kohë dhe në një ditë vere të korrikut 1944-tër, me një revolver në brez, niset i vetmuar për në bjeshkët e Tropojës. Në një shpat të atyre bjeshkëve, afër një burimi me ujë të bollshëm e të freskët ulet e shplodhet. Një grup njerëzish po i afroheshin. I lindi dyshimi se mos janë në gjurmim të tij, prandaj mbushi revolverin dhe bëhet gati për qëndresë. Në vrojtim e gjykim, ai dallon se njerëzit, që po i afroheshin ishin partizan të çetës ”SHKËLZENI”, që i drejtonte Dino Bajraktari. Për këtë moment Mujo Sokoli, njeri nga pjesëmarrësit e atij grupi ja se çfarë thotë: “…arritëm te burimi, ishim të lodhur, Mehmeti u ngritë në këmbë e na përshëndeti, duke na e dhënë dorën të gjithëve… fjalët pëshëndetse mbaruan, duhej gjetur filli për të vazhduar më tej bashkëbisedimin me Mehmetin, që po qëndronte i vetmuar…na shkoi ndërmend që Mehmeti po kërkonte shok lufte, për tu bashkuar me ta”.

Dino Bajraktari hidhet menjëherë në temë, duke iu drejtuar Mehmet Ramës: “…Po të shohim të vetmuar o Mehmet Rama, në se je duke kërkuar shok, për tu bashkuar me ta në luftë kundër okupatorit, shok më të mirë e më besnik se ne s’ke për të gjetur “.
Biseda e hapur në atë moment, në mes të Mehmet Ramës e grupit partizan, që po udhëtonte për në Plavë e Guci, për t’ju ardhur atje në ndihmë forcave partizane e Popullit Shqiptar, që banonte në ato treva, përfundoi me lidhje bese, për jetë a vdekje në luftë kundër okupatorit gjer në çlirimin e plot të vendit. Mehmet Rama i bashkangjitet çetës partizane, për të mos u ndarë gjer në fitore. Situata të papara i solli ajo rrugë. Sapo arritën në Plavë u strehuan në një bazë partizane. Brigada e 6-të malazeze, që përballonte peshën kryesore të luftimeve në atë zonë, u sulmua befasisht nga forca të shumta gjermane. Terrori dhe raprezaljet qenë të llahtarëshme. Njerëzit morën ikjen drejt malit të Plavës. Partizanët e çetës malazeze u çorientuan nga befasia, andaj dhe ata u tërhoqën të çorganizuar. Çeta e Dino Bajraktarit bashkë me Mehmet Ramën trim e i mençur, për tre ditë e netë, pa ngrënë asgjë, vetëm ujë bjeshke pinin, bëri gjithçka, për të ndihmuar burrat, gratë e fëmijët e Plavës e të fshatrave përreth saj, që ata të mos binin në duart e fashistëve, por të qëndronin në stanet e bjeshkëve, në shpellat e gërxheve e në çfarëdo vendi tjetër të përshtatshëm për strehim. Vetëm pasi sigurohet popullata e asaj ane, Mehmet Rama dhe çeta ”Shkëlzeni” kthehet në Malësi. Mehmeti tanimë një partizan i ri, por me vizion të qartë politik, hynë në thellësitë e situatave. Detyrat ishin të shumta. Tropojës po i afroheshin dita e çlirimit. Forcat ballistio-zogiste të atyre anëve, bënin gjithçka që pushteti të mos merrej nga komunistët. Mehmet Rama i vihet punës ideore, për ta bindur popullin, që ai të mos gënjehej më nga ata, që i kishin mashtruar tërë jetën e jetës. Fjala e Mehmet Ramës në popull ishte shumë e fuqishme, por më e fuqishme dhe më konkrete për tërë popullin e Tropojës ishte distancimi ideor dhe pjesmarrja aktive në luftë antifashiste Nacionalçlirimtare. Këto akte sa folizofike, aq edhe burrërore e madhëruan Mehmet Ramë Dollapin.
Atë shpesh në takime, me burra e të rinj e pyesnin:
-Si e more këtë rrugë o Mehmet Rama?
-Në të dinin tjetër e ti na dole maleve?
Mehmeti ju pëgjigjej shkurt dhe prerë:
“Tani kam gjetur rrugën më të mirë”.
Koha nuk priste. Që të arrihej dita e çlirimit, vendit i duheshin shumë forca, prandaj dhe Mehmeti ju bashkangjit drejtuesëve më të mirë, Beqir Ndout, Shpend Degës, Dino Bajraktarit, Mujo Sokolit, të deleguarëve politik të Shtabit të Përgjithshëm, e shumë e shumë të tjerëve dhe spushoi së renduri fshat më fshat e zonë më zonë, për të bindur e aktivizuar sa më shumë të rinjë e burra në radhët partizane, që të kalohej në formimin e Brigatës partizane të Tropojës, e cila e mori emrin “Brigada e 25 SULMUES e”.
Ndonse Mehmet Rama nuk u rendit në radhët e asaj brigade, kontributin i tij, që nga projekti, programi dhe deri te kompletimi i të gjitha strukturave me kuadro drejtuese, qe një ndihmesë e pakontestuar dhe puna e tij shumë frutdhënëse.


Formimi i Brigadës 25 sulmuese, më
(26 nëntor 1944), shënoj dhe çlirimin e Tropojës. Brigada sapo formohet merë detyrën luftarake, të niset për Kosovë, që të kontriboj për çlirimin e trojeve shqiptare në Kosovë. Forcat ballisto-zogiste, të përbëra nga pari e krer fisesh morën arratinë në male dhe përpiqeshin të riorganizoheshin për një sulm të mundshëm, për të përmbysur Këshillin Nacionalçlirimtar, që kryente rolin e qeverisë vendore.

Mehmet Ramës iu besua detyra e “Komandantit të Vendit”, detyrë që e kryeu me devotshmëri e përkushtim, duke bërë që të dështonin çdo përpjekje, apo orvatje e forcave mercenare. Çlirimi i vendit, Tropojën e gjenë në një varfëri të tejskajshme e situatë politike të turbullt. Qendra administrative ishte Tropoja e vjetër, që nuk plotsonte as kushtet minimale. Popullit i mungonte buka, veshja, mbathja, strehimi, shkollimi, kushtet higjeno-sanitare, furnizimi e punësimi. Pisha e kandili ndriçonin sofrën e darkës. Bagëtia e njerëzit bashkëjetonin nën një çati. Analfabetizmi mbizotronte në masën dërrmuese të popullsisë. Vajzat nuk shkolloheshin asnjë. Konflikte të vjetra kishte, të cilat elementët destruktiv, përpiqeshin ti gjallëronin. Primitiviteti e hamallëku ishin mënyra e të jetuarit. Njerëzit të mbërthyer nga konceptet e vjetra e të lidhur me atë mikro-mikro pronë të vogël e atë grusht bagëti që mbanin, kundërshtonin të shkonin në aksione lokale e ato kombëtare. Në këto kushte tejet rënduese, forcat destruktive ballisto-zogiste përpiqeshin të ngjallnin panik e pasiguri në popull. Në këto tablo aspak favorizuese, Mehmet Rama mori në drejtim Tropojën, vendlindjen e tij. Duke u mbështetur në teorinë revolucionare dhe në aksionin si metodologji vepruese, Mehmet Rama bashkë me shtabin drejtues të rrethit të Tropojës, hartoi programin e transformimit, që nuk ishte as më pak e as më shumë, veçse një front lufte, në gjatësinë e të cilit përfshiheshin; lufta kundër analfabetizmit, hapja e shkollave fillore në të gjitha fshatrat dhe atyre shtatë vjeçare në qendra kryesore, përgatitja e mësuesve të emergjencës dhe pa arsim përkatës, lidhja e rrethit me rrugë nacionale, fillimi i punimeve për ndërtimin e qendrës së re administrative (Bajram Currin). Të gjitha këto objektiva e shumë të tjera, përbënin për vitet e para atë strategji transformuese,që do të përcaktonte konsoludimin e fitoreve të luftës dhe mposhtjen e të gjitha përpjekjeve të elementëve koçak, që tashmë ishin vënë totalisht në shërbim të qarqeve sabotese, me qëllimin e vetëm, përmbysjen e pushtetit të dalë nga lufta. Duke përjashtuar dy vjet shkollim në shkollën e partisë në Tiranë dhe një periudhë fare të shkurtër, si kuodër drejtues në Shupenzë të Dibrës, të gjitha vitet e tjera ai ka shërbyer në vendlindjen e tij Tropojë, ku ka kryer detyrat; sekretar i parë, sekretar i dytë që nga viti 1958-të e gjer më 1970-të, ku për arsye moshe lirohet nga detyra e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, për tu emëruar në detyrën e Kryetarit të Frontit, për rrethin e Tropojës, detyrë të cilën e kryeu gjer sa doli në pension. Në çdo detyrë që ka qenë, Mehmet Rama ka ishte timonieri, që ka drejtuar transformimin e Tropojës.

Arritjet, transformimet, dhe ndryshimet dukeshin çdo ditë. Tropoja nëpërmjet rrugës Shumri-Kokgecaj u lidhe me rrugë nacionale, nëpërmes së cilës lidhej me të gjitha qytetet e tjera te republikës. Qyteti Bajram Curri filloi së ndërtuari dhe brenda një kohë fare të shkurtër mori fizionominë e tij, duke ju shtuar vit pas viti, ndërtime e ndërmarje të reja. Lufta kundër analfabetizmit përfundoi në kohë rekord, duke e eleminuar në moshën 40 vjeç e poshtë. Arsimi shtatë e më vonë tete vjeçar u bë i detyruar, shumë bij e bija të Tropojës vazhdonin arsimin jashtë rrethit në shkolla profesionale e ato të përgjithëshme. Maturantët e parë u dërguan në institutet e larta e në universitet, në profile nga më të ndryshme, duke hapur perspektivën e shkëlqyer të përgatitjes së kuodrit të lartë për të gjitha profilet. Në vitet 1970-të arsimi mori zgjerim, duke hapur shkolla të mesme me drejtim bujqësor, në të gjitha qendrat e fshatrave të bashkuara, duke e bërë të detyruar vijimin e tyre 65% të atyre që mbaronin tetë vjeçaren. Duke llogaritur ata që vijonin shkollimin brenda rrethit dhe atyre, që shkolloheshin jashtë rrethit mund të themi se, asnjë nxënës nuk mbetej pa arsim të mesëm.
Shëndetsia filloi me një spital në qytetin e Bajram Currit, me të tërë personelin “jabanxhi” dhe arriti që të këtë qendra shëndetsore dhe klinika dentare për çdo qendër fshati të Bashkuar. Në fshatra të veçantë punonin infermiere e mami.
Fshati me vatra e shtëpi kulture, me shtëpi të reja të sistemuara në zona të caktuara, duke mos cënuar tokat arë, u transformua tërësisht. Në janarin e vitit 1970-të, në shkallë rrethi u ndërmor aksioni i madh për higjenizimin , i cili përfundoi me rregullimin model të shtëpive dhe largimin e bagëtive nga banesat familjare . Fushata për elektrifikimin u karakterizue nga një mobilizim i jashtëzakonshëm. Në fshstrat e thella malore Drogobi, Valbonë, Çerem, Lekbibaj u ndërtuan katër hidroçentrale të reja. Bujqesia, si përparësia e rrethit u transformua plotsisht. Asaj iu shtuan mijëra hektar tokë të re. Kapaciteti ujitës u qindfishue. Rendimenti për ha në mesin e viteve 80-të arriti në grur 30 -të kv. Në misër mbi 50-të kv për ha. Në vitet 50-të u hodhën bazat e studimeve gjeologjike dhe në mbarim të atyre viteve filloi shfrytëzimi i mineralit të kromit, rezervat e të cilit përbënin një thesar të pa çmuar për mbarë ekonominë e vendit.
Ndërmarjet ekonomike u rritën, ç’ka ndikoi në rritjen e punësimit dhe rritjen e popullsisë në qytet. Nuk ka pasur familje, që nuk ka pasur një anëtar të saj në njerën nga këto ndërmarje. Këto ishin një pjesë e arritjeve në rrethin e Tropojës. Në këto arritje e transformime, që nuk shēnojnë tërësinë e tyre, gjendet dora dhe mendja e të paharruarit Mehmet Rama. Ku nuk gjendet ai? Në çdo cep e në çdo skaj, atje ku puna çalonte e për pasojë planet nuk realizoheshin, Mehmeti nuk ndahej gjerësa gjithçka normalizohej.
Bujqësia ishte fusha më e ndjeshme për të. Ai aq i thelluar ishte në mbarëvajtjen e saj, sa njihte puntorët më të dalluar, parcelat me rendimente më të larta, barinjët në pararojë, si dhe neglizhencat, apo paaftësitë drejtuese, që kishte ndonjeri nga drejtuesit e atyre ekonomive.
Mehmet Rama nuk i binte askujt në qafë, pse mund të kishte diçka në biografi, përkundrazi elementëve me talent e punëtor, nuk i pengonte, po i mundësonte në drejtimin, që ata shfaqnin prirje.
Gëzim Nika, këngētari i mirënjohur dhe i talentuar, që kur kishte shfaqur talentin e tij e që premtonte një evolim e afirmim, siç u bë, deshën ta pengonin, që të mos bëhej pjesë e grupit artistik të Tropojës në festivalet e Gjirokastrës. Ish drejtori i shtëpisë se kulturës në atë kohë për Tropojën Marash Mëhilli kujton:
“Mu deshë të shkoja tek sh. Mehmet Rama e ti parashtroja kërkesën për të talentuarin Gëzim Nika, që të mundësohej aktivizimi i tij në grup dhe pjesëmarrja në Festivalun e Gjirokastrës”.
Mehmet Rama thotë Marashi u tha telaxhinjëve:
“Këtu ju mos i pengoni njerëzit, sa për atje
(në Tiranë) firmos e përgjigjem unë”.
E kështu Gëzimi u bë ai që e njeh mbarë Shqipëria e bota artdashëse.
Mehmet Rama shërbeu në Tropojë, më shumë se asnjë tjetër nënpunës, qoftë tropojan, apo ndonjë tjetër i emëruar nga rrethet e tjera. Kjo sepse ai ishte bërë anētar i çdo familje, ishte bërë njohës i halleve, i derteve për gjithkënd, ishte bërë zgjidhës i halleve dhe derteve, jo më pak se vet personi, apo familja.
Mehmeti kishte fituar një admirim të përgjithëshëm. Kush mund ta fitonte atë admirim të tillë?
Vetëm një njeri me moral të pastër si uji i bjeshkëve, vetëm një njeri me taban e trashëgimni bese, burrërie, bujarie e trimërie të të Malësisë së Gjakovës.
Arritjet, transformimet e Tropojës në atë kohë, si dhe lidhjet organike me atë popull tropojan, që ai e deshi aq shumë e bëjnë Mehmet Ramën, jo vetëm qytetar nderi, por të paharruar në historinë e këtij vendi e popullit trim, bujar e liridashës dhe e renditin atë në një piëdestal, lidhur sup më sup me Ali Ibër Nezën, Mic Sokolin, Haxhi Zek Byberin, Bajram Currin, Halil Brahim Bajraktarin, Zeqir Halil Mulosmanin, Shaban Binakun, Adulla Hoxhën dhe me heroin e popullit Ram Sadri Metaliaj.

Nga:
Sul Gosturani
01 Nëntor 2014

Përgatitur për botim:

Nga:
Andy Apolloni
New York June, 2026

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Burim Ramadani, ka ngritur shqetësimin…