“Shpirti i Maradonës”, Mac Allister ndez Argjentinën para duelit me Anglinë

15 korrik 2026 | 15:18

Alexis Mac Allister ka bërë thirrje që Argjentina të frymëzohet nga trashëgimia e Diego Maradonës përpara gjysmëfinales së Kupës së Botës 2026 kundër Anglisë, duke rikthyer në kujtesë fitoren legjendare 2-1 të vitit 1986.

Mesfushori i Liverpoolit zbuloi se ditët e fundit ka parë vazhdimisht pamje nga Maradona dhe ajo ndeshje historike, të cilat, sipas tij, i kanë dhënë motivim shtesë.

“Nuk e di nëse është rastësi apo jo, por ditët e fundit kam filluar të shoh video të Diegos, të ndeshjes së vitit 1986 dhe gjëra të tjera që të bëjnë të duash t’i shikosh dhe t’i kujtosh”.

“Diego përfaqëson kaq shumë për vendin tonë dhe shpresoj që ne të arrijmë të bëjmë diçka të ngjashme me atë që bënë ata në vitin 1986”.

26-vjeçari, babai i të cilit Carlos Mac Allister ka qenë bashkëlojtar i Maradonës te Argjentina dhe Boca Juniors, pranoi se është pothuajse e pamundur të përsëriten veprimet magjike të legjendës argjentinase.

“Është praktikisht e pamundur të bësh ato gjëra… Ndoshta vetëm Leo Messi mund t’i bëjë”.

Gjysmëfinalja e së mërkurës do të jetë përballja e parë mes Argjentinës dhe Anglisë në Kupën e Botës që nga viti 2002, ndërsa kampionët e botës synojnë të sigurojnë finalen e tretë në katër edicionet e fundit të turneut./Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndërsa inteligjenca artificiale po bëhet një pjesë e pandashme e…